Sarandë/Një tjetër vrasje atentat ndaj një biznesmeni, pronar i një lokali në Qafë-Gjashtë të Sarandës është shënuar ditën e djeshme, ku janë plagosur rëndë dhe dy persona të tjerë. Sipas policisë vrasja është kryer me armë zjarri pas një grindje brenda ambienteve të biznesit Ardian Beqiraj 42 vjeç i cili është vrarë nga disa persona të panjohur kurse dy persona të tjerë, që mendohet se janë klientë, mbetën të plagosur nga plumbat.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 16:00, ndërsa nga hetimet paraprake bëhet fjalë për një përplasje mes dy grupesh për konflikte të vjetra. Por grupi hetimor nuk përjashton dhe sherrin për motive banale, pasi pak minuta para vrasjes në lokal mes viktimës dhe një personi ka pasur debate dhe përplasje fizike. Policia tha se viktima është Ardian Beqiraj, 42 vjeç, banues në fshatin Qafë-Gjashtë dhe me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e drogës. Kurse të plagosurit që ishin ulur në një tjetër tavolinë, janë Alfred Xhanxho, 31 vjeç dhe Orest Zylfo, 21 vjeç, banues në Sarandë, për të cilët po kryhen verifikime dhe ruhen në spital me policë, pasi të sqarohet dhe pozicioni i tyre në ngjarje.
Hetimet
Sipas hetimeve të kryera rezulton se autorët kanë qenë më shumë se dy persona dhe lëviznin me një makinë. Pikërisht një mjet i tillë u gjet pak kilometra nga vendngjarja gjatë kontrolleve policore, teksa po digjej. Oficerët mendojnë se makina në flakë u përket autorëve të krimit, që e kanë djegur për të humbur gjurmët. Por informacionet e komisariatit të Sarandës janë të rezervuara, për shkak se forca të shumta janë vënë në ndjekje të autorëve, me qëllim kapjen dhe zbardhjen e krimit të trefishtë. Policia tha se dyshohet që autorët të jenë një grup kundërshtar i Ardian Beqirajt, emri i të cilit është i skeduar në dosjet penale.
Pistat e vrasjes
Por një tjetër pistë përveç hakmarrjes është edhe ajo e sherrit të çastit, për shkak të gjaknxehtësisë që shfaqte 42-vjeçari. Mësohet se viktima është baba i tre fëmijëve. Ndërkohë që të plagosurit Alfred Xhanxho dhe Orest Zylfo, janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Sarandës për mjekim, pasi kanë disa plagë plumbash. Sipas shefit të rendit Sarandë, Leonard Muka, dyshohet se në ngjarje kanë marrë pjesë tre autorë dhe se policia pak më larg vendit të ngjarjes ka gjetur një makinë të djegur, që dyshohet të jetë e tyre, dhe që i është vënë flaka për të fshehur gjurmët. Gjithashtu grupi hetimor po verifikon disa dëshmi, sipas të cilave, para breshërive të armëve, një tjetër person ka hyrë me thikë  në dorë dhe është konfliktuar me pronarin e lokalit.

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment