Aktorja e njohur turke, Tuba Buyukustun, nuk po gjen rehat me jetën private. Pas divorcit pas martesës 6-vjeçare me aktorin Onur Saylak në muajin qershor, u zbulua shpejt se Tuba kishte nisur një lidhje të re me biznesmenin Umut Evirgen.

Çifti u fotografua disa herë në eventet artistike në qytet derisa edhe ata vetë nuk e mohuan më lidhjen, edhe pse zyrtarisht askush prej tyre nuk konfirmoi.

Lajmet se Tuba dhe Evirgen e kanë konsoliduar lidhjen u përhapën shpejt ne mediat turke, madje, ditët e fundit u mësua edhe se kjo marrëdhënie do të kurorëzohet në fillim të vitit tjetër me një martesë. Por dasma që, me gjasë, do të mbahej në fillim të 2018-ës, në konsullatën turke në Romë, në shtëpinë e producentit të njohur turk Ferzan Özpetek, me sa duket, është anuluar.

Të paktën mediat turke, këtë aludojnë pas një zënke që çifti ka pasur gjatë një mbrëmjeje. E përditshmja turke Sabah shkruan se i dashuri i aktores, Umut Evirgen, ka qenë duke flirtuar me këngëtaren Defne Samiyeli gjatë një eventi artistik në Stamboll dhe këtë e ka bërë në sy të Tuba-s. Aktorja, e revoltuar nga kjo situatë, ka kërkuar që këngëtarja të largohet nga mbrëmja, por për këtë Evirgen ka refuzuar duke e konsideruar një veprim të papranueshëm. Kaq është dashur që mes çiftit të shpërthejnë zënka, por nuk dihet nëse kjo situatë ka shkuar deri në ndarjen e tyre.