Nga Gëzim Tushi

Kam përshtypjen se duke e vlerësuar sociologjikisht dhe realisht realitetin tonë social, problemet me të cilat ndeshet qytetari dhe qytetërimi ynë, të krijohet ideja se ka një kaos konceptual të roleve sociale dhe lidhjeve të tyre me përgjegjësisë personale të qytetarit. Qytetari tashmë jeton siç thotë Zhan Fransua Loytard në “udhëkryqin e përhershëm dhe prandaj i duhet forcë njerëzore dhe fuqi qytetare për t’i përballuar ato. Prandaj konceptimi i drejtë i situatës, i imperativave të qytetërimit dhe nevojës së vazhdueshme të njeriut për të qenë qytetar adekuat me kohën dhe qytetërimin tonë nuk është e lehtë. Kjo për shumë arsye në shoqërinë shqiptare është një nga gjërat më të vështira për t’u kuptuar drejt, interpretuar saktë dhe përshtatur me rregullat dhe mekanizmat e jetës moderne të ndryshuara radikalisht në Shqipëri.
Nuk ka dyshim që për shkak të zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale kohët dhe standardet e qytetërimit në shoqërinë tonë kanë ndryshuar shumë më shpejt, se sa inercia e mentalitetit të njerëzve tanë. Ndërkaq, me sa duket shumë ndryshime esenciale që kanë ndodhur dhe që ka sjellë liria dhe demokracia nuk po kuptohen si duhet. Akoma një pjesë e qytetarëve tanë të ndodhur përballë sfidave të modernitetit kanë ankthe personale, rrethohen nga rreziqe të mëdha, përjetojnë herë pas here dëshpërim social, nga që nuk janë në gjëndje të kuptojnë shkaktarët e vërtetë të situatës së tyre, jo vetëm social ekonomike por dhe determinimeve të organizimit të jetës qytetare. Sepse akoma nuk është bërë ndërgjegjësimi i plotë social që liria, demokracia dhe ekonomia e tregut kanë rregullat e tyre të funksionimit, që më shumë janë tërësore dhe me natyrë sociale dhe gjithnjë e më pak të lidhura me fatin personal të qytetarit apo të inteferuara me dëshpërimet e tij të personalizuara.
Liria është përgjegjësi individuale për cdo qytetar, i cili vetëm qytetarisht mund dhe duhet të gjejë format, rrugët, mënyrat për të intervenuar në jetën qytetare me të gjithë komponentët që e përbëjnë dhe e rrethojnë atë, siç janë kërkesat e ekonomisë së tregut social, për të qenë i suksesshëm dhe për t’iu larguar enklavave të varfërisë dhe grackave sociale të ekonomisë së tregut dhe devijacioneve antiqytetare apo kundërqytetëruese të shoqërisë së individualizuar. Këto nuk janë teori qytetërimi, por janë sfida qytetare të thella që përbëjnë sfida të ditës për njerëzit tanë.
Unë besoj se është koha që partitë politike, media, institucionet fetare, shkolla dhe shoqëria civile duhet të bëjnë përpjekjet e duhura për të ndihmuar qytetarët tanë, që së pari të kenë koncept të qartë për përgjegjësinë e individualizuar si pjesë përbërëse e fatit të secilit, si detyrë pa të cilin është e pamundur të realizohet ndonjë gjë e mirë për fatin personal të njeriut. Koha moderne duke qenë në thelb më shumë e individualizuar se sa sociale ka krijuar një sfond të përbashkët qytetërimi që gjithnjë e më shumë e detyron qytetarin të ketë besim tek “njeriu i forte” por dhe i arsyeshëm, se qeniet njerëzore janë ato që kanë përgjegjësi për fatin e tyre.
Ne vijmë nga një shoqëri e cila na mësoi që të kërkojmë përgjegjësinë e jetës personale tek roli i shtetit dhe përgjegjësitë e shoqërisë. Kurse në kohën tonë janë të gjithë treguesit që duhet të na bindin si qytetarë, se fati i jetës sonë është në duart tona dhe në duart e askujt tjetër. Në këtë konceptim duhet vendosur konceptualisht ekuacioni për raportin e fateve të vetes, tjetrit, shoqërisë dhe të ardhmes tonë. Ne nuk kemi kohë të bëjmë eksperimente nacionale, as të gjejmë rrugë të pashkelura për të përcaktuar fatet tona individuale si qytetarë dhe sociale e qytetare. Ne kemi përvojën e popujve dhe qytetërimeve të tjera, që na mësojnë se ata kanë progresuar dhe kanë realizuar standartet moderne të qytetërimit të tyre, pikërisht nga që kanë ditur të ndërtojnë ekuacionin midis fatit të tyre, që ka qenë në dorën e tyre, fatin e të tjerëve që duhet të jetë në dorën e atyre dhe fatin e së ardhmes së shoqërisë që është në duart e të gjithëve.
Pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar konceptualiteti social dhe mentaliteti i njerëzve tanë, ne duhet të jemi të shqetësuar për faktin që akoma nuk e kemi bërë filozofi dominante të jetës personale besimin tek vetja, kapërcimin e besimeve të vjetra të besimeve sociale të tepruara. Mbase sot më shumë se kurrë flasim në përgjithësi për individualizmin, por kjo duket se po dëmton aftësitë e njeriut për dialog qytetar me veten dhe shoqërinë. Individualizmi nuk është e barabartë me mohimin e aftësisë dhe detyrimit të njeriut për dialog qytetar. Ne jemi qytetarë dhe patjetër që në shumë pika mendojmë njësoj.
Kjo është mundësia që ofrohet dhe që më shumë qytetarisht duhet të përpiqemi ta shfrytëzojmë për të bërë dialogun e duhur. Të jetosh në shoqëri dhe të jesh i mbyllur nga të tjerët, apo indiferent për fatet e saj, do të thotë se përballë nuk ke qytetarë por njerëz që vetëm funksionojnë biologjikisht. Nuk janë tipare që i duhen qytetarit të sotëm plogështia, frika nga vështirësitë, nihilizmin apo zhytjen në shpellat e errëta të kotësive sociale. Qytetari i vërtetë është ai që është aktiv nga pikëpamja sociale. Njeriu si qenie biologjike është tjetër thelb në raport me thelbin e përbashkët të qytetarit. Koha moderne ka sjellë ndryshime të mëdha, në të cilët njerëzit nuk janë qenie që vetëm ekzistojnë.
Qytetërimi është qenie e gjallë e cila ekziston kur ka qëllimet e veta të përcaktuara. Kjo do të thotë që në kohën e sotme, që të ekzistosh si qytetar do të thotë të marrësh pjesë në jetën qytetare dhe të mbash përgjegjësitë e tua qytetare. Shoqëria shqiptare duke u modernizuar ka pësuar edhe deformime që duken dhe dëmtojnë natyrën e qytetërimit tonë.
Qytetari nuk është thjesht natyrë njerëzore që jeton pasivisht në shoqëri dhe qëndron indiferent përballë paradigmave të reja të qytetërimit modern. Ai është qenie njerëzore që duhet të përshtatet me vlerat e qytetërimit tonë dhe që njëherësh duhet të luftojë për zhvillimin e tij. Qytetari që e mendon veten të bazuar në subjektivizmin njerëzor dhe që qëndron larg detyrimit të dialogut, marrëveshjes dhe kërkesave të bashkekzistencës sociale qytetare, është qytetar jo vetëm me difekte ontologjike për vete por dhe me mangësi serioze për shoqërinë.
Qytetarët nuk janë objekte të thjeshta, nuk janë si gjithë objektet e tjera. Qytetërimi thonë sociologët e modernitetit nuk është një ansambël i vlerave materiale. Qytetërimi është “mbretëri qytetare”, e cila është plotësisht e dallueshme nga objektet e tjera të jetës material, që jo në çdo rast dhe domosdoshmërisht janë të lidhura dhe të determinuara mekanikisht.
Padyshim është shqetësues fakti që në shoqërinë tonë po shtohen njerëzit e depresuar, fatalistë dhe që nuk kanë besim se mund të bëjnë gjë në botë, për vete dhe shoqërinë tonë. Kjo është arsyeja pse po shtohen njerëz që në vend se të jenë qytetarë janë njerëz të zhytur në depresion, të lodhur dhe të izoluar nga jeta aktive, pasivë dhe të izoluar që nuk kanë fuqi për të marrë as përgjegjësitë për jetën vetjake, ca më pak për jetën sociale. Kjo nuk është dhe nuk duhet vlerësuar thjesht si anomali personale e një qytetari të vetëm. Në fakt duke u nisur nga përmasat dhe intensiteti i këtyre fenomeneve sociale, duhet të pranojmë se ato po bëhen gradualisht sëmundje sociale të qytetërimit tone. Kjo është arsyeja pse qytetarët tanë akoma më shpejt duhet mësohen dhe të përshtaten me tipologjinë e jetës modern, në të cilën duket se njeriu duke u përpjekur që t’u ikë përgjegjësive ka krijuar në shumë raste idenë e gabuar, se në jetën e këtij qytetërimi nuk mund të gjejmë justifikime për veten tone, por as mund të jemi duarlarë me shoqërinë.
Ligji i modernitetit është se qytetarët janë përgjegjës për nivelin dhe performancën e qytetërimit të tyre, i lidhur me kushtet dhe rrethanat në të cilat jetojnë. Përpjekja individuale për t’u ikur përgjegjësive të përbashkëta qytetare, është shprehje e mosbesimit ndaj mënyrës së zhvillimit dhe performancës së shoqërisë tonë. Qytetari nuk është njeri që vetëm funksionon si njeri. Përkundrazi ai është dhe akoma më shumë duhet të bëhet agjent social, që ka përgjegjësi për mënyrën e organizimit të jetës qytetare. Sociologët e kohës moderne janë të mendimit se ne jemi përgjegjës për shoqërinë dhe vlerat tona, për mënyrën e kuptimit të botës dhe synimet që ka çdo qytetar.
Ajo që duhet të mësojmë është se në shoqërinë moderne asgjë nuk është e garantuar. Në këtë kontekst ne duhet t’i mësojmë njerëzit tanë që jeta e jetuar brenda përgjegjësisë qytetare është jetë veprimi, arritjesh dhe projektesh. Jeta moderne në Shqipëri ka ndryshuar. Ajo është bërë jetë e krijimeve të fuqishme me natyrë njerëzore dhe njëherësh me sfond më të spikatur qytetar.
Konkluzioni që duhet është përjetimi thelbësor i të vërtetës se të jesh qytetar në kohën tonë, do të thotë që të kesh sens përgjegjësie serioze qytetare dhe sociale. Sociologu i njohur turk F. Gylen duke vlerësuar kompleksitetin e marrëdhënieve të qytetarit me shoqërinë moderne, tregon se koha është e tillë që ka nevojë për njerëz që të jenë qytetarë mendjehapur, me vullnet të hekurt, që i kushtojnë rëndësinë e duhur përgjegjësisë individuale dhe vlerave sociale të përbashkëta njerëzore…

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment