Zgjedhjet e 18 qershorit, Basha vë kushte dhe i jep një sinjal Metës

Pesë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare partitë e opozitës, të drejtuara nga Partia Demokratike kanë paraqitur sot platformën e përbashkët politike. Kryeopozitari Lulzim Basha tha se qëndrimi i unifikuar i opozitës është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por qytetarët.

Basha theksoi se, zgjedhjet janë në rrezik për shkak të një sërë dukurish negative si krimi, korrupsioni, moszbatimit i ligjit të dekriminalizimit, narkotrafiku, si dhe shit-blerja e votës e amnistuar nga kryeministri Rama.

“Për këtë opozita ka paraqitur një platformë që prej 17 majit dhe që atëherë Rama vetëm ka sabotuar. Sot opozita është dakord për një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në thelb të saj qëndron ajo se zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët, por qytetarët”, tha Basha.

Ai rikonfirmoi se pikat kyçe të kësaj platforme mbeten: “votimi elektronik, kufizimi i financimeve, kufizimi mediatik dhe aspekte të tjera”.

“E reja është se kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme për shqiptarët se kjo nuk ka dhe s’mund të ketë. Ndaj opozita do të kushtëzojë çdo lëvizje të mëtejshme me platformën për reformën zgjedhorë”, vijoi Basha.

Kryedemokrati përshëndeti qëndrimin e LSI për të shkuar në zgjedhje me lista të hapura, ndërsa tha se PD nuk është pengesë për listat e hapura, një kërkesë kjo e Metës që është kundërshtuar nga PS.

Çfarë kushtëzoni?

Çdo veprim tjetër është sekondar përpara garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E gjithë energjia jonë, i gjithë aksioni ynë politik brenda dhe jashtë kuvendit do të jetë për të diktuar zgjedhjet e lira.

Ka vend për shtyrje zgjedhjesh?

Mos të futemi në detaje që paragjykojnë qëndrimin tonë. Ne besojmë se shqiptarët, përveç një grupi, duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duam që qeverisjen e ardhshme të mos e diktojë krimi, por vota e qytetarëve.

Ligji i dekriminalizimit është në kushtetuese…

Sigurisht, sepse Rama e ka shprehur që në fillim për ta shfuqizuar.

Në tryezën e Komisionit ka një propozim për lista të hapura. Jeni pro?

Përshëndes qëndrimin e LSI pro votimit elektronik, eliminon mbledhjen e kartave të identitetit. Sa i përket sistemit zgjedhor PD nuk është pengesë për listat e hapura. Personalisht jam shprehur për çdo sistem që fuqinë ia kalon qytetarit, lista të hapura, maxhoritar, apo ta bëjmë me ligj që partitë ti zgjedhin me votë nga anëtarësia. Ne nuk jemi pengesë për listat e hapura, por diskutimi për listat e hapura është dhe mbetet propagandistik për sa kohë që nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votimi elektronik është kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme.

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment