Nga Luan Kurti

Luan KurtiBerluskoni pas zgjedhjeve të fundit tregoi përsëri se mbetet një ndër aktorët e rëndësishëm në politikën italiane. Ai është përfolur si personazh emblematik jo vetëm përsa i përket fillesës së pasurimit të tij por edhe për performancën politike në kundrarrymë, për gafat diplomatike, për gjuhën e vrazhdë dhe pa ekuivoke dhe sidomos për historitë e nxehta me adoleshente të cilat kanë qenë objekt seancash gjyqësore dhe kopertinash revistash rozë. Skandalet e përsëritura kanë  irrituar jo vetëm të huajt, por edhe vetë Italianët, të cilët nuk kanë mundur ta suportojnë  sjelljen dhe qëndrimet prej gringoje dhe të forti të ish Kryeministrit të tyre. Të gjithë i kemi parasysh pamjet e kavalierit të gjakosur kur u qëllua nga një i ri me një objekt porcelani, i cili ishte ndjerë i turpëruar për modelin dhe imazhin që ai përcillte tek njerëzit e thjeshtë, për nxirjen e faqes në opinionin botëror duke  e paraqitur Italinë si vend të uzurpuar nga mafiozë dhe delirantë.

Ai ka qenë shkaktari për ngrirjen, apo ftohjen e marrëdhënieve me disa vende brenda Bashkimit Euopian dhe veçanërisht me Gjermaninë. Në finale u duk se të gjithë u ndjenë të lehtësuar që epoka e tij mbaroi dhe një erë e re pritej të frynte në politikën italiane. Por kundra gjithë parashikimeve Berluskoni bëri një piruetë dhe u paraqit sërish para italianëve, duke kërkuar votëbesimin e tyre. Dhe rezultati sërish ishte sinjifikativ.
Pyetja që bëjnë shumë ekspertë, analistë të politikës është: “si ka mundësi?!”…Disa duan të thonë se forca e tij qëndron tek mediat, tek politika liberale, tek karizma dhe sportiviteti me të cilin i percepton situatat duke reflektuar më tepër optimizëm dhe siguri. Njerëzit me sa duket nuk kanë dëshirë që dikush t’i kujtojë dietën, krizën me të cilën përballen, marrjen përsipër të fajit, përgjegjësive, bashkëvuajtjen. Ata duan një përgjigje të sinqertë nga ata që i kanë pasur mbi krye. Ata duan të mos e dëgjojnë lajmin e hidhur, do preferonin t’ua fshihnin “kufomën” nga sytë dhe të vazhdonin gostinë.

Monti si kryeministër me politikën e ndjekur u tha se ditët e bukura me diell mbaruan dhe dimri ishte në prag. Kjo e ndëshkoi atë dhe ekipin që përfaqësonte. Njerëzit donin delirin, vazhdimin e ëndrrës, sherifin që merr përsipër të vendos rregull në xhunglën e krijuar, pavarësisht metodave që përdor dhe kostove që krijon për të ardhmen. Dëshpërimi, humbja e shpresës ka sjellë gjithmonë në skenë individë, grupe, formacione politike përkundër tradicionales, ka ricikluar ekstremistë të të gjitha kategorive, deri edhe fazhizmin. Problemi ekonomik shndërrohet në problem psikologjik dhe tribunët social marrin pamjen, karakteristikat e heronjve. Në skenë ngjitet çdo lloj demagogu, sharlatani, i paudhi, për ta demonstruar talentin, monologun e tij.
Retorikat patriotike, nacionaliste, demaskuese; zhbërja si proces, shkallmimi, ndërtimi nga rrënojat i “botës së re”, mahnisin shumë spektatorë, ithtarë. Kthimi i suksesshëm i Berluskonit është një sintezë e gjendjes postraumatike, e degradimit të disa funksioneve të organeve jetësore në mungesë së trupave mbrojtës.

Ata të cilët nuk deshën të bëheshin pjesë e kësaj farse zgjodhën Beppe Grillon. Një komedian për komedinë, disa batuta janë më efektive se dhjetëra referate akademikësh. Grillo nuk është vetëm kundërshtia me politikën e taksave dhe shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë, por edhe fija e kashtës pas së cilës u kapën me duar dhe me thonjë shumë syresh për t’i shpëtuar theqafjes. Në thelb fenomeni Berluskoni – Grillo, pavarësisht se duken si antipode kanë një lidhje shumë organike. Populizmi, premtimet, tonet deklarative  janë arma e tyre më e fortë. Gjasat tregojnë se do të jetë i vështirë krijimi i një qeverie kompetitive që të shërbejë si lokomotivë për të tërhequr vagonat e ekonomisë Italiane të mbetur në urën me binarë të shkalafitur. Bepe Grillo mesa duket luan me kartën e të papërlyerit, e atij që për të vetmen fish që ka në duar shikon si më të favorshëm karambolin. Në këtë tollovi, ai ndihet komod të vazhdojë t’i bëj denuçio politikës së ditës, t’i lerë politikanët e lodhur majtas e djathtas të hahen mes vedit, të zgërlaqen deri në infinit, duke shpresuar se një palë zgjedhje të jashtëzakonshme do i jepnin një rezultat referendar.
Përshkallëzimi i krizës në ditët dhe muajt në vazhdim do t’i përngjante vrullit të një kraterit vullkanik të rindezur, ku vozitësit në përpjekje për t’i shpëtuar valës goditëse, temperaturës së llavës, as që do merakoseshin se mbi cilën shkëmb apo çati kishin hipur. Komedia italiane e këtyre zgjedhjeve ka të ngjarë të ketë një jehonë  në shumë vende afër apo larg saj, të ngjallë frikëra supersticione, hamendësime, të krijojë efektin domino ashtu siç ndodhi me të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”. Por nëse në vendet e lindjes së mesme, varfëria dhe mungesa e lirisë ishte detonatori shpërthyes që ndezi flakët e një zjarri gjigant, në vendet demokratike keqpërdorimi i saj, superprodhimi që nga joshja, babëzia e konsumit, u shndërrua dalëngadalë në pamundësi blerjeje dhe aksesi për të gjithë në mënyrë të barabartë ose propocionalisht të drejtë, mund të konsiderohet shkëndija në qarkun elektrik.
Krizat që lindin si pasojë e politikave të dështuara, e një fryme klientelizmi, hegjemonie dhe monopoliste dhe shndërrohen në kriza të përgjithshme, si ilaç të vetëm kanë shpërbërjen e këtyre karteleve, e këtyre trusteve, krijimin e terrenit, klimës së favorshme për lindjen e elitave dhe grupeve të reja të interesit.

recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O