Përplasja e madhe PS-LSI, Manjani: Zgjedhjet i kemi fituar me Blushin, jo me Idrizin

Ylli Manjani është ministri i LSI-së që kritikon më shumë publikisht qeverinë. Në një intervistë për Top Story, ai e cilësoi problem shume serioz çështjen e hashashit, për të cilin tha se në mbledhjen e qeverise është diskutuar konkretisht vetëm të mërkurën.

Në lidhje me koalicionin për zgjedhjet e qershorit, Manjani tha se nuk ka një ftese konkrete nga PS. Por përgjigjja sipas tij do të jepet në 19 prill, ndërsa la të kuptohet se PDIU si partner i tretë i zyrtarizuar në qeveri, duket se ka ftohur Ramën me Metën. Manjani foli edhe për presidentin e ri dhe situatën e krijuar në gjyqësor pas miratimit të Reformës në Drejtësi.

Ministri që kërkoi me ngulm ndërhyrjen e ushtrisë kundër luftës ndaj kanabisit tha në Top Story se qeveria po harton një strategji me urdhër të kryeministrit për luftën ndaj fenomenit.

“Dje u fol për një strategji për të luftuar hashashin me urdhër të kryeministrit. Dje kemi diskutuar më shumë, edhe me pak ton”, tha Manjani.

Në lidhje me koalicionin e mundshëm të së majtës për zgjedhjet e ardhshme, Ylli Manjani thotë se LSI nuk ka një ftesë konkrete, pasi PS nuk ka dhënë një ide konkrete për synimet e aleancës së ardhshme.

“Ne duhet të konsolidojmë të majtën e bashkuar dhe pse jo po na doli ndonjë gjë plus hajt ta marrim. Është një koalicion numrash pastaj, që ta mbyllim PD-në e të mos ketë më opozitë, apo duam që të konsolidojmë thjesht një koalicion politik dhe të vazhdojmë përpara. Zgjedhjet e 2013-s i ka fituar koalicioni e majta e bashkuar. Zgjedhjet i kemi fituar me Ben Blushin dhe jo me Shpëtim Idrizin”, shpjegon Manjani.

Një çështje e rëndësishme e këtij viti politik do të jetë zgjedhja e presidentit të ri ku LSI sipas Manjanit mund të prodhojë kandidatë të tjerë krahas Ilir Metës.

“Kjo është një çështje që i takon Metës ta zgjidhë. Por LSI, krahas Metës, mund të propozojë shumë emra dinjitozë për president”, shtoi Manjani.

Ministri i Drejtësisë shprehu shqetësim për situatën e krijuar në  gjyqësor pas miratimit të Reformës në Drejtësi.

“Sot askush nuk kontrollon askënd. KLD-ja aktuale, ministri i Drejtësisë aktual, Kryeprokurori aktual, Këshilli i Përgjithshëm, janë ngritur me ligjet e vjetra. Na thuhet që të punojmë me ligjet e vjetra deri në një farë pike. Ndërkohë që kanë hyrë ligjet e reja në fuqi, por nuk kanë hyrë institucionet e reja. Këto institucione duhet të ngrihen sa më parë, edhe pa Vetting-un”, tha Manjani.

Ministri e nisi fjalën e tij duke deklaruar se ka një sërë ligjesh në arkiv, që nuk kalojnë.

Intervista…

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani: Janë një tufë me ligje që unë kam propozuar dhe për një arsye dhe një tjetër nuk miratohen.

Sokol Balla: Pse nuk kalojnë, bllokohen nga partnerët tuaj politikë?

Ylli Manjani: Unë nuk e di pse nuk kalojnë. Unë kam propozuar një ligj tjetër për mbrojtjen e investitorëve të mëdhenj dhe ai ligj do të kishte mbrojtur edhe biznesmenin libanez, edhe ai ligj nuk kalon. Kam propozuar një ligj për të përmirësuar titullin ekzekutiv, nuk ecën as ai. Kam propozuar që të hapim shkollën e magjistraturës për t’i paraprirë reformës në drejtësi. Ai ligj mbeti në sirtar dhe nuk u bë asnjëherë, aq sa u detyrua komisioni i reformës që të fusë disa shtesa në ligjin e vettingut për magjistraturën. Edhe rasti i legalizimeve, ngrita 2-3 çështje parimore dhe ju i kishit me shumë korrektesë ato. Nuk jam ende në pozitën që të dal në konkluzionin që qeveria ku unë bëj pjesë është një qeveri mosntruoze. Unë bëj detyrën me shumë korrektesë.

Sokol Balla: Duket sikur është përplasje LSI-PS…

Ylli Manjani: LSI nuk më thotë mua sesi të bëj oponencat ligjore, por e bën Drejtoria e Ministrisë.

Sokol Balla: Kur folët që duhej nxjerrë ushtria kundër hashashit, Ilir Meta ju mori në telefon dhe ju kritikoi?

Ylli Manjani: Meta më ka dhënë besimin që të jem në krye të drejtësisë shqiptare dhe porositë që të jemi korrekt me detyrën dhe ligjin. Kjo është një detyrë politike dhe nëse nuk i them sot këto unë…

Sokol Balla: Kush ua kërkoi mendimin kur thatë që na duhet ushtria për të luftuar hashashin?

Ylli Manjani: Mendimi im është i njëjtë, duhet të shkulimi hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.

Sokol Balla: Vërtet besoni që është kaq serioz?

Ylli Manjani: Është shumë serioz dhe për të shkuar partizan në mal tek hashashi, çmimi luhatet nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë. Pra njerëz që i shihnim rregullisht, këto kohë kanë preferuar të dalin partizanë e të bëjnë këtë punë të paligjshme. Fenomeni ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash.

Sokol Balla: Po kanabizohet?

Ylli Manjani: Padyshim.

Sokol Balla: Atëherë çfarë ndodhi, sepse kje qeveri mbylli lazaratin. Çfarë shkoi gabim? Në Qeveri nuk diskutohet fare hashashi?

Ylli Manjani: Në praninë time nuk është diskutuar asnjëherë. Dje u fol për një strategji për të luftuar hashashin me urdhër të kryeministrit. Dje kemi diskutuar më shumë.

Sokol Balla: Mendoni që Qeveria po e merr me vonesë seriozisht këtë çështje?

Ylli Manjani: Ka një konsensus të përgjithshëm që fenomeni është përhapur dhe kjo është pozitive.

Sokol Balla: Dmth e pranon edhe kryeministri këtë?

Ylli Manjani: Projektdokumenti niste më këto fjalë dhe u gëzova që të paktën e pranojmë fenomenin.

Sokol Balla: Ndani shqetësimin e opozitës se paratë e drogës mund të përdoren për blerjen e votës?

Ylli Manjani: Sa më shpejt të heqim këtë fenomen nga kokat tona aq më mirë do të jetë, sa më vonë aq me keq do të jetë. Lëvizin shuma marramendëse parash, ku nuk do të jetë më askush i zoti që ta bëjë këtë luftë pastaj proporcionale. Ne duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, xhandarmëri e të tjera. Unë jam për rikthimin e xhandarmërisë për të kontrolluar territorin.

Sokol Balla: Po thoni që droga është fenomen kërcënues për sigurinë kombëtare?

Ylli Manjani: Absolutisht që po! Situata, nëse ne nuk ndërhyjmë, siguria është shumë herë më e rrezikuar se gjithë fenomenet e tjera.

Sokol Balla: Megjithatë ju morët masa lehtësuese për përdoruresit dhe kultivuesit e vegjël, se kemi parë shpërndarës e kultivues të vegjël të dënuar ndërkohë që Klement Balili është i lirë, nuk mendoni se është padrejtësi.

Ylli Manjani: Ka plot padrejtësi të tilla. Një kryetar bashkie që është në burg tek Krimet e Rënda, se i kërkoi një vajze diçka dhe kemi dhe kryetar bashkie që kanë shit femra dhe janë në detyrë.

Sokol Balla: Po thoni për Elvis Rroshin?

Ylli Manjani: Unë bëra një përgjithësim, nuk merrem më çështje konkrete.

Sokol Balla: Si e keni përjetuar këtë debatin për dekriminalizimin a ka përgjegjësi PS?

Ylli Manjani: Unë nuk mendoj që partitë tona kanë patur përgjegjësi për përzgjedhjen e këtyre elementeve në lista, sepse kriteri ligjor në atë moment, ishte dëshmia e penalitetit. Rrugës u bë një ligj, që e kërkoi shumë më tepër. Por është pozitive sepse ndihmon për të pastruar politikën nga kjo.

Sokol Balla: Si ka mundësi që ja hedhin peshqit e mëdhenj gjithmonë, si Klement Balili?

Ylli Manjani: Edhe unë pyes sesi ka mundësi. Kam kërkuar që në 12 maj arrestimin e Klement Balilit.

Sokol Balla: Pse nuk u arrestua?

Ylli Manjani: Atë nuk e di unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit. Është e vërtetë që ai ishte një zyrtar i propozuar nga ne dhe në atë kohë ne kemi bërë një distancim të qartë dhe të prerë.

Sokol Balla: Thonë që i janë bërë lehtësi atij për të mos e kapur?

Ylli Manjani: Ka thashetheme dhe lajme.

Sokol Balla: Ju jeni akuzuar se keni udhëtuar me të në Dubai?

Ylli Manjani: Do të më bëhej qejfi, por nuk kam qenë asnjëherë në Dubai.

Sokol Balla: Atëherë si doli gjithë kjo?

Ylli Manjani: Ka njerëz që duan të bëjnë lajme dhe në kohën e fundit janë shtuar shumë.

Sokol Balla: Pse e vonuat përkthimin e dosjes?

Ylli Manjani: Para se të vinte dosja e përkthimit, e njoha Balilin më 17 maj të vitit të shkuar kur Ardian Çipa na ka njoftuar se Klement Balili është vënë në kërkim ndërkombëtar dhe që në 17 maj ai duhej të ishte arrestuar dhe të vihej në dispozicion të prokurorisë shqiptare.

Sokol Balla: Ju kërkuat letra?

Ylli Manjani: Ne kemi kërkuar letrat para se të dilte urdhërarresti. Më 12 maj unë kam kërkuar letrat dhe më 17 maj ka ardhur urdhërarresti.

Sokol Balla: Kishte prova?

Ylli Manjani: Unë nuk e di këtë! Është dosje sekrete, e ardhur nga postë diplomatike nga Athina. Përkthimi i dosjes me 15 përkthyes nuk mori më shumë se disa ditë.

Sokol Balla: Dosja ju erdhi e përkthyer nga Greqia.

Ylli Manjani: Jo! Ka qenë një dosje informale dhe ne nuk merremi me dosjen informale. Ne merremi me dosje të protokolluar.

Sokol Balla: Keni propozuar disa ndryshime në Kodin Penal ku bëhet fjalë për procese hetimore kur dikush akuzohet se derisa ky person nuk paraqet rrezikshmëri sociale, të gjykohet i lirë dhe kjo është interpretuar sikur po bëhen për klasën politike.

Ylli Manjani: Ka një teori konspiracioni për këtë. Sot hyn në burg për “një dyshim të arsyeshëm” dhe ne fusim njerëz në burg njerëzit me këtë dyshim të arsyeshëm dhe sot kemi më shumë të paraburgosur sesa të burgosur. Fenomeni i dytë është kapja në flagrancë. Pyetja ka qenë, pse të arrestuarit në flagrancë nuk çohen për gjykim menjëherë? Nëse është arrestuar në flagrancë, vazhdo hetoje, por nuk është më në flagrancë. Ne po japim një përkufizim se ç’është dyshimi i arsyeshëm. Nuk e kemi shpikur, ne e kemi kopjuar dhe themi që dyshimi i arsyshëm është që prokurori duhet të japë të paktën një provë konkrete përpara gjyqtarit.

Sokol Balla: Pra nuk ka lidhet fare me zyrtarët që mund të hetohen për korrupsion që të shmangin publikun?

Ylli Manjani: Jo nuk ka asnjë lidhje me këtë! Edhe të korruptuarit, nëse kapen me një provë, të shkojnë direkt në burg. Unë e kam thënë që thelbi i reformës në drejtësi janë procedurat.

Sokol Balla: LSI e ka pak fobi këtë reformën në drejtësë, ka një perceptim të tillë.

Ylli Manjani: Nuk e di këtë perceptim.

Sokol Balla: Çfarë mendoni për reformën që është pothuajse drejt zbatimit?

Ylli Manjani: Ishte një detyrë shumë e vështirë e jona dhe u mbyll me një proces politikës si asnjëherë tjetër më parë dhe kjo mbyll çdo diskutim dhe tani nuk ka rrugë tjetër, vetëm një, zbatimi i atyre që janë miratuar me konsensus pikë për pikë. Sot është një situatë kaotike në sistemin gjyqësor, sot askush nuk kontrollon askend sepse KLD, ministri i Drejtësisë dhe Këshilli i Prokurorisë nuk inspektojnë dot sepse janë ngritur me ligjet e vjetra. Na thuhet që të vazhdojmë me ligjet e vjetra deri në njëfarë pike, por ece e gjeje. Institucionet e reja duhet të ngrihen një orë e më parë.

Sokol Balla: Pra po thoni që pasojat e para të reformës në drejtësi janë negative?

Ylli Manjani: Aktualisht, me ç’thonë qytetarët, sot ka njerëz shumë të pakënaqur nga sistemi gjyqësor. Unë nuk inspektoj dot më gjykatësit, nuk nis do procedim disiplinor sepse i takon Inspektorit të Përgjithsëhm që krijohet nga institucionet e reja.

Sokol Balla: Si zgjidhet kjo?

Ylli Manjani: Kjo zgjidhet duke ngritur institucionet e reja.

Sokol Balla: Mendoni se ka nevojë për ndryshime të tjera kushtetuese?

Ylli Manjani: Kushtetuta e 1998 ishte një Kushtetutë më e mirë se kjo që kemi të paktën teknikisht.

Sokol Balla: Kur kjo Kushtetutë është më e keqe se ajo që kishim, pse e votuat?

Ylli Manjani: Sepse ishte një proces politik dhe kishte një mosbesim të thellë të klasës politike.

Sokol Balla: Edhe vetë brenda mazhorancës?

Ylli Manjani: Ne kemi këmbëngulur për ndërhyrje të vogla në Kushtetutë dhe reforma të kalonte me ligje me 3/5. Megjithatë, 140 votat e Kuvendit, e kanë vulosur këtë Kushtetutë, megjithëse unë dhe të tjerë juristë të këtij vendi, jemi të shqetësuar për Kushtetutën e vendit tonë.

Sokol Balla: Mendoni që Kushtetuta e re, do të vendosë drejtësi?

Ylli Manjani: Drejtësia në këtë vend vendoset vetëm nëse vullneti për të zbatuar atë që kemi rënë dakort, është i hekurt. Tani është momenti i zbatimit.

Sokol Balla: Ilir Meta në korrik, pak para se të miratohej reforma la të kuptohej se mund të largohej nga Qeveria nëse nuk gjehej konsensus. Dukej sikur LSI po kërkonte numrat për të formuar mazhorancë të re me PD, sa të vërtetë ka këtu?

Ylli Manjani: Gjithë procesi i reformës në drejtësi procesi ishte shumë i vështirë, jo korrekt në kuptimin politik dhe profesional. Kur kam filluar si ministër as draftet nuk na jepnin. Ishte një proces me shumë pakuptueshmëri, na u shitën ekspertët sikur ishin qendra e botës.

Sokol Balla: Po thua që ishin alibi ekpertët?

Ylli Manjani:Kam përshtypjen që po deri në një farë pike. Ajo që tha Ilir Meta ishte konkluzioni i një procesi shumë të gjatë politik me negociata të gjata. Problemi ishte që kishim një ndarje në thelb.

Sokol Balla: Si ka mundësi që komisioni të mos japë draftet aleatit?

Ylli Manjani: E kanë bërë këtë, e kanë bërë dhe e kanë menderosur, por është mbyllur aty. Ka patur dy qëndrime brenda nesh, ata që ta bënim reformën me disa deputetë të pd, ndërsa ne nuk pranuam, kërkuam që reforma të kalonte me opozitën si institucion dhe kjo është arsyeja pse u pozicionuam drejt një vendimarrje konsensuale. Gabimi që kemi bërë me Kushtetutën e vitit 1998, ishte që e bëmë shumë të mirë, por pa konsensusin e opozitës dhe e masakruam atë ndër vite. Tani askush nuk ka gojë që të thotë jo unë s’jam dakort.

Sokol Balla: A kishte rënë Qeveria në atë deklaratë të Metës?

Ylli Manjani: Nuk e përjashtoj. Nëse vërtet ndryshimet kushtetuese do të bëheshin me atë që e quajtën konsensus patriotik me depuetë që gdhihen majtas dhe ngrysen djathtas, mund të kishim edhe një qeveri tjetër.

Sokol Balla: Pati përpjekje për të krijuar mazhorancë të re?

Ylli Manjani: Jo nuk kemi bërë asnjë përpjekje. Ne kemi besuar dhe besojmë edhe sot që zgjedhjet i ka fituar e majta e bashkuar. Zgjedhjet i kemi fituar me Ben Blushin, jo me Shpëtim Idrizin. Shpëtim Idrizi është deputet që ka dalë nga lista e PD.

Sokol Balla: Ishte kërcënim ai i Ilir Metës?

Ylli Manjani:Ishte lëvizje politike brilante dhe pjesë e saj ishte se ishte një deklaratë shumë e sinqertë. E gjithë klima e përgatitjes së reformës ishte shoqëruar me një klimë mosbesimi.

Sokol Balla: Duket se jeni më rehat veç e veç sesa bashkë, këtë e tregon edhe sondazhi ynë në Top Channel?

Ylli Manjani: Përgjigjja për këtë sondazh është një sistem demokratik më i mirë nga ky që kemi sot, vendi ka nevojë për një sistem zgjedhor konkurrues. Me sistemin e sotëm nuk është i mundur. Sistemi i sotëm është një sistem dushku.

Sokol Balla: Edhe LSI?

Ylli Manjani: LSI është komode me këtë sistem, edhe po të dalë më vete. Nëse nisemi nga interesat e partive, diskutimi është i mbyllur, zgjedhjet vazhdojnë kështu me këtë sistem. Shoqëria shqiptare është e lodhur nga skemat taktike elektorale. Ky sistem ka legjitimuar një dushk të ri, që është bërë në sistemin proporcional rajonal.

Sokol Balla: Cila është më e mira për LSI, me PS, PD apo vetëm?

Ylli Manjani: Atë do të vendosin forumet. Çështja është se shqiptarët thonë ndërroni sistemin. Sot populli shqiptar, me standardin politik ku jemi katandisur, populli nuk zgjedh asgjë, biles po përfundove në burg mund as të mos votosh sepse kemi një ligj dekriminalizimi.

Sokol Balla: Duket sikur keni një pezm ndaj komisionit të reformës?

Ylli Manjani: Nuk kam asnjë pezm me komisionin. Unë nuk jam deputet se po të isha deputet do të flisja me gjuhë tjetër me ta. Demokracia ka nevojë për ndërhyrje të thella, në sistemin zgjedhor, median e lirë dhe me opozitën. Opozita duhet respektuar.

Sokol Balla: Kjo nuk po ndodh thoni ju?

Ylli Manjani: Jo nuk po ndodh! Nuk ka faj opozita për problemet e vendit. I vetmi faj i opozitës është se është në opozitë.

Sokol Balla: Kështu si e thoni ju gjendja është kaq sterrë dikush thotë po ju çfarë po bëni në Qeveri?

Ylli Manjani: Gjendja është reale. Kjo Qeveri është më e mirë se Qeveria që shkoi. Ka tregues të matshëm sasiorë dhe statistikorë shumë më të mirë se Qeveria e shkuar. Reforma themelore financiare e shtetit për uljen e borxhit ishte e domosdoshme. Mos presim bum sepse jemi në një moment të vështirë ekonomike rajonal dhe botëror dhe sot problemi i madh botëror është populizmi.

Sokol Balla: E ka këtë sindromë kryeministri Rama?

Ylli Manjani: Ne e kemi diskutuar këtë dhe unë nuk mund të konceptoj që ministri duhet t’i marrë leje Endri Fugës për të dhënë një intervistë.

Sokol Balla: Pra ju sonte keni ardhur pa lejen e Endri Fugës?

Ylli Manjani: Unë nuk i marr leje askujt, ashtu siç nuk marrin leje ministrat e tjerë apo kryeministri.

Sokol Balla: Kryeministri duhej të merrte leje kur foli për Trump?

Ylli Manjani:Po të më kishte pyetur do t’i këshilloja që mos e bënte këtë deklaratë.

Sokol Balla: Opozita duket sikur nuk është shumë entuziaste me ardhjen e trump që thuhet se do të luftojë këtë “perandorinë sorrosiane”, që thuhet se mbështet qeverinë Ramën e të tjerë…

Ylli Manjani: Në fakt, këto janë teori konspiracioni, por po të shohësh, ekspertët ishin ose të Fondacionit Sorros, ose të lidhur me Fondacionin Sorros.

Sokol Balla: Pra po thoni që Sorros ka ndërhyrë në reformën në drejtësi?

Ylli Manjani: Jo, por dua të them që një pjesë e ekspertëve kanë qenë të fondacionit Sorros dhe disa ekspertë janë paguar nga Sorros. Këto lloj faktesh kanë ushqyer këtë teori konsipracioni.

Sokol Balla: Ju e besoni?

Ylli Manjani: Tentoj ta besoj.

Sokol Balla: Flisni pak a shumë me gjuhën e opozitës, LSI edhe në propozimet me reformën është shumë më afër me ato që ka thënë opozita. Megjithatë, ka një ftesë nga kryeministri aktual që nga shtatori e këtej, ku la të kuptohej që ftesa është për LSI, por ju po luani. Do të vazhdojë koalicioni?

Ylli Manjani: Nëse përputhen disa pamje me ato që thotë opozita nuk është blasfemi. Ne dallojmë me ata, por kemi disa përputhje. Ka shqetësime vendi dhe Qeveria duhet të jetë në punë dhe të fillosh me idenë se çfarë do të bëhet me qeverinë, kjo nuk është noramle. Çdo gjë në kohën e duhur.

Sokol Balla: Cila është arsyeja që nuk ktheni përgjigjje?

Ylli Manjani: Arsyeja është kjo që të thashë! Logjika e LSI është që të respektojmë institucionet që kemi zgjedhur dhe që janë në punë ende. Është hedhur një barrë e padrejtë drejt LSI-së pse nuk përgjigjet për koalicion. Kujt t’i përgjigjemi ne?!

Sokol Balla: Ftesës që ju ka ardhur.

Ylli Manjani: Ça ftese?! Ka një ftesë dasme dhe asgjë tjetër. Ka deklarata “i madhi dhe i vogli…” dhe informacione që kemi edhe PDIU-në. Ne duhet të ulemi të diskutojmë për idetë sepse kemi shumë pika të përbashkëta, por kemi edhe çështje të mprehta që na ndajnë.

Sokol Balla: Perceptohet sikur LSI lëviz mes dy partive deri në limite kohore dhe bën pazare me të dyja palët…

Ylli Manjani: Marrëveshja e Shkodrës bashkoi të majtën dhe nuk ishte pazar.

Sokol Balla: Dmth ardhja e PDIU në koalicion a e rrezikon vazhdimin e koalicionit tuaj me PS?

Ylli Manjani: Nëse pritet një përgjigje, kam merakun kush është pyetja. Deri më sot nuk ka një pyetje. Ne duhet të sqarojmë të konsolidojmë të majtën e bashkuar, apo të bëjmë një koalicion numrash. Ky ësthë mendimi im, jo i LSI-së.

Sokol Balla: Ju po thoni që ardhja e Idrizit është bërë pa konsultë me LSI?

Ylli Manjani: Nuk e di këtë. Po ngre një çështje dhe po arsyetoj me faktet për t’u përgjigjur pyetjeve se çfarë do të bëjmë në të ardhmen dhe këtu më mungon se cila është ideja.

Sokol Balla: Zgjedhja e presidentit nga PS është se kryeministri është i bindur që të nisë procedurën më 18 prill, ndërsa ka edhe një skenar tjetër, që ky parlament zgjedh presidentin me një seancë të jashtëzakonshme në korrik, për cilin variant është LSI?

Ylli Manjani: Presidentin do të zgjedhë ky parlament, do të betohet para këtij parlamenti, pra ky parlament do të mblidhet të paktën njëherë në seancë të jashtëzakonshme.

Sokol Balla: E shikoni Ilir Metën President?

Ylli Manjani: Nuk e di, por mund të them që LSI, krahas zotit Meta mund të propozonte shumë emra dinjitozë për President.

Marrë me shkurtime nga Top Story

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment