Qeveria do të vazhdojë edhe këtë vit traditën e shpërndarjes së shpërblimeve për festat e fundvitit. Lajmi i mirë është dhënë nga Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit, ku thuhet se “për këtë vit, 80 mijë familje me ndihmë ekonomike do të përfitojnë shpërblime për festat e fundvitit”.

Gazeta Panorama shkruan se Ministria e Financave nuk ka përcaktuar ende fondin dhe nuk ka nisur përllogaritjet për masën e shpërblimit, por burime pranë këtij institucioni thanë se prioritet i skemës së shpërblimeve të fundvitit do të jenë edhe pensionistët. Vjet, me vendimin e posaçëm, familjet me ndihmë ekonomike përfituan 2 mijë lekë deri në 3 mijë lekë shpërblim, ndërsa pensionistët kryefamiljarë, ata që marrin pension pleqërie dhe pension fshati, përfituan 6 mijë lekë shpërblim.

Familjet me ndihmë ekonomike

Sipas vendimit të posaçëm që qeveria nxjerr për shpërblimet e fundvitit, përfitues të shpërblimit do të jenë 80 mijë familje me ndihmë ekonomike. Vjet vendimi i posaçëm për shpërblimet u mor më 16 dhjetor nga qeveria. Familjet me ndihmë ekonomike përfituan 2 deri në 3 mijë lekë shpërblim. Nga paketa e solidaritetit përfituan edhe 68 mijë kategori të veçanta në statusin e personave me aftësi të kufizuara dhe 3595 persona që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake. Vlera e shpërblimit për këto kategori varioi 2,5 mijë lekë deri në 3 mijë lekë. Ndërsa efektet financiare për shpërblimet e familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe personat e verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë, efektet financiare përballohen nga zëri “Ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë”, miratuar në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Pensionistët

Në skemën e shpërblimeve të fundvitit, qeveria do të përfshijë edhe pensionistët. Vitin e kaluar, me vendim të posaçëm përfituan shpërblim 650 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Sipas këtij vendimi, rreth 372.932 pensionistë, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, si dhe 145.580 pensionistë që marrin pension fshati, përfituan 6 mijë lekë shpërblim. Përfitues të shpërblimit ishin edhe 10.600 pensionistë, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.