Si zgjidhet kriza

Nga Gjergji Kajana

Duke e thënë qartë, aspak papritur, se nuk do të ketë as shtyrje të zgjedhjeve të 28 qershorit e as qeveri teknike, Rama e zhvendos planin e zgjidhjes së krizës politike tek dialogu dypalësh qeveri-opozitë. Vetëvrasja e PD-së në rrugën e mospranimit të demokracisë funksionale nuk mund të çojë në vetëvrasjen e institucioneve të zgjedhura shqiptare.

Demokracia funksionale presupozon njohje të institucioneve të zgjedhura dhe dialog e kompromise mes tyre, aspak ultimatume të një pakice ndaj këtyre. Pranimi i ultimatumeve të PD-së do të hapte precedent për shkatërrimin e çdo procesi demokratik në vend, duke justifikuar ndryshime qeverish e shtyrje ose mosmbajtje zgjedhjesh në tavolinë. Nuk kihet dyshim as se Presidenti i Republikës në zemër tifon opozitën (ka folur për qeveri me prirje autoritare e dje përmendi një polici të politizuar) por është në pamundësi të pengojë dekretimin e ministrave të rinj të qeverisë, e cila është hedhur në fushatë elektorale edhe me kryebashkiakun e Tiranës Veliaj. Presidenti nuk ka asnjë mjet ligjor demokratik të ndihmojë njërën palë kundër tjetrës në krizën e çadrës. Presidenti i Republikës mund dhe duhet të luajë një rol të dobishëm: të thërrasë palët politike në dialog mes tyre.

PD nuk do të mund ta hidhte dot poshtë me lehtësi një ftesë publike të Nishanit për dialog të menjëhershëm fizik qeveri-opozitë.

Bamir Topi ishte një kryetar shteti më pak aktiv sesa paraardhësi Moisiu, por më aktiv se Nishani e më i ndërgjegjshëm se ky për rëndësinë e dialogut shumicë-opozitë. Në Shqipëri ky dialog pak herë ka prodhuar zgjidhje pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Topi, gjithsesi, në fillim të 2010-s organizoi një tryezë takimi Berisha-Rama, në muajt e parë të krizës së kutive të votimit të 2009-s.

Ai dialog, ashtu si dialogu pasardhësi i tij tek restorant “Krokodili” pak muaj më vonë, nuk prodhoi zgjidhje. Ishte veçse tregues se kreu i shtetit, në atë rast, e kishte të qartë rëndësinë e bisedimeve dypalëshe mes palëve në krizë. Kushtetuta nuk e shkruan shprehimisht se kreu i shtetit thërret palët në konflikt në kriza politike por kjo është ajo që duhet të ndodhë zakonisht në çdo demokraci, sado shumë të papërkryer si kjo e jona. Kryeministri shpalli gatishmërinë për dialog jashtë ultimatumeve.

Askush nuk garanton një sukses të dialogut të mundshëm, por përse të mos investohet Nishani për një takim trepalësh Rama-Basha-Meta (e mbase katërpalësh: mund të kërkojë një vend edhe Berisha…) për diskutimin e problematikave zgjedhore?

Një tjetër mënyrë efikase për zgjidhjen e krizës është angazhimi i fortë i ndërkombëtarëve. Ata e kanë bërë të qartë se vendi i opozitës është në Parlament por mund të garantojnë angazhimin për vëzhgues shtesë në zgjedhje që mund t’i shtohen atyre të OSBE-së.

Qëllimi final i çdo zgjidhjeje është që PD të marrë pjesë në zgjedhje. Pa partinë kryesore të opozitës zgjedhjet e institucionet e dala prej tyre janë me cen demokratik pjesëmarrjeje sepse lënë jashtë përfaqësimit një pjesë shumë të madhe votuesish potencialë (gjithnjë kjo në eventualitetin që votuesit e PD-së të bojkotojnë kutitë nëse partia i fton ta bëjnë).

Mospjesëmarrja e PD-së, e cila ka një elektorat shumë të konsiderueshëm (megjithëse prej vitesh minoritar përballë të majtëve), është tregues i pagabueshëm se kjo parti do të rrijë përherë në rrugë e jashtë institucioneve. Asnjë mjet demokratik nuk duhet lënë pa u tentuar për t’i bindur demokratët të pranojnë demokracinë e të marrin pjesë në zgjedhje.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment