SUPLEMENT NE 6 FAQE/Këshillat e mjekëve britanikë për të menaxhuar sëmundjen

ji09iMjekët britanikë nëpërmjet faqes së specializuar vetëm për diabetin “diabetes.org.uk” kanë përmbledhur këshillat kryesore për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë pacientëve. Dhe për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve shqiptarë, gazeta “Tirana Observer” e ka përkthyer materialin me këshillat. Në suplementin e së shtunës ju do të gjeni gjithçka për diabetin. Duke nisur që nga shtatzënia dhe diabeti  deri tek mitet që duhen rrëzuar për diabetin. Në suplement do të lexoni edhe për sëmundjet e veshkave dhe diabetin. Sëmundjet e veshkave janë një nga komplikimet që vijnë si rezultat i diabetit, pas një kohe të gjatë. Aktualisht tek një e treta e njerëzve që vuajnë nga diabeti mund të zhvillohen dhe sëmundjet e veshkave. Ky suplement informues shpjegon se si diabeti mund të ndikojë tek veshkat, duke përfshirë një informacion të përgjithshëm për veshkat, sëmundjet e veshkave, simptomat dhe trajtimin e tyre. Gjithashtu do të shpjegojë sesi njerëzit me diabet mund të parandalojnë dëmtimin e veshkave. Një tjetër argument që do të lexoni në këtë suplement është Hipoglicemia.  
Hipoglicemia, ose hipo, është një term mjekësor që përdoret kur niveli i glukozës në gjak është më i ulët se 4 mmol/l. Ky nivel është shumë i ulët për të siguruar energji të mjaftueshme për aktivitetet e trupit tuaj. Hipo mund të ndodhë kur ju po trajtoheni me insulinë ose me disa lloj ilaçesh të tjera për diabetin. Pavarësisht sa shumë mund të dini për diabetin, apo sa i kujdesshëm mund të jeni, nëse diabeti juaj trajtohet me disa lloj ilaçesh, atëherë ka shumë mundësi që të përjetoni forma të hipos. Të ngrënit shëndetshëm ku keni diabet? Në këtë suplement do të lexoni edhe se si ju mund të vazhdoni të shijoni një shumëllojshmëri ushqimesh, si pjesë të një diete të shëndetshme. Në këtë suplement do të lexoni edhe për sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti. Sëmundja kardiovaskulare (SKV) është një nga komplikimet e mundshme si rezultat i diabetit afatgjatë. Për arsye të kësaj lidhjeje, shumë njerëz me diabet shqetësohen nga fakti i sipërpërmendur. Në këtë suplement do të zbuloni më tepër rreth SKV – çfarë është ajo dhe si mund të ulni rrezikun e zhvillimit të saj. Megjithëse diabeti nuk mund të kurohet, ai mund të menaxhohet me sukses. Në këtë suplement do të gjeni të gjitha këshillat e duhura për të menaxhuar sëmundjen.

************
Rrezikoni të keni diabet?

Ndoshta ju nevojitet testi për diabet Tipi 2…

Mbi një gjysmë milion njerëz në Britani kanë diabet Tipi 2 por nuk e dinë. Po në Shqipëri sa mund të jenë? Lexoni këtë fletë informuese për të parë nëse është e nevojshme, që të vizitoni patologun ose farmacistin tuaj për një test.

Diabeti është një gjendje shëndetësore serioze, i cili po nuk u trajtua mund të çojë në sëmundjet e zemrës, verbëri, mosfunksionim veshkash dhe komplikime të tjera që rrezikojnë jetën. Shumë njerëz me diabetin Tipi 2 e kanë pasur atë gati nëntë deri në 12 vjet para se të diagnostikoheshin. Dhe tashmë te këta njerëz kishin nisur të zhvilloheshin disa komplikime. Por lajmi i mirë është se nëse diabeti zbulohet më herët dhe kontrollohet mirë, ju mund të reduktoni shumë nga rreziqet e problemet serioze me shëndetin.

Çfarë është diabeti?
Diabeti është një gjendje shëndetësore ku sasia e glukozës (sheqerit) në gjakun tuaj është tepër i lartë sepse trupi nuk mund ta përdorë atë siç duhet. Kjo ndodh për arsye se pankreasi nuk prodhon fare insulinë, ose nuk prodhon në sasi të mjaftueshme për të ndihmuar glukozën që të hyjë në qelizat e trupit – ose insulina e prodhuar nuk funksionon siç duhet (kjo njihet gjithashtu dhe si rezistenca ndaj insulinës).
Insulina është hormoni që prodhohet nga pankreasi dhe lejon glukozën të hyjë në qelizat e trupit, ku aty përdoret si karburant për energji. Kështu ne mund të punojmë, të luajmë dhe përgjithësisht të jetojmë jetën tonë. Ajo është thelbësore për jetën.
Glukoza vjen si rezultat i tretjes së karbohidrateve dhe prodhohet gjithashtu nga mëlçia.
Karbohidratet vijnë nga lloje të ndryshme ushqimesh dhe pijesh përfshirë këtu ushqime me përmbajtje niseshteje të tilla si buka, patatet dhe bukë fshati; fruta; disa nënprodukte të qumështit; sheqeri dhe ushqime të tjera të ëmbla.  Nëse keni diabet trupi juaj nuk mund të përdorë siç duhet këtë glukozë, kështu që ajo grumbullohet në gjak dhe nuk është në gjendje që të përdoret si karburant.

Ka dy lloje diabetesh:
Diabeti Tip 1 ndodh kur nuk prodhohet fare insulinë sepse qelizat insulinë prodhuese në pankreas janë shkatërruar. Askush nuk e di me siguri pse këto qeliza dëmtohen, por mundësia më e madhe është se trupi reagon në mënyrë jo normale ndaj këtyre qelizave. Ju s’mund të bëni dot asgjë për të parandaluar diabetin Tip 1. Ky lloj diabeti trajtohet gjithnjë me injeksione insuline.

Diabeti Tip 2 ndodh kur trupi ose nuk prodhon insulinë mjaftueshëm, ose kur insulina e prodhuar nuk punon siç duhet (rezistencë ndaj insulinës). Ky lloj diabeti trajtohet duke ndryshuar mënyrën e jetesës, duke ndjekur një dietë të drejtpeshuar dhe të shëndetshme, duke rritur aktivitetet fizike, dhe duke u dobësuar nëse është e nevojshme. Disa njerëz mund të kenë nevojë dhe për ilaçe dhe/ ose injeksione insuline për të arritur nivelet normale të glukozës në gjak.

Jeni në rrezik?
Disa nga faktorët rrezikues që shoqërojnë diabetin Tip 2 janë jashtë kontrollit tonë ndërsa për të tjera, si të qenit mbi peshë, ju mund të veproni për të reduktuar rreziqet e zhvillimit të diabetit. Ju duhet të pyesni patologun tuaj për të bërë një test diabeti nëse:

• Jeni i bardhë dhe mbi moshën 40 vjeç
• Jeni i zi, aziatik ose nga grupe minoritare etnike dhe jeni mbi 25 vjeç

Faktorë rrezikues:
• Një pjesëtar i ngushtë i familjes suaj ka diabet Tip 2 (prind, vëlla ose motër).
• Keni tension të lartë gjaku dhe keni pasur atak në zemër apo trombozë.
• Jeni grua me sindromën e vezoreve me ciste dhe jeni mbi peshë.
• Keni gliceminë e dëmtuar të agjërimit (IFG) ose tolerancën e dëmtuar ndaj glukozës (IGT).
• Keni patur nivele të larta të glukozës së gjakut gjatë shtatëzanisë (diabet shtatëzanie)
• Keni probleme të rënda të shëndetit mendor.
Sa më tepër faktorë rrezikues të keni, aq më i madh është dhe rreziku i zhvillimit të diabetit. Shkaqe të tjera përfshijnë disa lloje të sëmundjeve në pankreas, por janë tepër të rralla.

 Disa gjëra që nuk shkaktojnë diabet:
• Ngrënia e ëmbëlsirave dhe sheqerit nuk shkakton diabet, por ngrënia në sasi të mëdha të sheqerit dhe të ushqimeve yndyrore mund të shkaktojnë mbi peshë
• Diabeti nuk është sëmundje ngjitëse, si të ftohurit.
• Stresi nuk shkakton diabet megjithëse mund t’i përkeqësojë simptomat tek ata njerëz që tashmë vuajnë nga kjo sëmundje.
• Një aksident apo një sëmundje nuk do ju shkaktojë diabet, por mund të zbulojë diabetin nëse dikush e ka atë.

Simptomat e diabetit
Simptomat e diabetit Tip 2 jo gjithnjë janë të dukshme. Disa njerëz me diabet ia vënë fajin për këto simptoma moshës apo motit të nxehtë; ndërsa të tjerë ndoshta nuk kanë pasur asnjë simptomë ende.

Simptomat më kryesore janë:
• Dalja në banjo më shpesh – sidomos gjatë natës
• Rritja e etjes
• Lodhje ekstreme
• Rënie e pashpjegueshme në peshë
• Kruajtje e gjenitaleve ose episode të vazhdueshme irritimi
• Shërimi me ngadalësi i plagëve
• Shikim i turbullt

Komplikimet nga diabeti
Njerëzit me diabet rrezikojnë më shumë për të pasur komplikime, përfshirë këtu:
• Sëmundje zemre
• Trombozë
• Probleme me qarkullimin e gjakut
• Dëmtim i nervave
• Dëmtim i veshkave dhe i syve Lajmi i mirë është se, nëse zbulohet në kohë dhe kontrollohet mirë, ju mund t’i reduktoni shumë këto rreziqe.

Hapi tjetër
Nëse mendoni se ajo çka keni lexuar në këtë fletë informuese vlen edhe për juve, atëherë vizitoni patologun dhe kërkoni t’ju bëjë një test diabeti. Diabeti është një gjendje shëndetësore serioze, që ka nevojë të trajtohet. Sa më shpejt të veproni aq më mirë.

**************
Menaxhimi i diabetit tuaj

Trajtime me ilaçe
Megjithëse diabeti nuk mund të kurohet, ai mund të menaxhohet me sukses. Një nga synimet e menaxhimit të diabetit është arritja e vënies nën kontroll të nivelit të glukozës e yndyrnave në gjak dhe të tensionit. Ngrënia e një diete të balancuar, kontrolli i peshës, dhe ndjekja e një mënyre jetese të shëndetshme, sëbashku me ilaçe të dhëna nga mjeku dhe monitorimi i shëndetit, janë pjesë shumë të rëndësishme. Ky informacion ju jep një hyrje për të kuptuar ç’është diabeti, të kuptoni dy tipet e diabetit dhe të menaxhoni këtë gjendje me anë të mjekimeve.
Ç’është diabeti?
Diabeti është një gjendje shëndetësore ku sasia e glukozës në gjak është tepër e lartë dhe trupi nuk mund ta përdorë atë siç duhet. Niveli i glukozës rregullohet nëpërmjet insulinës, një hormoni që prodhohet nga pankreasi dhe lejon glukozën që të hyjë në qelizat e trupit, ku aty përdoret si karburant për energji. Kështu ne mund të punojmë, të luajmë dhe përgjithësisht të jetojmë jetën tonë. Ajo është thelbësore për jetën. Nëse keni diabet, trupi juaj nuk mund të përdorë siç duhet këtë glukozë kështu që ajo grumbullohet në gjak dhe nuk është në gjendje që të përdoret si karburant. Kjo ndodh për arsye se pankreasi nuk prodhon fare insulinë, ose e prodhon në sasi të pamjaftueshme, për të ndihmuar glukozën që të hyjë në qelizat e trupit – ose insulina e prodhuar nuk funksionon siç duhet (njohur gjithashtu dhe si rezistenca ndaj insulinës). Glukoza vjen si rezultat i tretjes së karbohidrateve dhe prodhohet gjithashtu nga mëlçia. Karbohidratet vijnë nga lloje të ndryshme ushqimesh dhe pijesh, përfshirë këtu ushqime me përmbajtje niseshteje të tilla si buka, patatet dhe bukë fshati; fruta; disa nënprodukte të qumështit; sheqeri dhe ushqime të tjera të ëmbla.
Të kuptosh diabetin
Dy janë tipet kryesore të diabetit: Tipi 1 dhe Tipi 2.
Diabeti Tip 1 Diabeti Tip 1 ndodh kur nuk prodhohet fare insulinë sepse qelizat insulinë prodhuese në pankreas janë shkatërruar. Insulina është çelësi që hap dyert për tek qelizat e trupit. Kur dera është e hapur glukoza mund të hyjë në qeliza, ku përdoret si karburant. Në Tipin 1 nuk ka insulinë të pranishme në trup, kështu që nuk ka çelës për të hapur derën kështu që glukoza ngelet në gjak. Ky lloj diabeti trajtohet gjithnjë me injeksione insuline, një dietë të shëndetshme dhe aktivitete fizike të rregullta.
Diabeti Tip 2
Diabeti Tip 2 ndodh kur trupi ose nuk prodhon insulinë mjaftueshëm, ose kur insulina e prodhuar nuk punon siç duhet. Çelësi (insulina) nuk e ka të mundur të hapë derën ndaj qelizave të trupit siç duhet dhe/ose çelësi (insulina) është aty, por kyçi nuk punon siç duhet. Ky lloj diabeti trajtohet duke ndjekur një dietë të balancuar dhe të shëndetshme dhe duke rritur aktivitetet fizike. Mund të jenë të nevojshme dhe përdorimi i ilaçeve dhe/ ose injeksione insuline për të arritur nivelet normale të glukozës së gjakut. Në mënyrë që të arrini një kontroll të mirë të diabetit tuaj është e rëndësishme që glukoza në gjak, tensioni dhe yndyra në gjak të menaxhohen për të ulur rreziqet e një komplikacioni.
Nivelet e glukozës në gjak
Përcaktimi i niveleve të glukozës para dhe pas vakteve do të varet nga nevojat personale klinike të gjithsecilit. Kështu që është e rëndësishme që të diskutoni me doktorin e diabetit përcaktimin e niveleve të tua individuale. Testi më i zakonshëm është HbA1c, i cili tregon glukozën në gjak për periudhën e 2-3 muajve të kaluar.
Tensioni dhe yndyrnat e gjakut (përfshirë dhe kolesterolin)
Mësoni rreth niveleve individuale të përcaktuara nga doktori për tensionin dhe yndrynat në gjakun tuaj. Për të arritur nivelet e përcaktuara për juve nuk janë të mjaftueshme vetëm, kontrolli i mirë i diabetit, dieta dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës, kështu që do ju duhet të merrni edhe mjekime.
Ilaçet për Diabetin
Nëse janë të nevojshme ilaçet për të arritur një kontroll të mirë të diabetit, doktori do të diskutojë me ju formën më të mirë të trajtimit të diabetit. Mjekimi i diabetit nuk do e kurojë atë dhe shumica e njerëzve do ta kenë për gjithë jetën, por mjekimet do ju ndihmojnë të ndiheni më mirë duke ju çliruar nga simptomat dhe duke ulur rreziqet e komplikimeve. Nëse merrni ilaçe, është e rëndësishme të dini si funksionojnë, dhe të jeni të ndërgjegjshëm për problemet e mundshme ose efektet anësore qe vijnë si rezultat i përdorimit të tyre. Kini parasysh që ju gjithnjë mund të diskutoni me doktorin tuaj lidhur me pyetjet që keni për trajtimin e diabetit. Është e rëndësishme të kini parasysh se mjekimet nuk janë zëvendësim i dietës dhe aktivitetit fizik, kështu që këto duhet t’i vazhdoni paralel. Rritja ose ndryshimi i ilaçeve për diabetin nuk është shenjë që tregon se diabeti juaj është rënduar, por do të thotë që doktorët po punojnë me ju për të përmirësuar menaxhimin e diabetit.
Trajtimi me insulinë
Të gjithë njerëzit me diabetin Tip 1 duhet të përdorin insulinë. Gjithashtu, edhe disa njerëz me diabet Tip 2 që kanë përshtatur mjekimet e tyre për këtë tip diabeti, por tek të cilët niveli i glukozës qëndron tepër i lartë, rekomandohen nga doktori për përdorimin e insulinës. Insulina nuk mund të merret në formë tabletash, sepse duke qenë proteinë, do të tretej në stomak përpara se të jepte efekt. Insulina mund të jepet në mënyra të ndryshme: nëpërmjet injeksionit, duke përdorur shiringë, një pajisje si penë ose nëpërmjet një pompe insuline. Kjo gjilpërë është e vogël, sepse është e nevojshme vetëm sa të hyjë poshtë lëkurës, ose në stomak, në të ndenjurat, kofshë ose në pjesën e sipërme të krahëve. Insulina më pas thithet nga enët e vogla të gjakut, duke hyrë kështu brenda në gjak. Ka gjashtë lloje kryesore insuline që janë të disponueshme në kombinime të ndryshme dhe të gjitha funksionojnë në forma të ndryshme. Doktori do të diskutojë me ju rreth mundësive të ndryshme që janë të disponueshme dhe do t’u përgjigjet pyetjeve që mund të keni.
******

Sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti  
Sëmundja kardiovaskulare (SKV) është një nga komplikimet e mundshme si rezultat i diabetit afatgjatë. Për arsye të kësaj lidhjeje, shumë njerëz me diabet shqetësohen nga fakti i sipërpërmendur. Kjo fletë informuese është pikënisja për të zbuluar më tepër rreth SKV – çfarë është ajo dhe si mund të ulni rrezikun e zhvillimit të saj.
Çfarë është SKV?
SKV përfshin sëmundjet e zemrës, trombozën dhe gjithë sëmundjet e tjera të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.
Nga se shkaktohet SKV?
Enët dhe arteriet e gjakut lejojnë që gjaku të qarkullojë dhe të furnizojë trupin me oksigjen dhe me lëndët ushqyese që i nevojiten. Në SKV, depozitat yndyrore (pllakëza) formohen në brendësi të enëve dhe arterieve të gjakut. Përveçse formojnë mpiksje (trombozë), depozitat yndyrore mund të ngushtojnë arteriet dhe enët e gjakut dhe mpiksjet mund t’i bllokojnë ato plotësisht. Si rezultat, zona të ndryshme të trupit bëhen të uritura për oksigjen dhe për lëndët ushqyese të nevojshme. P.sh. nëse një arterie që çon te zemra bllokohet, ajo mund të shkaktojë një atak në zemër. Nëse kjo ndodh tek një arterie që të çon në tru mund të shkaktojë trombozë. Ngushtimi apo bllokimi në këmbë (dhe shpeshherë dhe në krahë) njihet si sëmundje vaskulare periferike dhe mund të rrisin rrezikun e gangrenës dhe amputimit.
Pse të pasurit diabet rrit rrezikun e SKV?
Njerëzit me diabet kanë një rrezik në rritje për SKV në krahasim me ata që nuk kanë diabet, sepse nivelet e tejzgjatura të glukozës në gjak, të kontrolluara rrallë, ndikojnë në muret e brendshme të arterieve. Këto rrisin acarimin e enëve, duke krijuar një ngushtësi (arterio sklerozë).
Si mund ta kuptoj nëse kam SKV?
Fazat e hershme të SKV janë të vështira për t’u diagnostikuar. Nëse enët e gjakut janë të bllokuara pjesërisht, atëherë ju mund të keni angjinë (shtrëngim të kraharorit), ose nëse keni një ngushtim të enëve të gjakut në këmbë, atëherë kjo mund t’ju shkaktojë dhimbje në këmbë kur ecni. Bëni mirë të pyesni mjekun tuaj rreth rreziqeve të SKV që mund të keni.
Si mund të ul rrezikun e SKV?
Lajmi i mirë është se ka shumë gjëra që mund të bëhen per t’ju ndihmuar të ulni rrezikun ndaj SKV.
• Sigurohuni që të kryeni një shqyrtim vjetor për diabetin, ku të kontrollohen nivelet e tensionit, yndyrnat e gjakut, dhe glukoza. Të gjitha këto kanë lidhje me shtimin e rrezikut për zhvillimin e SKV.
• Nëse pini duhan, kërkoni këshillim dhe mbështetje për të ndaluar duhanin. Doktori juaj mund t’ju shpjegoje mundësitë që keni në dispozicion.
• Aktivizohuni dhe qëndroni aktiv
• Merrni ilaçet që ju janë dhënë nga mjeku.
• Hani me dietë të shëndetshme – shumë fruta dhe perime, që janë pak të vajosura, përfshini më shumë drithëra, dhe synoni të hani peshk me yndyrë, dy herë në javë.
• Nëse jeni mbi peshë, rënia nga pesha mund të ulë gjithashtu rreziqet e SKV. Kërko që të drejtojnë tek një dietë bërës i regjistruar për më tepër informacion.

Pika të rëndësishme për t’u mbajtur mend: Për të ulur rreziqet e komplikimeve pas një periudhe afatgjatë, menaxhoni me kujdes diabetin tuaj duke:
• Mbajtur sa më shumë në nivele normale yndyrnat e gjakut, tensionin dhe kolesterolin.
• Marrë pjesë në shqyrtimin vjetor te diabetit.

**************
Të ngrënit shëndetshëm ku keni diabet   
Kur diagnostikoheni me diabet kjo do të thotë se ju mund të vazhdoni të shijoni një shumëllojshmëri ushqimesh, si pjesë të një diete të shëndetshme. Në fillim duket si një sfidë, por zgjedhja e ushqimit dhe zakonet tuaja për të ngrënë janë të rëndësishme sepse ju ndihmojnë që të menaxhoni diabetin dhe shëndetin në afate të gjata kohore. Gjithashtu ju duhet të drejtoheni tek një dietë bërës i regjistruar për informacione specifike, që u vijnë përshtat nevojave tuaja.

Dhjetë hapa për të ngrënë mirë
1. Hani tre vakte në ditë.
Evitoni shmangien e vakteve dhe lini një distancë kohë midis mëngjesit, drekës dhe darkës gjatë ditës. Kjo jo vetëm do ju ndihmojë ta mbani oreksin nën kontroll, por do ju ndihmojë të mbani nën kontroll nivelin e glukozës së gjakut.
2. Në çdo vakt përfshini ushqime me përmbajtje niseshteje dhe karbohidrate të tilla si buka, makarona, bukë fshati, patate, zhardhok, fidhe, oriz dhe drithë.  Sasia e karbohidrateve që konsumoni është e rëndësishme për të mbajtur nën kontroll nivelin e glukozës. Sidomos përpiquni të përfshini ato ushqime që treten më ngadalë (kanë një indeks të ulët të glicemisë), duke qenë se këto nuk do ndikojnë shumë në nivelin e glukozës. Zgjidhjet më të mira janë: makaronat, oriz indian i gjatë ose oriz i gatuar lehtë, bukë drithi të tilla si grunar, thekër dhe thekër e thartë, patate të reja, patate të ëmbla dhe zhardhok, qull tërshëri, musli All-Bran dhe natyrale. Shumëllojshmëria e lartë e fibrës në ushqimet me përmbajtje niseshteje do ju ndihmojë gjithashtu për të mbajtur të shëndetshme sistemin tuaj të tretjes dhe për të parandaluar probleme të tilla si kapsllëku.
3. Ulni sasinë e yndyrnave që konsumoni, sidomos në dhjamrat e lyrosura, duke qenë se një dietë me yndyrna të pakta i jep përparësi shëndetit. Zgjidhni vajra ose dhjamra jo të lyrosura, sidomos yndyrë pa dhjamra (si vaji i ullirit dhe musht rrushi) duke qenë se këto lloj yndyrnash shërbejnë më mirë për zemrën. Duke qenë se yndyra është burimi më i madh i kalorive, dukë ngrënë më pak do të bini dhe në peshën, nëse e keni të nevojshme. Për të pakësuar yndyrën që hani, si më poshtë janë disa këshilla:
• Përdorni yndyrna sa më pak të lyrosura duke konsumuar më pak gjalpë, margarinë dhe djathë.
• Zgjidhni mish dhe peshk pa dhjamë duke përdorur mundësinë e vakteve me yndyrna të pakta kundër vakteve me shumë yndyrë.
• Zgjidhni ushqime nënprodukte të qumështit që kanë pak yndyrë të tilla si qumësht i skremuar, kos me pak yndyrë ose dietik, hiqni djathin e yndyrosur dhe përdorni gjalpë me pak yndyrë.
• Përdorni skarën, zierjen, ose pjekjen në furrë në vend që të skuqni ose të gatuani ushqimet me vaj ose yndyrna të tjera.
• Kini kujdes nga salcat dhe mbushjet kremoze, duke përdorur më mirë salca me bazë domateje.
4. Hani më shumë fruta dhe perime. Vini qëllim vetes për të paktën pesë porcione në ditë, gjë që do ju pajisë me vitamina, minerale dhe fibër për t’ju ndihmuar kështu që të mbani në përgjithësi një dietë të balancuar. Një porcion është p.sh., një banane ose mollë, një grusht me rrush, një lugë gjelle frutash të thata, një gotë e vogël me lëng frutash ose të shtrydhur, tre lugë plotë me perime ose një tas me sallatë.
5. Përfshini më tepër fasule dhe thjerrëza të tilla si fasule me trajtë veshka, pllaqi, fasule të vogla, ose thjerrëza të kuqe dhe jeshile. Ato kanë më pak ndikim në nivelin e glukozës dhe mund t’ju ndihmojnë që të mbani nën kontroll yndyrnat e gjakut. Përpiquni t’i përfshini ato në gjellë, supë, apo sallatë.
6. Vijini qëllim vetes të hani të paktën dy porcione në javë peshku me yndyrë. Për shembull skumbri, sardele, salmon dhe sardele të madha. Peshqit me yndyrë përmbajnë një lloj yndyre shumë të pangopur të quajtur omega 3, e cila ju mbron nga sëmundjet e zemrës.
7. Kufizoni sheqerin dhe ushqimet e sheqerosura. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të hani një dietë pa sheqer në të. Sheqeri mund të përdoret në ushqime dhe në gatime furre si pjesë e një diete të shëndetshme. Duke përdorur pije/shtrydhje pa sheqer ose pa sheqer të shtuar, në vend të versioneve të sheqerosura, ju do keni mundësinë që të hiqni kollaj sheqerin nga dieta juaj..
8. Ulni kripën në dietën tuaj në 6 gramë ose më pak, çdo ditë – më shumë se kaq mund të rrisë tensionin, gjë e cila sjell trompozë dhe sëmundje zemre. Kufizoni sasinë e ushqimeve të ambalazhuara (sepse zakonisht ato kanë një sasi të madhe kripe) dhe përpiquni të hidhni erëza dhe lëndë djegëse në vend të kripës.
9. Pini alkool me masë të caktuar – kjo do të thotë një maksimum prej 2 njësi alkooli në ditë për një grua dhe tre njësi për burrat. Për shembull, një teke alkooli (25 ml) është gati një njësi, ose gjysmë gote e madhe birre, mushti ose vere ka 1 deri 1½ njësi. Gjatë viteve përmbajtja e alkoolit në pjesën më të madhe të pijeve alkoolike është rritur. Tani një pije mund të pëmbajë më shumë njësi se ç’mund të mendoni – një gotë vere e vogël (175 ml) mund të përmbajë gati 2 njësi. Kini parasysh që alkooli përmban kalori boshe, kështu që mendoni ta ulni më tepër nëse po përpiqeni të bini në peshë. Asnjëherë mos pini me stomakun bosh, sepse alkooli mund t’ju shkaktojë hipoglicemi (nivel i ulët i glukozës së gjakut) sidomos kur jeni duke marrë ilaçe ndaj diabetit.
10. Mos përdorni ushqime dhe pije diabetike. Ato nuk afrojnë asnjë përfitim ndaj diabetit tuaj, por do të ndikojnë në nivelet e glukozës, sepse përmbajnë të njëjtën sasi yndyrnash dhe kalorish ashtu si dhe versioni normal. Ato mund t’ju japin gjendjen laksative dhe janë të shtrenjta.

**************
Hipoglicemia  
Hipoglicemia, ose hipo, është një term mjekësor që përdoret kur niveli i glukozës në gjak është më i ulët se 4 mmol/l. Ky nivel është shumë i ulët për të siguruar energji të mjaftueshme për aktivitetet e trupit tuaj. Hipo mund të ndodhë kur ju po trajtoheni me insulinë ose me disa lloj ilaçesh të tjera për diabetin. Pavarësisht sa shumë mund të dini për diabetin, apo sa i kujdesshëm mund të jeni, nëse diabeti juaj trajtohet me disa lloj ilaçesh, atëherë ka shumë mundësi që të përjetoni forma të hipos.

Çfarë e shkakton hipon?
• Shumë insulinë / shumë tableta
• Ngrënia me vonesë ose mosngrënia e vakteve apo i snekëve
• Ushqime të pamjaftueshme, sidomos karbohidrate
• Aktivitete të paplanifikuara, ose sfilitëse
• Konsumimi i tepërt i alkoolit, ose konsumimi i tij pa ushqim
• Ndonjëherë nuk ka ndonjë shkak të dukshëm

Njohja dhe trajtimi i hipos
Shenja të një hipoje të lehtë
Shumë njerëz kanë shenja paralajmëruese, kur niveli i glukozës po bie, përfshirë këtu:
• Ndihen të uritur
• dridhen dhe lëkunden
• Djersisin
• ankth dhe irritim
• Zverdhen
• puls ose rrahje zemre të shpejta
• Pickim i buzës
• shikim i turbullt

Shenja të një hipoje më të rëndë
• Vështirësi në përqëndrim
• Turbullirë dhe konfuzion
• Irritim ose sjellje irrituese

Trajtime të menjëhershme
Në momentin që keni vënë re shenjat paralajmëruese të hipos, veproni menjëherë ndryshe gjendja do të bëhet më e rënde, dhe mund të humbni ndenjat ose të kaloni krizë. Menjëherë veproni duke përdorur një nga trajtimet si më poshtë:
• Një gotë Lucozade ose një lëng jo dietik
• tre tableta glukoze ose më shumë
• pesë karamele, p.sh. xhelatinë
• një gotë lëngu frutash (masa e saktë ndryshon nga personi në person dhe varet nga kushtet gjithashtu) Nëse hipoja juaj është më serioze dhe ju nuk jeni në gjendje të kujdeseni për veten, mund t’ju ndihmojë dikush tjetër:
• Nëse jeni i ndërgjegjshëm, t’ju vendosë GlucoGel ose melasë, reçel ose mjaltë, brenda faqeve dhe të masazhojë butësisht pjesën e jashtme të tyre
• Nëse jeni pa ndjenja, të bëjë një injeksion me Glucagon kur ky person është trajnuar për të bërë diçka të tillë. Në të kundërt personat që janë me ju duhet të thërrasin ambulancën.

Shënim: Nëse nuk jeni një gjendje të përtypeni ose jeni pa ndenja, atëherë s’duhet të merrni asgjë nëpërmjet gojës (përfshirë këtu dhe GlucoGel, melasë, reçel apo mjaltë). Sigurohuni që familja dhe miqtë tuaj të jenë në dijeni për këtë.  Nëse jeni pa ndjenja, ju duhet të vendoseni në pozicionin e marrjes së vetes (vendosur në njërin krah me kokën të anuar mbrapa) në mënyrë që gjuha të mos ju bllokojë fytin.

Ndiqni më tej trajtimin Për të parandaluar rënien përsëri të glukozës, ju duhet t’i shoqëroni ushqimet e sheqerosura me snek që ka përmbajtje niseshteje dhe karbohidrate.
• Sanduiç
• Fruta
• Një tas me dridhëra
• Biskota dhe qumësht
• Vaktin tjetër nëse i ka ardhur ora

Hipoja gjatë natës
Nëse hipoja ndodh gjatë natës, ka shumë pak gjasa që ju të dëmtoheni. Hipoja mund t’ju zgjojë, por nëse nuk ju zgjon, ka mundësi që kur të zgjoheni të ndiheni shumë i lodhur, me dhimbje koke ose me një ndenjë sikur keni pirë një natë më parë. Nëse jeni i shqetësuar për hipon gjatë natës, atëherë gjatë orës 2 dhe 3 të mëngjesit kontrolloni nivelin e glukozës, sepse në këtë orë janë shanset më të mëdha që të keni hipo. Ose mund të merrni një snek, të tillë si biskota me qumësht, gjysmë sanduiçi, fruta ose kos.
Hipo dhe aktiviteti fizik
Aktiviteti fizik ndihmon në rënien e nivelit të glukozës, kështu që është e rëndësishme që më parë të hani disa forma karbohidratesh, dhe mundësisht edhe gjatë dhe pas aktivitetit nëse është i lodhshëm dhe zgjat shumë. Hipoja mund të ndodhë dhe pas 36 orësh nga kryerja e një aktiviteti fizik të gjatë dhe të lodhshëm, kështu që ju mund të keni nevojë të përshtasni marrjen e ilaçeve ose të karbohidrateve.
Hipo dhe ngarja e makinës
Gjithmonë testoni nivelin e glukozës përpara se të ngisni makinën. Nëse ndiheni se do të kaloni një hipo, parkoni, ndalojeni makinën dhe hiqni çelësat nga starteri. Lëreni sediljen e shoferit dhe trajtoni hipon në mënyrën e zakonshme. Mos filloni t’i jepni makinës përsëri, derisa të jeni i sigurtë që glukoza ka ardhur në nivelet normale.
Hipo dhe alkooli
Pirja e shumtë e alkoolit ose pirja me stomakun bosh, ka shumë të ngjarë të shkaktojë hipo. Shenjat e hipos janë shumë të ngjashme me ato të të qenurit i dehur. Gjithnjë merrni diçka për të ngrënë, nëse po pini alkool. Thuajuni personave që ju shoqërojnë lidhur me diabetin tuaj dhe çfarë të bëjnë nëse do të keni nevojë për të trajtuar hipon.
 Pika të rëndësishme për të mbajtur mend:
• Gjithnjë mbani diçka të sheqerosur për raste urgjente
• Mbani një dokument identifikimi mjekësor
• Tregojuni miqve apo familjes suaj çfarë shenjash keni kur po kaloni një hipo dhe si ta trajtojnë atë, duke qenë se ju ndoshta s’mund të jeni në gjendje për të menduar qartë kur niveli i glukozës është i ulët.
• Nëse i humbisni ndjenjat gjatë një hipoje, trupi juaj rrjedhimisht do të lëshojë glukozën e depozituar në gjak dhe ju do ta merrni veten.
• Ju mund të dalloni shenjat paralajmëruese të hipos, por ato mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, kështu që përgatituni për të kontrolluar nivelet e glukozës nëse po përjetoni simptoma të pazakonta.

************

Sëmundjet e veshkave dhe diabeti  
Sëmundjet e veshkave janë një nga komplikimet që vijnë si rezultat i diabetit, pas një kohe të gjatë. Aktualisht tek një e treta e njerëzve që vuajnë nga diabeti mund të zhvillohen dhe sëmundjet e veshkave. Kjo fletë informuese shpjegon se si diabeti mund të ndikojë tek veshkat, duke përfshirë një informacion të përgjithshëm për veshkat, sëmundjet e veshkave, simptomat dhe trajtimin e tyre. Gjithashtu do të shpjegojë sesi njerëzit me diabet mund të parandalojnë dëmtimin e veshkave.

Veshkat
Veshkat janë organe të rëndësishme që shërbejnë si kullues për të filtruar dhe pastruar gjakun dhe për të eliminuar mbetjet dhe lëngjet e tepërta, duke urinuar. Ato rregullojnë sasinë e lëngjeve dhe të kripërave të ndryshme të trupit, duke ndihmuar për të kontrolluar tensionin e gjakut. Ato shërbejnë gjithashtu për të lëshuar hormone dhe vitaminën D, e cila kontrollon tretjen e kalciumit në kocka.
Çfarë është sëmundja e veshkave?
Sëmundja e veshkave ndodh kur veshkat nuk funksionojnë më. Çdo veshkë përmban rreth një milion enë gjaku të vogla të quajtura nefrone. Sëmundja e veshkave shkaktohet nga dëmtimi i këtyre enëve të gjakut. Ky dëmtim mund të shkaktojë rrjedhjen e këtyre enëve, ose në disa raste, mund të ndalojnë së punuari, duke bërë që veshka të mos funksionojë mirë. Sëmundja e veshkave mund të jetë një gjendje serioze, prandaj është e rëndësishme që të zbulohet sa më shpejt që është e mundur. Kjo sëmundje ndodh te kushdo, por ka shumë mundësi të ndodhë tek njerëzit që kanë: diabet, tension të lartë, që kanë origjina nga njerëz të zinj ose nga ata aziatiko jugorë. Dëmtimi i veshkave nga diabeti quhet nefropati diabetike.
Pse ndodh që njerëzit që vuajnë nga diabeti rrezikojnë më shumë të kenë sëmundje veshkash?
Nëse diabeti nuk menaxhohet siç duhet, nivelet e larta të glukozës në gjak mund të dëmtojnë enët e gjakut në veshka duke shkaktuar kështu rrjedhjen e tyre, ndërsa tensioni i lartë i gjakut në enët e gjakut i bën ato të paafta për të filtruar mbetjet. Sëmundja e veshkave nga diabeti zhvillohet shumë ngadalë, pas shumë vitesh dhe ndodh më shpesh tek njerëz që vuajnë nga diabeti prej 20 vjetësh. Tek rreth një e treta e njerëzve me diabet mund të zhvillohen edhe sëmundjet e veshkave. Megjithatë, ndërsa monitorimi dhe trajtimi i tyre është përmirësuar dhe kjo gjendje është menaxhuar më me efikasitet, shumë më pak njerëz preken sot, në krahasim me të kaluarën.
Si mund të ulim rrezikun e sëmundjes së veshkave 1
Mbani nën kontroll nivelin e glukozës në gjak, tensionin dhe yndyrnat e gjakut (kolesteroli). Qëllimet që i keni vënë vetes duhet t’i konsultoni me doktorin tuaj. 2
Ndiqni të njëjtin plan të shëndetshëm për të ngrënë siç i rekomandohet gjithkujt tjetër – ushqime me pak yndyrë, kripë dhe sheqer, duke përfshirë më tepër fruta dhe perime. 3Kryeni rregullisht aktivitete fizike. 4
Merrni ilaçe sipas rekomandimit të recetës. Nëse kjo recetë nuk është e përshtatshme për ju, konsultohuni me doktorin sa më shpejt. 5
Nëse monitoroni glukozën në shtëpi, kontrollojeni atë rregullisht dhe veproni bazuar në atë çka keni zbuluar. Nëse nivelet janë më të larta se normalisht përpiqu të kuptosh arsyen pse. Nëse nuk jeni i sigurtë diskutoni me doktorin tuaj se ç’mund të bëni.
Ndaloni duhanin. Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrnat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to.
Si mund të kontrollojë doktori nëse kam sëmundje veshkash?
Çdo njeri me diabet duhet të ketë të paktën një herë në vit një vizitë të përgjithshme, duke përfshirë këtu dhe analizë urine për proteinë. Kjo gjë mund t’ju kërkohet ta bëni më shumë se një herë në vit. Doktori gjithashtu duhet t’ju bëjë një analizë gjaku për të vlerësuar se sa mirë funksionojnë veshkat tuaja.
Simptomat e sëmundjes së veshkave
Kur sëmundja e veshkave është në fazat e para, ju nuk ndjeni gjë, prandaj kontrolli mjekësor njëherë në vit është i rëndësishëm. Shenjat e para që mund të përjetoni janë fryrjet, sidomos në këmbë dhe kyça për shkak se sëmundja e veshkave shkakton ndryshime në tension dhe në balancimin e lëngjeve trupore. Nëse kjo sëmundje zbulohet në fazat e para dhe trajtohet menjëherë, shumë nga këto simptoma nuk do të zhvillohen. Nëse degjenerimi i funksionit të veshkave nuk kapet në kohë, atëherë këto janë simptomat që mund të shfaqen: dalje më shpesh ose më rrallë të urinës, lodhje, lëkurë e irrituar, përzierje dhe vjellje.
Trajtimi i sëmundjeve të diagnostikuara të veshkave
Ka shumë mënyra për të trajtuar sëmundjet e veshkave, nëse veshkat nuk arrijnë të funksionojnë siç duhet. Doktori duhet të diskutojë më parë me ju se çfarëdolloj trajtimi ka ndër mend t’ju rekomandojë, për t’ju shpjeguar çfarë do të ndodhë dhe se si ky trajtim do ju ndihmojë. Gjithashtu doktori mund t’ju sugjerojë se keni nevojë të:
• Kufizoni lëngjet, kripën dhe disa lloj ushqimesh në dietën tuaj. Nëse ky është rasti juaj, atëherë duhet të merrni këshilla të detajuara nga një diet bërës i regjistruar.
• Merrni me recetë tableta diuritike (ujë) për të ndihmuar veshkat tuaja që të eliminojnë lëngjet e tepërta. Nëse veshkat janë dëmtuar, filtrimi dhe pastrimi i gjakut nuk mund të bëhet si normalisht. Në disa raste, është e nevojshme që dializa të bëjë këtë punë për veshkat. Ka disa lloje dialize dhe doktori mund të diskutojë me ju se çfarë është më e mira për ju. Ndërsa sëmundja e veshkave zhvillohet, dhe dializa nuk po funksionon mirë, ateherë doktorët mund të afrojnë një alternative tjetër për njerëzit që kanë veshka mosfunksionale, duke bërë transplant veshke. Megjithatë, vendimi për transplant varet nga sa ka ndikuar diabeti në pjesë të tjera të trupit dhe sidomos tek zemra e enë të tjera gjaku.
 Pika të rëndësishme për t’u mbajtur mend:
Për të ulur rreziqet e komplikimeve si rezultat i diabetit afatgjatë, menaxhoni me kujdes diabetin tuaj duke:
• Mbajtur në nivele normale yndyrnat e gjakut, tensionin dhe kolesterolin.
• Ndiqni këshillat e dhëna nga doktori juaj
• Shkoni në të gjitha takimet që lidhen me gjendjen tuaj Shëndetësore

************

Mitet që duhen rrëzuar për diabetin

Të dini fakte rreth diabetit është e rëndësishme kur vjen puna për të menaxhuar këtë gjendje shëndetësore. Ka shumë informacione të disponueshme, por jo gjithçka është e vërtetë. Shpesh herë është e vështirë të dini çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është. Kjo fletë informuese ka për synim t’ju ndihmojë të shuajë disa nga mitet më të zakonshme rreth diabetit – le të shohim disa prej tyre…

Mit: Diabeti Tip 2 është një formë e lehtë diabeti…
Nuk ekziston një diabet i lehtë. Të gjithë format e diabetit janë serioze dhe nëse nuk kontrollohen siç duhen, mund të çojnë në komplikime serioze.

