Mendoni një plazh të madh që zakonisht mbledh mijëra pushues i cili papritur boshatiset. Është vendi ideal për dy të dashuruar, ndoshta ngaqë ka një atmosferë prej fillimit të botës aty dhe dy të dashuruar kanë herë pas here ndjesinë, sikur asgjë nuk ka ekzistuar para tyre dhe gjithçka do e ndërtojnë bashkë nga e para. Atëherë, pse mos të shndërrohet një plazh i boshatisur në vendin e festës ku një çift fillon jetën së bashku zyrtarisht? Dhe të mbushet me njerëzit e tyre të dashur për ta ndarë këtë gëzim?

Nëse e shihje kompleksin Lura në gjirin e Lalzit një mbrëmje gushti e më pas kaloje aty afër, edhe pse do ishte e pamundur për një kalimtar të thjeshtë të shihte brenda për shkak të rojeve të sigurisë, në mbrëmjen e dasmës së Getoar Selimit dhe Marina Vjollcës, nuk do e besoje shndërrimin që kishte pësuar. Class Events në bashkëpunim me çiftin që ishin gjatë gjithë kohës plot ide të pazakonta dhe në kërkim të detajeve unike, krijoi buzë detit mjedisin e përkryer për bashkimin e dy shpirtrave sa romantikë dhe ekstravagantë, sa elegantë aq dhe të dhënë pas atmosferës festive. Diçka mes intimes dhe festives, mes ekzotikes dhe klasikes, që nuk kishte ekzistuar asnjëherë dhe duhej të krijohej nga e para. Në këtë shkrim ekskluziv kopertine do ju tregojmë me detaje gjithçka, të thëna e të pathëna, por mbi të gjitha të vërteta për dasmën e Marinës dhe Getit.

Foto: Norik Uka

Foto: Orsola Mema

Ata kanë mbajtur gjithmonë çdo detaj të historisë së tyre për vete dhe duket se, edhe pse tani janë burrë e grua, e mendojnë njëlloj. Sigurisht që njiheshin nga ekrani para se të takoheshin dhe sigurisht që ka pasur një shkëndijë që i bashkoi, por këto thjesht duhet t’i marrim me mend duke u bazuar në atë që kemi parë më pas. Një histori private, por shumë e fortë. Geti nuk hyri vetëm në jetën e Marinës, por edhe në familjen e saj, si një prani mashkullore e munguar. Ata nisën të bashkëjetojnë në Tiranë dhe sakaq, me të gjetur kohë të lirë nga angazhimet e tij në muzikë dhe të sajat në televizion, do shfaqeshin sa në një qytet me kulme gotike, te një plazh me pamje ekzotike duke qenë që udhëtimet janë një pasion i tyre i madh. Sakaq Geti filloi ta thirriste Marinën, “gruaja ime” siç edhe Marina nisi ta thërrasë Getin “burri im”. Tani duhej vetëm një akt zyrtar dhe një festë për ta mbajtur mend gjatë atë ditë të rëndësishme. Zgjodhën Class Events për organizimin e dasmës dhe më pas fiksuan një datë, sigurisht dhe një vend, që, pas disa alternativash, u zgjodh mes Prishtinës dhe Tiranës, gjiri i Lalzit, që do iu ofronte edhe peizazhin marin.

Foto: Norik Uka

Foto: Norik Uka

U kuptua që te ftesat, që dasma e tyre do të ishte unike! Një pllakë e tejdukshme e mbushur me petale lulesh, të ndryshme për çdo të ftuar, vendosur brenda një kutie rrethore veshur me saten, ku Geti dhe Marina u linin takim të ftuarëve më 10 shtator në orën 20.00.

Dhe dita erdhi!

Fillimisht do të zhvillohej celebrimi, i cili nisi rreth orës 18.30…

Një altar me dekor asimetrik kryesisht me lule bore dhe orkide, që pas kishte detin, qëndronte para një tapeti të bardhë dhjetëra metra të gjatë dhe rreshtave të karrigeve ku u ulën me radhë rreth 80 persona. Një pritje e ëmbël lëvizte në ajër bashkë me tingujt e harqeve. Do të binte menjëherë në sy veç familjes së Getit dhe vajzave të bukura të familjes së Marinës, hyrja e djemve të Babastars, të veshur me kostume, që dukeshin sikur po xhironin një klip.

Foto: Orsola Mema

Foto: Orsola Mema

Geti do të hynte me muzikën e Mozart-it me një beat Hip Hop-i, veshur me kostum Philipp Plein, këmishë Karl Lagerfeld, Papijon Lanvin dhe këpucë Christian Louboutin duke i dhënë atmosferës një ton solemn. Ai u vendos në altar pranë mikut të tij që kishte zgjedhur si dëshmitar, ndërsa në anën tjetër, qëndronte një vajzë simpatike me bukurinë e motrave Vjollca, veshur me fustan të kuq. Dëshmitarja e Marinës ishte Jori, mbesa e saj.

Marina do të hynte disa çaste më pas, edhe më e bukur seç mund ta kishim imagjinuar, e shoqëruar nga djali i tezes, nën tingujt e këngës që e thoshte në vend të atyre që u kishte ikur zëri nga emocionet, “You look so beautiful in white”.

Kishte veshur një fustan të krijuar enkas për të nga Class Atelier, i punuar me dorë në çdo detaj për një muaj me radhë nga 10 mjeshtre dhe qëndistare, për t’i dhënë formën e asaj mbrëmjeje. Bust i ngushtë, i gjithi me lule të vogla, gurë Swarovski dhe perla, një fund i fryrë prej mikadoje dhe pjesa më e veçantë bishti i gjatë disa metra që kur hapej krijonte një gjysmërreth të mahnitshëm duke të kujtuar fustanet e princeshave nën hijen e rëndë të katedraleve. Velloja ishte gjithashtu madhështore dhe plotësonte pamjen e një nuseje romantike dhe klasike…pa humbur asgjë nga ëmbëlsia e Marinës. Ajo zgjodhi pamjen me flokë të lëshuar, me një valëzim të rregullt krijuar nga VogueHair, për celebrimin, ndërsa grimi që i theksonte tiparet delikate, ishte realizuar nga makeupartisti Arbër Bytyqi. Të vetmet bizhuteri që përdori për të plotësuar pamjen ishin vathët nga Estel Jewellery, të florinjtë, me gurë diamanti dhe me safir të bardhë. Ndërsa këpucët ishin të markës Jimmy Choo.

Kur mbërriti në altar, Geti e puthi në ballë, duke ia shtuar emocionet atij çasti dhe më pas të dy ishin gati për të dëgjuar formulën e betimit. Ndërkaq mamaja, motrat dhe mbesat e Marinës ishin përfshirë nga i njëjti emocion që lexohej qartë në fytyrat e tyre.

Foto: Renuar Locaj

 

Foto: Renuar Locaj

 

Foto: Orsola Mema

 

Foto: Orsola Mema

Ceremoninë e martesës e drejtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili lexoi nenet përkatëse të Kodit të Familjes në mbështetje të ligjeve të Kushtetutës së Shqipërisë, që megjithëse përbëhen nga formula, para dy njerëzve që duhen, marrin një ngarkesë emocionale të veçantë. Aty u mësua edhe që Marina kishte zgjedhur të merrte mbiemrin Selimi pas martesës, siç edhe fëmijët e tyre, kur të vijnë.

 

Foto: Renuar Locaj

 

 

Foto: Renuar Locaj

 

 

Foto: Orsola Mema

 

“Dashuria juaj për njëri – tjetrin është si një burim i energjisë që vazhdon e rritet me kalimin e kohës dhe ju jep forcë çdo ditë për të jetuar jetën me guxim. Që nga kjo ditë ju do të jeni më afër se kurrë duke i premtuar njëri – tjetrit dashuri të përjetshme”, tha Veliaj për të kaluar më pas te pyetja më e rëndësishme.

“–Ju Zonja Marina, pranoni si bashkëshortin tuaj Zotin Getoar, në gëzim e hidhërim, në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri dhe në çdo moment të jetës tuaj?”

 

Foto: Orsola Mema

 

-Po, tha Marina me zë veçanërisht të lartë sikur donte të sigurohej që të dëgjohej mirë, deri te i ftuari i fundit, deri në telefonin më të largët që po e regjistronte atë çast, deri te pulëbardhat që e kishin kuptuar tashmë që atë mbrëmje shtatori, plazhi nuk do të ishte i tyre.

 

Foto: Orsola Mema

 

–Ju Zoti Getoar, pranoni si bashkëshorten tuaj zonjën Marina, në gëzim e hidhërim, në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri dhe në çdo moment të jetës tuaj?”

-Gjithmonë po, u dëgjua zëri bas i Getit, gjithaq i vendosur.

Foto: Renuar Locaj

“Në bazë të ligjit të Republikës së Shqipërisë dhe në vullnetin tuaj të lirë, në prani të dëshmitarëve, ju shpall burrë e grua!”, vazhdoi formulën Veliaj duke e ftuar çiftin të puthej.

Dhe puthje pati! Dhe shumë duartrokitje. Të thirura aprovimi. Sy të përlotur.

Foto: Norik Uka

 

Foto: Orsola Mema

 

Nën shiun e orizit të të ftuarëve, çifti i shpallur burrë e grua, u largua i kapur për dore, që, si dhe sytë, nuk ia ndanë njëri tjetrit gjatë gjithë mbrëmjes…Që kur të ftuarit nisën të mbërrinin, mbi det qëndronte e shkruar me shkronja të ndriçuara “Happy Heart” që krijonte një magji të vërtetë. Në atë çast më shumë sesa kurrë, ato shkronja morën kuptim.

Foto: Orsola Mema

Foto: Orsola Mema

Ah, para se ta linte skenën, Marina do të hidhte buqetën. Të gjithë ndoshta prisnin që do e kapte Luana, por nuk do i marrë ajo të gjitha lulet. Klevisa, një nga mbesat binjake të Marinës, doli fituesja.

Foto: Orsola Mema

 

Foto: Orsola Mema

 

Marina do të përgatitej më pas për pamjen e darkës, ku do të mbante një fustan tjetër dhe model të ri flokësh, ndërsa të ftuarit shijonin koktejin buzë detit.

Ndërkaq mjedisi i darkës priste festën…Ishte ndoshta sipërmarrja më gjigante e organizimit të kësaj dasme, ngritja e një çadre mbi 700 metër katror, me tendë të tejdukshme dhe drita të vogla që krijonin idenë e qiellit të ndriçuar dhe krijonin atmosferën e dasmave amerikane të Bregut Perëndimor, ku eleganca dukej se kishte gjetur tendën e saj.

 

Foto: Norik Uka

 

Kështu duket në Amerikë…

Kështu dukej në Shqipëri, në dasmën e Getit dhe Marinës…

Tavolinat u prodhuan enkas për këtë dasmë. Sipërfaqja e tyre pasqyrë reflektonte gjithë vallen e dritëzave dhe luleve. Kompozime shumë të larta, të realizuara nga floristja Frida Banushi, që kulmonin me ca gjethe shqiponje, krijonin elementin ekzotik të dekorit. Çdo gjë që të shihte syri ishte krijuar, porositur, vendosur enkas për dasmën e Getit dhe Marinës. Sotopjata të reja, sete të florinjta, shandanë të kristaltë…gjithçka shkëlqente, por asgjë nuk verbonte, sepse gjithçka i bindej parimeve të elegancës.

 

Foto: Orsola Mema

 

Foto: Ani Meziri

Foto: Ani Meziri

Kur rreth 300 të ftuarit e dasmës, mes tyre shumë artistë dhe personazhe të njohur, ishin në vendet e tyre, do të hynte çifti. Tashmë Marina kishte veshur fustanin e krijuar nga stilistja Blerina Kllokoqi Rugova që krijoi edhe fustanin e princeshë Elia Zaharias, me dekolte më të theksuar dhe më voluminoz. Ishin përdorur 250 metra materialesh të ndryshme, gurë Preciosa dhe Swarovski dhe lule 3D me detaje puplash, shkëlqim e kontraste në realizimin e tij.

Vallëzimi i parë ishte me këngën e Rihanës, Love on the brain, ndërsa më pas nisi Home e Michael Bubble dhe qendra e tendës u shndërrua në një shtëpi të përbashkët. Geti mori në vallëzim të ëmën, një zonjë elegante, bionde, që tashmë, ndryshe nga ceremonia, kishte veshur një fustan rozë, duke na kujtuar edhe një herë që djemtë kanë pak në mendje mamatë kur zgjedhin nuset, ndërsa babai i tij vallëzoi me Marinën. Më pas Geti ftoi mamanë e Marinës, gjithashtu shumë elegante me fustanin e saj me nuanca floriri, e cila e puthi në ballë djalin që i kishte besuar të bijën, ndërsa vëllai i tij vazhdoi vallëzimin me të ëmën.

Foto: Renuar Locaj

Foto: Renuar Locaj

Foto: Orsola Mema

Festa do të vazhdonte gjatë me muzikë të përzgjedhur nga DJ Dirty dhe Dj Gamble, të të gjitha ritmeve dhe interpretime Live të këngëtarëve të ftuar, Zeni dhe banda e tij dhe Energy Band. Edhe Ermal Fejzullahu, i ftuar në dasmë, do ta përshëndeste çiftin, siç dhe Geti nuk mund të mos këndonte kur në ajër buçiste kënga e tij dhe “Ajo”, Marina, ishte para tij.

Foto: Renuar Locaj

Menuja e darkës  përbëhej nga shtatë pjata, të përgatitura nga chef-i i kompleksit Lura, Arlind Abdurramani, që niste me një sallatë ekzotike me karkalecë të pjekur dhe havjar të zi, vazhdonte me gatime të sofistikuara, kryesisht deti dhe mbyllej me një mousse çokollate me kajsi dhe akullore.

Nuk mund të mungonte torta, një strukturë shumë moderne, e bardhë nga jashtë me një krisje nga dukej zemra e kristaltë blu.

Foto: Orsola Mema

Foto: Orsola Mema

Një nga pjesët më të veçanta të kësaj feste ishte afterparty pas përfundimit të darkës, kur të gjithë u zhvendosën buzë detit, në mjedisin e ndriçuar me qirinj dhe ku fishekzjarre gjigante, nga ato që mbyllin koncertet madhështore, ndriçuan qiellin në mënyrë spektakolare…

Ngadalë do të niste të zbardhte…Të gjithë do të kujtonin një festë të bukur, ndërsa Geti dhe Marina, do të nisnin një ditë të re, të parën si burrë e grua.