Bëhet fjalë për ligjin e amnistisë, që fshin gjobat dhe kamatëvonesat e makinave për periudhën 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2014, në rast se paguhet i plotë detyrimi i taksave. Gazeta “Panorama” boton shifrat zyrtare dhe efektet financiare nga amnistia e makinave. Deri tani, nga falje e gjobave dhe kamatëvonesave kanë përfituar 1076 pronarë makinash pasi kanë paguar detyrimin. Po ashtu janë çregjistruar rreth 11 mijë makina, ku pronarët e këtyre mjeteve nuk do të rezultojnë më debitorë. Nga zbatimi i ligjit janë fshirë 1 miliard lekë detyrime për makinat e çregjistruara dhe janë fshirë 15 milionë lekë gjoba për ata që kanë paguar principalin.

Falja e gjobave

Amnistia parashikon që për ata qytetarë që nuk kërkojnë ta nxjerrin mjetin nga qarkullimi, të paguajnë vetëm taksat për periudhën 2011 deri në vitin 2014, pa kamatëvonesën për mospagimin e taksës në kohë. Për rastet kur taksa paguhet me vonesë, kamatëvonesa është deri në 25 për qind të vlerës së principalit ose të taksës. Nëse një qytetar kërkon ta mbajë mjetin aktiv, duhet të paguajë taksat për 4 vitet me lehtësi, duke iu falur gjoba dhe në këtë rast mjeti quhet aktiv, është i rregullt dhe mund të dalë në qarkullim. Kjo është një lehtësi për pronarin e makinave, sepse i falen kamatëvonesat, e cila është një taksë më pak. Që nga nisja e zbatimit të amnistisë e deri tani, sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme së Shërbimit të Transportit Rrugor, janë falur gjobat për 1076 makina. Për faljen e kamatëvonesës për periudhën janar 2011 – dhjetor 2014, nga efekti i ligjit të faljes, janë 1076 mjete që u janë falur kamatëvonesat dhe gjobat me kushtin pasi kanë paguar principalin dhe ka një efekt prej 15,700,000 lekë.

Makinat e çregjistruara

Por, në rast se pronarët e makinave duan të çregjistrojnë mjetet, ato duhet të paraqiten në drejtoritë rajonale. Procedura do të jetë e thjeshtë ku në rast se një qytetar nuk ka paguar taksat deri 2010 dhe kërkon ta çregjistrojë mjetin, atij do t’i fshihen detyrimet, ndërsa mjeti nuk do lejohet të qarkullojë më. Në rast se ai kërkon ta mbajë mjetin në qarkullim, përfiton nga fshirja e taksave deri më 2010, por duhet të paguajë detyrimet për periudhën 2011- 2014, pa gjoba dhe kamatëvonesa. Në rast se mjeti do të vazhdojë të jetë akoma në qarkullim, do të sekuestrohet nga Policia e Shtetit, pasi targa e mjetit nuk do të jetë më në qarkullim. Afati pas shpalljes së listës për të përfituar nga amnistia është deri më 31 dhjetor. Deri tani janë çregjistruar rreth 11 mijë mjete nga 120 mijë të identifikuara si debitore. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor thotë se deri tani janë paraqitur pranë sporteleve për çregjistrimin e mjeteve, rreth 11,378 qytetarë, të cilët kanë çregjistruar mjetin e tyre dhe efektet janë rreth 1 miliard lekë. Çregjistrimet më të mëdha janë nga Drejtoria Rajonale e Tiranës rreth 2500 makina, Durrës 1200 makina, Fieri 1200 dhe Korça 1200 mjete.