Mit: Njerëzit që kanë diabet s’mund të hanë sheqer…
Kur ke diabet nuk do të thotë që dieta juaj duhet të jetë pa sheqer. Njerëzit me diabet duhet të ndjekin një dietë të balancuar dhe të shëndetshme – që do të thotë pak yndyrna, kripë dhe sheqer. Ju ende mund të shijoni ushqime të ndryshme, duke përfshirë këtu dhe sheqer.

Mit: Njerëzit që kanë diabet duhet të hanë ushqim ‘diabetik’….
Etiketa ‘Diabetik’ ka si tendencë të përdoret në ëmbëlsira, biskota dhe ushqime të ngjashme, që zakonisht kanë sasi të lartë yndyre, sidomos yndyrna të ngopura dhe kalori. Shoqata Diabeti në Britani nuk ju rekomandon të hani ushqime ‘diabetike’, duke përfshirë këtu çokollatat diabetike, sepse ato ndikojnë në nivelin e glukozës, janë të shtrenjta dhe mund t’ju shkaktojnë diare. Kështu që, nëse doni t’i jepni vetes diçka të veçantë, përdorni gjëra të vërteta.

Mit: Njerëzit që kanë diabet verbohen me kalimin e kohës

Megjithëse diabeti është shkaku kryesor i verbërisë tek njerëzit që janë në moshë pune në Britani, kërkimet kanë vërtetuar që ju mund të ulni shanset e zhvillimit të komplikimeve si rrjedhojë e diabetit – të tilla si dëmtimi i syve – nëse:
• Kontrolloni nivelet e tensionit, glukozës dhe yndyrnave të gjakut
• Qëndroni aktiv
• Mbani peshën trupore ideale
• E lini duhanin
 Mit: Nuk është e sigurtë të ngasësh makinën kur ke diabet
Duke marrë si të mirëqenë se ju jeni i përgjegjshëm dhe e keni nën kontroll diabetin, kërkimet kanë treguar se njerëzit me diabet nuk janë më pak të sigurtë se të tjerët kur janë në rrugë. Megjithatë, miti që njerëzit me diabet nuk janë të sigurtë ende vazhdon, dhe shoqata Diabeti në Britani aktualisht ka ndërmarrë një fushatë kundër ligjit që ndalon njerëzit, që po trajtojnë diabetin e tyre me insulinë, për të mos ngarë disa lloj automjetësh.
Mit: Njerëzit që kanë diabet s’mund të luajnë lojra sportive
Njerëzit që kanë diabet nxiten që të bëjnë ushtrime si pjese e mënyrës së shëndetshme të jetesës. Të qëndruarit aktiv mund t’ju ndihmojë të ulni rrezikun e komplikimeve që shoqërojnë diabetin, të tilla si sëmundjet e zemrës. Steve Redgrave, fitues i medaljes së artë si rremues, ka realizuar arritje të mëdha pavarësisht se kishte diabet. Megjithatë, duhen të merren në konsideratë disa gjëra para se të nisni një program të ri ushtrimesh. Flisni me doktorin për më
Mit: Njerëzit që kanë diabet kanë më tepër shanse për të marrë të ftohtë dhe sëmundje të tjera…
Nuk është e vërtetë. Nuk ka më shumë të ngjarë që të merrni të ftohtë apo sëmundje të tjera kur keni diabet. Megjithatë, njerëzit me diabet këshillohen të marrin injeksione antigrip. Kjo kryhet për arsye se kur ka infeksione apo sëmundje të tjera, ato ndërhyjnë në kontrollin e glukozës, duke krijuar rrezikun e rritjes së nivelit të glukozës, dhe për ata që janë me diabet të Tipit 1, rrisin edhe rrezikun për të pasur ketoacidozë.
Mit: Të kesh diabet do të thotë që s’mund të bësh disa lloj punësh…
Të kesh diabet nuk të ndalon për të punuar. Megjithatë, pavarësisht nga Ligji kundër Diskriminimit ndaj të Paaftëve, njerëzit që kanë diabet ende përballen me paragjykime në disa vende pune, përfshirë këtu edhe ushtrinë. Shoqata Diabeti në Britani (Diabetes UK) po bën fushatë për të larguar këto paragjykime diskriminuese.
Mit: Njerëzit që kanë diabet s’mund të veshin çorape fluturimi
Shumë çorape fluturimi kanë në etikët parajmërimin se nuk janë të përshtatshme për njerëz që kanë diabet. Nëse keni probleme me qarkullimin e gjakut ose komplikime në këmbët, të tilla si ulçerat, atëherë flisni me patologun përpara se t’i përdorni. Megjithatë nëse këmbët dhe shputat i keni të shëndetshme dhe zakonisht jeni aktivë, atëherë ka shumë mundësi që çorapet e fluturimit mos t’ju dëmtojnë.
Mit: Njerëzit që kanë diabet s’mund të hanë rrush, mango apo banane…

Njerëzit shpesh mendojnë se nëse kanë diabet ata s’mund të hanë rrush dhe banane se janë të ëmbla. Por nëse ju mbani një dietë e cila përfshin këto fruta, ju mund të arrini rezultate të mira në kontrollimin e nivelit të glukozës. Në fakt, rrushi dhe bananet, si të gjitha frutat e tjera, janë një zgjedhje shumë e shëndetshme. Frutat kanë sasi të mëdha fibre, pak yndyrë dhe plot vitamina dhe minerale. Ato ju ndihmojnë të mbroheni nga sëmundet e zemrës, kanceri dhe nga disa probleme me stomakun.
Mit: Njerëzit që kanë diabet nuk mund të presin thonjtë e këmbëve…
Nuk është e vërtetë. Këshilla e përgjithshme për prerjen e thonjve është e njëjtë për këdo. Nëse keni diabet ju duhet t’i mbani thonjtë e pastër duke i prerë sipas formës së gishtave. Mos i prisni drejtë mes për mes, ose shumë të shkurtër. Kini parasysh, thonjtë tuaj ekzistojnë për të mbrojtur gishtat. Gjëja më e sigurtë është t’i preni lehtë me një palë thonjëprerës dhe të përdorni zmerilin për të holluar anët. Nëse e keni të vështirë për t’u kujdesur për thonjtë tuaj, atëherë kërkoni ndihmë nga ortopedisti.

***************
Shtatzënia dhe Diabeti  

Ky informacion ofron udhëzime për gra me diabetin Tipi 1 ose Tipi 2, të cilat mund të jenë shtatzëna ose duke bluar mundësinë e saj. Faktorë të domosdoshëm për t’u marrë parasysh janë planifikimi i kujdesshëm, përkushtimi dhe kontrolli i rreptë i glukozës së gjakut përpara, gjatë dhe pas shtatzënisë.

Planifikimi i shtatzënisë
Sapo filloni të planifikoni shtatzëninë ose kujtoni që keni ngelur shtatzënë, ka rëndësi të kontaktoni grupin tuaj të shëndetësisë së diabetit. Nëse HbA1c juaj (kontrolli i glukozës së gjakut gjatë dy-tre muajve të mëparshëm) është mbi 10 përqind do t’ju këshillojnë të mos ngeleni shtatzënë sepse nivelet e larta të glukozës së gjakut mund të çojnë në probleme për shëndetin tuaj si dhe të foshnjës suaj në zhvillim. Ka rëndësi të kontrolloni rreptësisht diabetin para se të ngjizni si dhe gjatë gjithë shtatzënisë që të ulen rreziqet e diabetit në shtatzëni. Nëse niveli i glukozës së gjakut tuaj është i lartë, foshnja juaj ka rrezik të lindë me deformime të zemrës dhe të palcës së kurrizit, këto mund të zmadhohen së tepërmi duke bërë të pamundur një lindje të natyrshme dhe duke detyruar një induksion ose prerje çezariane. Madje janë më të larta edhe rreziqet e dështimit ose të lindjes së frytit të vdekur.

Trajtimi para dhe pas shtatzënisë
Do t’ju japin recetë për acid folik, një vitaminë e cila mund të pihet si kokërr. Kjo duhet të pihet që nga dita kur planifikoni të ngeleni shtatzënë, ose zbuloni që jeni shtatzënë, deri në fund të javës 12 të shtatzënisë. Kjo bëhet për të mbrojtur foshnjën tuaj në zhvillim nga deformimet e palcës së kurrizit. Nëse po pini kokrra të caktuara për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut, kolesterolit ose diabetit Tipi 2, doktori juaj duhet t’i ndryshojë ato. Mund t’ju japë insulinë, vetëm gjatë kohës që jeni shtatzënë. Nëse nuk ju janë kontrolluar sytë (kontrolli i retinës) gjatë 12 muajve të fundit, atëherë kërkoni një takim për këtë. Ka rëndësi të siguroheni nëse keni dëmtim (retinopatia) në mënyrë të trajtohet, sepse shtatzënia mund ta keqësojë. Ashtu si me të gjitha shtatzënitë rekomandojmë që të pushoni së piri duhan nëse e pini. Nëse pini pije alkoolike, atëherë ta pini vetëm shumë pak.

Gjatë shtatzënisë
Shtatzënia zgjatet rreth 40 javë dhe mund të dëgjoni grupin tuaj shëndetësor të bëjë fjalë për trimestrat. Kjo është thjesht një mënyrë për të ndarë në tri pjesë kohën e shtatzënisë suaj. Gjatë stadeve të ndryshme do t’ju duhen prova të ndryshme për të kontrolluar zhvillimin e foshnjës. Duhet të keni një grup shëndetësor të përkushtuar për t’ju mbështetur. Përveç doktorit dhe infermieres suaj të zakonshme, ndoshta do të shihni një obstetër (specialist për shtatzënitë), dietist specialist, mami specialiste për diabetin dhe psikolog. Ju dhe burri juaj (nëse e dëshironi) duhet të përfshiheni si anëtarë të grupit, të përfshiheni në vendime për përkujdesjen tuaj si dhe t’ju ofrohet mundësia të bëni zgjedhje. Këta specialistë nuk janë gjithmonë në gjendje të bashkohen për t’ju takuar në një klinikë të bashkuar, por ka rëndësi që të përpiqeni të respektoni të gjitha takimet që ju japin, ose përndryshe t’ia bëni të ditur dikujt nëse nuk mund të merrni pjesë, në mënyrë që një takim tjetër të lihet. INFORMACION

Rutina e përditshme
Ka shumë rëndësi të kontrolloni nivelin e glukozës së gjakut sa të zgjoheni në mëngjes dhe një orë pas vakteve (si dhe para orës së gjumit nëse trajtoheni me insulinë). Nëse nuk arrini dot të rrini në nivelin e synuar të glukozës së gjakut atëherë duhet t’ia tregoni infermieres ose doktorit sepse mjekimi juaj ndoshta duhet të ndryshohet teksa rritet e zhvillohet foshnja juaj. Nëse keni diabetin Tipi 1 duhet t’ju mësojnë si të bëni provë për praninë e ketonave nëse niveli i glukozës së gjakut është i lartë. Ketonat janë një nënprodukt acidik i prodhuar nga trupi kur shpërbën yndyrnat e ruajtura që t’i përdorë për energji. Madje duhet t’ju tregojnë ose ju ose një shoku/familjari mënyrën se si të mjekoni hipogliçeminë (nivel i ulët i glukozës në gjak) duke përfshirë përdorjen e injeksionit Glucagon. Nëse hani shëndetshëm dhe arrini dalngadalë të kaloni të paktën një gjysmë ore me aktivitet fizik (si p.sh. të ecni shpejt) çdo ditë pesë ditë në javë, kjo do të ndihmojë t’ju mbajë në shëndet si dhe të mbajë nën kontroll glukozën e gjakut. Mos nisni asnjë aktivitet të ri gjatë shtatzënisë pa biseduar për të më përpara me grupin tuaj të shëndetësisë.

Lindja
Meqë keni diabet doktori juaj mund të sugjerojë që ta lindni foshnjën para se të mbushet afati 40-javor, zakonisht pas 38 javësh. Kjo do të varet nga ajo se sa mirë po rritet foshnja juaj, nga shëndeti juaj si dhe nga kontrolli i diabetit. Mund t’ju ofrojnë induksion ose një prerje çezariane. Nuk duhet marrë asnjë vendim pa njohurinë dhe pëlqimin tuaj.

Foshnja juaj
Nuk është e domosdoshme që foshnja juaj të kalojë në Njësinë e Përkujdesjes Speciale të Foshnjave thjesht ngaqë keni diabet. Nëse foshnja juaj është mirë atëherë duhet të lejohet të rrijë bashkë me ju sepse kjo ndihmon përforcimin e lidhjeve prindërore-fëminore.

Ushqimi i foshnjës
Qumështi i gjirit është forma më e mirë e ushqimit për foshnjën dhe është më e mirë që ju të përpiqeni ta ushqeni sa më parë, brenda 30 minutash pas lindjes. Kjo ndihmon në parandalimin e uljes së glukozës së gjakut të foshnjës, madje kontakti midis lëkurave do ta mbajë të ngrohtë. Gjatë kohës që i jepni gji foshnjës duhet të tregoheni të kujdesshme për ilaçet që pini. Kujtoni që ushqimi me gji do t’ju heqë shumë vlera ushqimore; që të parandaloni një ‘hipo’ duhet të hani një zemër me shumë niseshte dhe të mbani afër trajtimin e hipos. Nëse nuk jeni në gjendje ta ushqeni foshnjën me gji, ose zgjidhni të mos e bëni, bisedoni me doktorin ose maminë për opcionet në dispozicionin tuaj.

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment