Tropojë/Tragjeditë në minierat e vendit sa vijnë e po shtohen por sërish edhe pse gjendja është tepër alarmante sërish asnjë masë konkrete nuk po merret nga organet kompetente. Edhe pse aksidentet shënojnë dhjetëra viktima e galeritë e minierave më të mëdha në vend, vazhdojnë të shemben, sërish për këto ngjarje nuk po merren në konsideratë nga askush. Tragjedia e radhës u shënua mesditën e djeshme në minierën e Paçit në Tropojë, ku dy të rinj 20 vjeçarë kanë pësuar vdekjen si pasojë e shembjes së galerisë ku ata po punonin. Nga kjo ngjarje e rëndë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë. Dy të rinjtë po gërmonin për mineral me qëllim që ta shisnin në treg për të fituar të ardhura ekonomike. Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 15:00 të pasdites së djeshme në minierën e Paçit në Tropojë. Dy persona kanë vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë në galeri, pasi gjatë gërmimit shkaktuan shembjen e shkëmbinjve të kromit. Viktimat janë Erjon Geci, 23-vjeç dhe Dritan Neza, 20-vjeç, ndërsa ende nuk është mësuar emri i të plagosurit.
Ngjarja tragjike
Të rinjtë kanë qenë duke gërmuar për nxjerrjen e mineraleve, së bashku me banorë të tjerë të zonës, në procesin e përditshëm, gjë e cila ka sjellë edhe shembjen e një masivi me dhe e gur, duke iu shkaktuar atyre vdekjen e menjëhershme. Në minierë, në kohën e rënies së masivit me dhe e gurë, ka mbetur i plagosur edhe tjetër person, shok me viktimat. Emri i tij nuk bëhet i ditur prej policisë, por mësohet se ai është transportuar menjëherë drejt spitalit të Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Një i katërt ka marrë lëndime të lehta, por pa nevojë për mjekim, ndërsa informoi policinë vendore dhe shokët për ndihmë, me qëllim që të nxirrnin viktimat nga thellësia e galerisë. Kanë qenë minatorët e tjerë që kanë parë ngjarjen dhe kanë nxjerrë trupat nga galeritë, ndërsa njoftuan dhe policinë për të nisur hetimet.
Hetimet
Burime nga komisariati i Tropojës thanë se kanë dërguar grupin hetimor dhe ekspertët, ndërsa paraprakisht mësohet se gërmimi në galeri bëhej privatisht nga banorët me qëllim sigurimin e fitimeve ditore. Kromin që nxirrnin me mjete rrethanore, e shisnin më pas tek firmat private sipas çmimit të vendosur. Ngjarja është cilësuar aksidentale, por hetimet vijojnë për të mësuar ndonjë rrethanë tjetër me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë që në pyetje u morën dy të mbijetuarit dhe kolegët e tjerë që gjendeshin në zonën e minierës së njohur edhe si galeritë e Veliçit. Pak ditë më parë, nga një shpërthim gazi në nivelin nr. 16-të në minierën e Bulqizës, një minator mbeti i vdekur dhe tetë të tjerë u plagosën, nga të cilët 8 më rëndë.
ARTA AGOLLI