Dasma dhe muaji i mjaltit për Turin dhe Orindën mbaruan. Ceremonia madhështore e fundkorrikut, udhëtimet ekzotike nga njëri vend në tjetrin, dëshirat “e pafundme” të Orindës, “sikletet” e Turit dhe çdo ditë e orë e shijuar me mjaltë e më pak, tashmë ka mbaruar. Turi dhe Orinda janë kthyer dhe janë gati për t’iu rikthyer punës dhe projekteve të reja televizive.

Moderatori i njohur i Vizion Plus, sot madje ka lajmëruar çeljen e sezonit të ri të “Oktapod” këtë të premte, por edhe Orinda do të nisë së shpejti programet e saj. Vetëm me një ndryshim…. tani janë zyrtarisht të martuar.

Si të tillë janë shfaqur edhe mbrëmjen e sotme në 20-vjetorin e Opinion, pas kthimit nga muaji i mjaltit. Dhëndri ka veshur kostumin që duket se i shkon më shumë pas statusit të ri, ndërsa Orinda, si gjithmonë elegante, ka zgjedhur një jumpsuit të gjatë blu. Buzëqeshjen nuk e kanë lënë për asnjë çast gjatë mbrëmjes edhe kur janë takuar me miq të tjerë e personazhe të njohur nga bota e televizionit e jashtë saj.