
Në Nyon të Zvicrës është hedhur sot shorti i Champions Leagues, që ka dhuruar sfida spektakolare.
Kështu, menjëherë do të kemi një finale të parakohëshme, mes kampionëve në fuqi, Realit dhe PSG-së, njërës prej pretendentëve kryesore.
Edhe Chelsea ishte disi i pafat, pasi do të gjejë përballë Barcelonën e Messit.
Juventusi nuk e shmangu dot përballjen me një kundërshtar anglez, ndërsa shorti i rezervoi londinezët e Tottenhamit.
Short mjaft i vështirë rezultoi për Baselin e Taulant Xhakës, që do të përballet me anglezët e Manchester City-t, një prej skuadrave më të forta të këtij viti.
“Real Madrid-PSG mund të ishte finalja e Champions-it”
Emilio Butragueño, drejtor i marrëdhënieve institucionale te Real Madridi, ofroi përshtypjet e tij për shortin që u hodh dje në Nyon të Zvicrës, ku të tijtë mësuan kundërshtarin në 1/8 finale të këtij kompeticioni, i cili është PSG: “Ky ballafaqim mund të jetë, mund të kishte qenë finalja e Champions-it për potencialin e të dyja ekipeve. Sidoqoftë, ky është shorti, fati, gjithashtu, luan rolin e vet në kësi rastesh. Ne duhet ta kalojmë me sukses raundin e radhës në Champions, por besojmë se është pak herët kjo përplasje, sepse të dy jemi kandidatë për titullin. Rritja e PSG-së? Çdo verë ka afruar lojtarë të nivelit të madh dhe sa i fortë është e ka treguar në fazën e grupeve, ku u paraqit thuajse në mënyrë të përsosur.
PSG-ja ka potencial të madh në përbërje, me Neymar dhe Mbappé, që kanë fituar shumë. Do të luhen dy ndeshje finale. Për publikun do të jetë një duel emocionues. Mbappé dhe Neymar në “Bernabeu”? Ata janë dy lojtarë, që po kontribuojnë shumë te skuadra e tyre. Mbappé është shumë i ri, ndërsa Neymar është një lojtar shumë i shenjtëruar, ndaj do të jetë e rrezikshme ndaj tyre. Natyrisht, ne duhet të luajmë në nivelin tonë. Mos harroni se jemi ekipi që e ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë rresht dhe e di se duhen përgatitur e përballur ky lloj kompeticioni. Shpresojmë të rikuperojmë në kohë lojtarët e dëmtuar”.
Flet trajneri i PSG
Edhe Unai Emery ka thënë fjalët e para pas shortit, kur ka mësuar se do të “përplasë brirët” me kampionët e Europës në fuqi: “Nuk mendoj se është shorti më i keq i mundshëm. Është një mundësi e mirë, sepse tashmë e kemi një nivel për të luajtur kundër Real Madridit. Nëse doni të bëni diçka të rëndësishme në Champions, atëherë ju duhet të luani kundër Real Madridit. Për të mposhtur “Los Blancos”, ne do të duhet të luajmë me personalitetin dhe talentin tonë, sepse loja do të jetë qendra e botës së futbollit. E përsëris, skuadra ime është e gatshme ta luajë këtë raund. Ne do të punojmë që gjërat të jenë të përsosura kur të vijë dita e ndeshjeve”.