Shqipëri-Izrael, 2 mijë forca policie në terren: Tifozët të jenë 4 orë para në stadium

Policia ka dyfishuar numrin e uniformave blu që janë angazhuar për sigurinë e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit, që luhet ditën e shtunë në Elbasan Arena.

Policia njofton se janë rreth 2 mijë efektivë që përfshijnë repartin e forcave speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Drejtorinë e Policisë Rrugore, Drejtorinë e Antiterrori, Forca të Posaçme Operacionale dhe Drejtoritë e Policisë së Tiranë dhe Elbasanit.

Blindohet Tirana- Masat  kanë filluar të  zbatohen që prej mbrëmjes së djeshme me mbërritjen e Ekipit të Futbollit të Izraelit në Rinas, ku është bërë shoqërimi pa asnjë problem  nga Rinasi në Hotel “Plaza”.

Edhe Garda ruan hotelin ku akomodohet ekipi izraelit – “Strukturat e Policisë së  Shtetit në bashkëpunim  me Gardën e Republikës kanë marrë masa sigurie  në hotelin ku është akomoduar skuadra  deri në largimin e saj  nga Shqipëria” informon policia.

Masa për shoqërimin nesër në Elbasan- Gjithashtu nga strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë masa për shoqërimin e ekipit të Izraelit për në stadiumin “Elbasan Arena” dhe anasjelltas gjatë datës 11 dhe 12 Nëntor.

FNSH kontroll fizik tifozëve– Kontrollet si dhe garantimi i sigurisë  në ambientet e brendshme të stadiumit do realizohen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga F.N.SH.

Në portat e hyrjes për në stadium do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje të F.N.SH-së.

Tifozët të jenë 4 orë para në stadium- Tifozët që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten 4 orë përpara  fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe konfuzionit  gjatë check in-it të biletës.

Tifozët gjatë hyrjes në stadium  do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm.

Mos merrni flakadanë-  Nuk do të lejohen të mbajnë me vete gjatë hyrjes për në stadium, monedha metalike, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe uji me tapë, si dhe çadra,  por vetëm  mbulesa prej plastmasi në rast shiu.

Asnjë parullë raciste – Nuk do  lejohen të futen në stadium banderola me parulla raciste dhe politike.

Kufizohet parkimi e mbyllen lokalet –  Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen.

Si dhe do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të aktivitetit.

Bllokohet tuneli– Më datat 11 dhe  12 Nëntor do të këtë kufizime  të shpeshta të  lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit.

Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve  të realizohet nga Durrësi.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e këtyre masave, si dhe të tifozërisë për të zbatuar  udhëzimet e dhëna nga  Policia.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment