Universiteti PoliteknikUniversiteti Politeknik në Tiranë do të aplikojë një skemë tërësisht të re për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2013-2014. Për herë të parë këtë vit akademik të rinjtë në degën e arkitekturës dhe urbanistikës do të pranohen pa konkurs.
Ndryshimi
Ky është vendimi që ka marrë senati i Universitetit Politeknik të Tiranës, së bashku me departamentet e Fakultetit përkatës, ndërkohë që tashmë pritet vetëm firma e ministrit të Arsimit. Rektori Jorgaq Kaçani ka shpjeguar dje për mediat se është menduar kjo skemë e re pasi konkurset sillnin një vlerësim të përshpejtuar. Nga ana tjetër Kaçani shprehet se viti i parë për kandidatët në këto degë do të jetë një lloj testimi (konkurs në vetvete).
Rektori
“Pranimet në arkitekturë për vitin akademik 2013-2014 do të bëhen pa konkurs, pra mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore, dhe mbi bazën e disa kritereve. Ti jepet mundësia studentit që ai që do të futet në degën e arkitekturës dhe urbanistikës, të ketë mundësi që të vlerësohet për një vit të tërë, të testohet për të gjitha lëndët që do të zhvillojë viti i parë për degën e arkitekturës dhe pastaj nga 250 kuota që ne kemi kërkuar për këtë vit 200 persona do të kenë të drejtë të vazhdojnë vitin tjetër në arkitekturë apo urbanistikë”, shpjegoi  dje Jorgaq Kaçani, rektor i Politeknikut.
Testimi
Më tej rektori Kaçani thotë se nëse të rinjtë nuk do të kalojnë dot provimet si dhe kriteret që do të vendosen pas vitit të parë, atyre do tu jepet një shans për të kaluar në një degë të tjetër. “50 përqind që nuk do të plotësojnë kriteret për tu pranuar në arkitekturë, është menduar të hapim një degë, është ngarkuar departamenti, një degë Bachelor për dizenjim, që të shkojnë studentë. Nga ana tjetër, studentë që nuk do arrijnë, tu krijohet mundësia të transferojnë studimet në degë të tjera të universitetit Politeknik të Tiranës”, vijon Kaçani.
Skema e vjetër
Konkurset në degën e arkitekturës dhe urbanistikës zhvilloheshin për tre ditë me radhë në Pallatin e Kongreseve. Këtë vit duket se maturantët do të shpëtojnë nga ankthi i tyre, por se do të duhet të kalojnë në barriera edhe më të mëdha për të vazhduar studimet. Arkitektura është një nga degët elitë që kërkohet nga studentët dhe ajo vazhdon të renditet në majën e listës së degëve që kanë tarifën më të lartë të shkollimit.

recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O