Vasilika Hysi: Koalicioni PS-LSI është i vlefshëm deri më 18 prill

Deputetja socialiste Vasilika Hysi ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me situatën politike në vend, dhe ecurinë e koalicionit PS­LSI.

Hysi tha se deri më tani ecuria e koalicionit ka qenë pozitive.

E pyetur nëse së fundmi ka patur problematika brenda koalicionit nisur edhe nga deklaratat e ditëve të fundit, ajo tha se edhe brenda një familje, anëtarët e saj nuk mendojnë njësoj.

Vasilika Hysi tha se koalicioni është i vlefshëm deri më 18 prill, datë kur bëhet edhe regjistrimi i koalicioneve të reja për zgjedhjet e 18 qershorit.

“Edhe në çdo familje ka diskutime, anëtarët kanë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Ky koalicion ka një marrëveshje 4­vjeçare, është deri më 18 prill, atëherë kur do të bëhet regjistrimi i koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit. Ju mund të keni dëgjuar debate e diskutime, këto janë dëshira edhe të njerëzve jashtë koalicionit. Për mendimin tim, koalicioni ka funksionuar mirë.

Nuk është e lehtë të bëhen reforma kaq të rëndësishme. Edhe pritshmëria e qytetarëve ka qenë e lartë. Ndaj është i nevojshëm edhe një mandat i dytë, që të vijohet me këto reforma, dhe të ndihen plotësisht rezultatet e tyre”, tha Hysi e ftuar në studion e “News24”, në rubrikën “Opinion”.

Deputetja socialiste ka komentuar edhe qëndrimin e shprehur nga presidenti Bujar Nishani një ditë më parë, sa i takon dekretimit të kandidaturës së Fatmir Xhafajt në postin e ministrit të Brendshëm.

“Fjala e Presidentit nuk ishte ajo që unë prisja, pasi në opinionin tim jo vetëm si politikane por edhe si juriste, ai duhet të ishte mbi palët.

Ky është funksioni i Presidentit. Nuk mund të mbajë Presidenti qëndrime që dalin jashtë Kushtetutës. Lidhur me orientimet që i dha Parlamentit për votimet ose jo të dekretit të z.Xhafaj, i kapërcen kufijtë e qëndrimit që duhet të mbajë Presidenti.

Në ditët e sotme kushdo mund të bëhet “pis” nga debatet, sidomos kur je figurë publike. Parlamenti në këto vite ka ofruar modelin më të shëmtuar të të bërit politikë ku të gjithë shajnë, dhe njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë se kush është e vërteta”, u shpreh ajo.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment