ARTA AGOLLI
Tirana është mbushur dje plot me postera kundër importimit të plehrave në Shqipëri. Organizatorët e këtij veprimi ishin të rinjtë e “Kuvendit Civil”. Ndërkohë dje edhe të rinjtë e Forumit Rinor Eurosocialist kanë zhvilluar një manifestim para dyerve të presidencës, duke i kërkuar presidentit Bamir Topi që të mos dekretojë ligjin për importimin e plehrave. Të rinjtë mbanin në duar një pankartë ku shkruhej “Mos e dekreto”. Duke e konsideruar situatë SOS për shqiptarët atë të importit të plehrave të rinjtë socialistë insistuan në ditën e fundit të kësaj vendimmarrje të kreut të shtetit që të mos dekretojë një ligj që shkon kundër interesave të qytetarëve shqiptarë.
Letra
Po dje edhe “Forumi i Mendimit të Lirë”, me një letër të të firmosur nga Mentor Kikia si Drejtor Ekzekutiv i kësaj lëvizje dhe të rinjtë, kërkojnë nga presidenti i Republikës Bamir Topi të mos dekretojë ligjin e miratuar nga parlamenti për importin e plehrave nga Italia e vendet e tjera Evropiane në vendin tonë. “Duam të tërheqim vëmendjen Tuaj, i nderuar Z. President lidhur me një çështje shumë delikate për të ardhmen e vendit tonë. Faktet e nxjerra në dritë së fundi, lidhur me riciklimin e makinave të vjetra, na dëshmojnë për një plan të parapërgatitur për të ushqyer industrinë e riciklimit të mbeturinave në Shqipëri” Thuhej në letrën drejtuar presidentit Topi nga të rinjtë e forumit të Lirë.
Apeli
Sipas Forumit të Mendimit të Lirë miratimi i ligjit për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili i hap udhë importimit të mbetjeve për arsye riciklimi, duke përfshirë për herë të parë edhe automjetet e vjetra dhe, legalizimi në parlament i aktit normativ të qeverisë, për varrezat e makinave, janë pjesë integrale të të njëjtës strategji që konvergjon në interesa ekonomike të biznesit të riciklimit. Madje sipas këtyre të rinjve nuk ka qenë rastësi fakti që kryeministri Sali Berisha ka pritur në zyrën e tij, vetëm pak ditë pas miratimit të aktit normativ, drejtorin ekzekutiv të kompanisë gjermane SHOLZ, Rafael Bart. Është kjo shoqëri që ka ndërtuar impiantin më të madh të riciklimit-shndërrimit në skrap-të makinave të vjetra.
“Importi i plehrave biznes ndotës, presidenti të mos dekretojë ligjin”
Sipas të rinjve të Forumit të Mendimit të Lirë, nuk është rastësore që kompania gjermane ndërton një biznes me një kapacitet gjigand, kur di me saktësi se në Shqipëri ka lëndë të parë vetëm për një muaj punë. Nuk është vështirë të kuptojmë se pjesa tjetër e lëndës së parë do të importohet. Pyetja që shtrohet është kjo? Përse ky biznes nuk u vendos në vendin ku lënda e parë është me shumicë, por duhet që makinat e vjetra dhe akumulatorët elektrikë të importohen në Shqipëri? Padyshim që ka një përgjigje: Ky biznes është ndotës! Kërcënimi mjedisor prej këtij biznesi është shumë më i rëndë se procedura e ligjërimit të tij, ndaj kërkojmë që të ushtroni autoritetin tuaj për të mos e dekretuar këtë ligji. Shqipëria është sot vendi më i ndotur i Evropës. Ajo është e pushtuar nga mbeturinat, nga maja e malit deri në mes të detit. Ne çmojmë se qeveria dhe parlamenti duhet të angazhoheshin maksimalisht për gjetjen e mekanizmave për ta pastruar territorin e vendit, derisa predikojmë turizmin si shpëtimin ekonomik. Por në vend të saj tërë vëmendjen dhe preokupimin e qeverisë e merr ndërtimi i infrastrukturës ligjore për bizneset e riciklimit të mbeturinave të importit, pasi biznesi kishte ndërtuar më parë fabrikat në mënyrë informale.