PROFIL/ Kush është Donald Trump, Presidenti i ri i SHBA

Kush është Donald Trump, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për shumë kohë përpara se të kthehej në kandidatin aq të pagjasë presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump ishte miliarderi më i famshëm e piktoresk i Amerikës.

Pakkush do ta mendonte atëherë se njeriun me gojën pa fre një ditë, shumë pak do ta ndante nga Shtëpia e Bardhë. Skepticizmi i madh që ka rrethuar kandidaturën e Trump si nga kundërshtarët, ashtu dhe nga vetë pjesëtarë të partisë së tij, nuk buron vetëm nga platforma e shumëdiskutuar e emigracionit, apo stili kaotik i fushatës.

Rrënjët e tij shtrihen deri në një të shkuar narcizizmi, grandomanie e papajtueshmërie. Më shumë edhe se vetë Ronald Reagan, Trump duket sikur është përgjatë gjithë kohës në aktrim: ai lëviz në rrjedhën e jetës me instinktet e dikujt që e di se vëzhgohet në çdo hap.

Nëse të gjitha qëniet njerëzore mund të quhen për nga vetë natyra e tyre aktorë socialë, Donald Trump në këtë drejtim i kapërcen të gjithë. Shumë pyetje janë ngritur mbi figurën e tij gjatë kësaj fushate. Mbi platformën që ka, mbi diturinë që duket se çalon, mbi gjuhën e përdorur që kthehet rëndom në temë diskutimesh të përflakura, apo edhe nivelin e rehatisë me dhunën politike. Po kush është në të vërtetë ky njeri? Si punon mendja e tij?

“Amerika është kthyer në vendgrumbullimi plehrash për problemet e të gjithëve. Është e vërtetë, kur Meksika sjell njerëz këtej nuk dërgon më të mirët, nuk sjell njerëz si ju”, tha Trump në një prej tubimeve të tij elektorale. Personaliteti i Trump është sa ekstrem, aq edhe i rrallë për një kandidat presidencial. Shumë njerëzve që e kanë takuar nga afër, qoftë për intervista, në ndonjë sallë debati, apo atyre që e kanë ndjekur në përballjet televizive, u është dukur i shushatur disi.

Profili i jetës së tij nuk është ai që pritet nga një president i Shteteve të Bashkuara: kontroversialiteti është në maje, dakordësia në nivelin më të ulët. Ashtu si George Ë. Bush, Bill Clinton apo Teddy Roosevelt, Trump e interpreton rolin e tij jetësor në një mënyrë shpërthyese dhe në aspektin social, dominuese. Është i palodhur, gjithë kohën në lëvizje, i paaftë të qëndrojë në një vend dhe fle shumë pak. Në kohë fushate, kandidatët janë shumë më aktivë se në normalitetin e tyre, por rrallëkush e shijon fushatën aq shumë sa miliarderi me flokë të çuditshme.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment