
Kriza ekonomike është shtrirë edhe në universitetet publike të vendit, ku fondet nuk mjaftojnë as për të paguar pedagogët. Në prag të fillimit të vitit të ri akademik situata financiare e këtij fakulteti është tepër e vështirë, duke e çuar këtë institucion arsimor drejt falimentimit.
Situata financiare
Jo vetëm që nuk mund të flitet për investime të reja, por shumica e pedagogëve vazhdojnë të mos paguhen për muaj të tërë. Denoncimi i kësaj situate është bërë para medieve nga vetë dekani i Fakultetit të Mjeksisë Bajram Hysa i cili akuzon rektoratin e Universitetit të Mjekësisë i cili ka shpërdoruar fondet dhe se po vepron në shkelje të ligjit të arsimit të lartë.
Dekani Bajarm Hysa
“Të ardhurat e Fakultetit të Mjekësisë që vijnë nga tarifat e regjistrimit të studentëve, specializantëve fatkeqësisht janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme pa mendim të dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Këshillit të Fakultetit në mënyrë të paligjshme nga ana e rektoratit mjekësor. Kjo ka krijuar një situatë të vështirë që e çon fakultetin në prag falimenti. Të fillosh që në qershor-korrik të paguash pagat e pedagogëve dhe të gjithë stafit me të ardhurat e tua, ne na ka vënë në vështirësi të tilla që sot ne nuk paguajmë mbi 180 pedagogë part-time të jashtëm. Ne sot kemi afër 600 mijë lekë të reja në arkën tonë” tha Bajram Hysa, dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Emërimet me konkurs
Ndërkaq dekani Hysa ka përforcuar deklaratën e disa ditëve më parë se nuk do të pranojë asnjë pedagog pa konkurs, pavarësisht se dosjet e tyre janë depozituar dhe se ata tashmë duhet të punësohen në bazë të vendimit të qeverisë së mëparshme. Viti i ri akademik do të nis këtë të hënë më datë 7 tetor, por krahas vështirësive të mëparshme në mungesë auditorësh dhe stafi akademik, tashmë universitetet do të përballen edhe me krizën ekonomike, duke vënë në pikëpyetje ecurinë normale të procesit akademik për këtë vit 2013-2014.