Nga Gëzim Tushi
Problemi i fëmijëve që janë në rrugë apo që ndodhen në situatë rruge dhe nuk ndodhen të atashuar në institucionet e natyrshme të jetës sociale ku duhet të jenë, të rriten, edukohen, kulturohen dhe zhvillohen janë fëmijë në rrezik apo në gjendje të emergjencës sociale. Në përgjithësi kjo kategori sociale e fëmijëve që janë jashtë kontrollit të familjes, që nuk frekuentojnë shkollën apo e kanë braktisur atë, që përdoren nga familja si faktor ekonomik komplementar apo shfrytëzohen nga “tutorët e rrugës” si karrem duke abuzuar me ta fizikisht, emocionalisht pse jo në shumë raste edhe seksualisht, nuk është e vështirë të konstatohet si “ekzistencë sociale” në rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të vendit tonë.
Pavarësisht përmasave që ka fenomeni i fëmijëve në situatë rruge, apo sa është numerikisht dhe statistikisht ai, shqetësimi ynë social duhet të jetë i madh, në rritje dhe me synimin pozitiv për ta frenuar atë. Sepse kur flasim për fëmijët që jetojnë në rrugë, që bëjnë punë të “këqija” dhe që për pasojë janë në gjendje të emergjencës sociale nuk ka rëndësi ana sasiore e problemit. Fenomeni ka shkaqe të caktuara që na detyrojnë që ta shikojmë atë si problem cilësor. Sepse qoftë edhe një fëmijë i vetëm të jetë në rrugë, që është jashtë institucioneve të edukimit dhe që punon duke sjellë të ardhura për familjen apo që shfrytëzohet nga të tjerët, shqetësimi i shoqërisë, shtetit, familjes, shkollës, policisë së komunitetit dhe vetë komunitetit duhet të jetë i madh.
Unë besoj se duhet të merremi akoma më shumë me problemin e punës së fëmijëve në shoqërinë tonë. Por jo thjesht duke folur por duke organizuar një debat social dhe politik kombëtar, për të ndërgjegjësuar njerëzit tanë se sa e keqe është kjo sindromë sociale që rëndon në kurrizin e brishtë të fëmijëve. Në përgjithësi ku flasim dhe diskutojmë për punën e fëmijëve si një e keqe e madhe sociale, përgjithësisht këtë çështje shikojmë vetëm në aspektin e papërshtatshmërisë dhe dëmeve fizike që kanë punët e papërshtatshme moshore të fëmijëve. Ky shikim tradicional i problemit të raporteve të fëmijës me punët e “këqija”, duhet të marrë fund.
Kjo do të thotë se tani është koha për të përdorur një optikë sociale të re, në vlerësimin e peshës sociale të problemit të përmasave të fenomenit të fëmijëve që janë në situatë rruge dhe njëherësh të synojmë që këtë çështje tani dhe akoma më shumë në të ardhmen duhet ta shikojmë ndryshe, ta vlerësojmë në përputhje me standardet moderne të qytetërimit që favorizojnë fëmijët, sepse në kohën e sotme sepse “…debatet rreth çështjes së punës së fëmijëve kanë të bëjnë gjithashtu me problemin e lirisë së zgjedhjes”. (Amartya Sen, “Zhvillimi si liri”, f. 52)
Padyshim në shoqërinë shqiptare të gjitha studimet e realizuara nga MPCSSHB apo në bashkëpunim me Unicef dhe organizata të tjera që janë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe luftën kundër rrezikut të shfrytëzimit të tyre përmes punëve të këqija, tregojnë se kjo patologji sociale, që është difekt serioz së pari i qëndrimit të familjes, si vendi bazë ku lulëzon dhe fillon të shfaqet fenomeni i fëmijëve që në vend të shkojnë në shkollë, të luajnë me fëmijët dhe të jenë nën kujdesin e veçantë prindëror, janë në rrugë, punojnë dhe ndihen të rrezikuar nga të gjitha llojet dhe format e mundshme të abuzimit fizik, emocional dhe seksual. Por ndërkaq duke zbuluar bazën e kësaj të keqe sociale dhe përgjegjësinë që ka familja e fëmijës së rrugës në këtë kontekst, ne nuk mund të jemi të qetë, as të lajmë duart nga përgjegjësia sociale që kemi si shoqëri dhe shtimin e detyruar të nevojës kombëtare për më shumë kujdes social që duhet treguar nga shteti.
Padyshim që në se do të bëjmë një prerje sociale të kategorisë së fëmijëve të rrugës dhe duam të bëjmë vlerësim serioz të “burimit” të kësaj dukurie nuk është e vështirë të pranosh se fenomeni i fëmijëve në situatë rruge është më e përhapur dhe frekuente në gjirin e familjeve që jetojnë në varfëri. Aty përgjithësisht është i kufizuar koncepti për raportet e fëmijës me punën dhe sidomos kuptimi i të drejtës së fëmijës për të zgjedhur se çfarë dëshiron të bëjë. Familja e varfër duke jetuar në varfëri e ka të vështirë të kuptojë se duke e vënë fëmijën në punë të papërshtatshme, shkel të drejtat e tij njerëzore dhe fëminore. Përdorimi i punës së fëmijës si faktor komplementar për të kompensuar mungesën e të ardhurave në familje apo vakumet financiare që krijon papunësia, është një deformim social, i cili në këto familje jo vetëm që nuk përbën shqetësim social por shndërrohet në një normë kulturore e cila përvehtësohet dhe pranohet nën presionin e natyrshëm të varfërisë edhe nga vetë fëmijët që mësohen të qëndrojnë në rrugë.
Pikërisht duke analizuar këtë situatë delikate të raportit të fëmijëve me punën në familjet e varfra, Amartya Sen thotë se pikërisht ”Shkeljet më të rënda të normave që ndalojnë punën e fëmijëve shfaqen në mënyrë tipike në skllavërinë e vërtetë të fëmijëve të familjeve të varfra, të cilët detyrohen të angazhohen në një punësim shfrytëzues (në vend që të ishin të lirë dhe ndoshta të shkonin në shkollë). (A. Sen, Zhvillimi si liri. F 52)
Dialektika e fenomenit social të fëmijëve që punojnë në shoqërinë tonë është e larmishme. Duke vlerësuar nga shkaqet që determinojnë këtë fenomen duket se ka fëmijë që këtë punë e bëjnë me “qejf dhe dëshirë”, pa qenë koshient për shfrytëzimin dhe shkeljen e të drejtave të tyre moshore. Por nuk mund të mohohet se fenomeni i punës së fëmijëve në jo pak raste ka marrë formën e punës së detyruar nga familja, e cila të jep përshtypjen e plotë të formave të vjetra të skllavërisë së tyre. Sepse shumë nga fëmijët që punojnë e bëjnë këtë punë të detyruar nga familje, e cila justifikohet me papunësinë dhe mungesën e të ardhurave, dhe për pasojë nuk ka as brejtje të ndërgjegjes dhe detyrimit prindëror se është duke bërë një krim social duke e detyruar fëmijën të dalë në rrugë, të bëjë punë të vështira që janë përtej mundësive të tyre moshore.
Ajo që është keq për ne, ka të bëjë me justifikimin që bëjnë familjet e fëmijëve që punojnë apo që bëjnë të detyruar punë të këqija. Mentaliteti se “robërimi” në punë i fëmijëve është i lidhur me situatën e vështirë ekonomike të familjes, është forma më banale e abuzimit me të drejtat e tyre. Të mos harrojmë një fakt, që punët që bëjnë fëmijët tek ne, jo vetëm nuk janë në përputhje me moshën e tyre por dhe akoma më keq, janë punë të vështira të cilat nganjëherë fëmijët i bëjnë me dhunë dhe egërsi sociale, pa llogaritur mundësitë e tyre fizike dhe aftësitë e tyre të munguara për shkak të moshës së njomë për t’i kryer punët që bëjnë.
Padyshim fëmijët që përfshihen padrejtësisht dhe në mënyrë të parakohshme në botën e punës, ju privohet një e drejtë e madhe siç është e drejta e shkollimit dhe e ndjekjes së shkollës. Statistikat tregojnë se numrin më të madh të fëmijëve situatë rruge janë ata që braktisin shkollën. Fëmijët që janë jashtë shkollës dhe detyrimit ligjor të saj, janë pjesa më e madhe e fëmijëve që punojnë në Shqipëri. Debati që duhet dhe masat që duhen marrë për të reduktuar, minimizuar dhe pse jo zhdukur krejt fenomenin e fëmijëve të rrugës, të atyre minoreneve që lypin, që punojnë si hamej apo llustraxhinj duhet të bëhet sipas të drejtave që atyre u jep Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve të cilat janë të ratifikuara nga qeveria shqiptare. Aton a detyrojnë që në asnjë rast të mos gjejmë justifikime zbutëse në përballjen me fenomenin e fëmijëve të rrugës, apo të mos bëhen interpretime të sforcuara për bivalencën e lidhjes së domosdoshme të situatës së familjes së varfër me kontributet komplementare që vijnë nga puna e fëmijëve.
Problemi është serioz dhe duhet marrë seriozisht. Ndaj nuk shërbejnë dhe nuk na ndihmojnë argumentimet empirike e justifikuese për të heshtur përballë realitetit të fëmijëve që bëjnë këto punë të këqija. Mendimi se puna e fëmijës ndihmon familjen e varfër dhe rrjedhimisht edhe vetë fëmijën, është argumentim i trashë, mediokër, kundërproduktiv. Në asnjë rast dhe asnjëherë nuk mund të përdoret fëmija për të punuar dhe sjellë të ardhura për familjen, duke i shkelur kështu barbarisht dhe në mënyrë të padrejtë të drejtën e tij për shkollim dhe zhvillim harmonik fizik, mendor dhe shpirtëror. Sepse “Sistemi i punës së fëmijëve – jo vetëm që është i keq- është bërë akoma më i neveritshëm, sepse pajtohet me punën e detyruar dhe skllavërinë efektive”. (A. Sen, “Zhvillimi si liri”, f 150)
Kjo është arsyeja pse duhet vënë më mirë në funksionim sistemi i mbrojtjes dhe mekanizmat ligjorë që parashikon “Ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, duke vënë në lëvizje më të shpejtë tërë sistemin e mekanizmave qendrorë dhe lokalë për mbrojtjen në tërësi të fëmijëve por veçanërisht të atyre që janë në situatë rruge. Padyshim, ndihet kohët e fundit se ka një ndryshim situata e prezencës së fëmijëve në rrugë. Sidomos pas Urdhërit të përbashkët të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrit të Brendshëm për të larguar fëmijët e rrugës, për t’i vendosur ata në institucionet rezidenciale publike të përkujdesit social dhe për të gjetur më pas në bashkëpunim me familjen dhe pushtetin vendor të zgjidhjeve më të qëndrueshme dhe përfundimtare. Largimi vetëm në Tiranë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit i 30 fëmijëve dhe sistemimi i tyre i përkohshëm në institucione të përkujdesit social për fëmijë, është një hap që duhet vazhduar.
Pavarësisht se mund të duket sikur nuk është zgjidhja e duhur, por megjithatë është rruga e natyrshme që do të ndikojë në zbutjen e problemit. Kryesore është të ndryshojë mentaliteti dhe marrëdhëniet tona me fëmijët, qoftë si familje apo dhe si shoqëri. Kjo do të thotë se ka ardhur koha kur ne nuk duhet t’i shikojmë fëmijët në rrugë me indiference, pa përgjegjësinë e duhur sociale që duhet të kemi për ta. Sepse, si familje dhe shoqëri, si shtet dhe komunitet bashkë me institucionet sociale të organizimit të jetës sic janë familja, shkolla, pushteti lokal, etj, duhet të tregojmë më shumë kujdes me fëmijët. Kurrë të mos harrojmë të vërtetën që aty në rrugë, tek ata fëmijë që sot shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë nga kushdo qofshin ata, nuk është çudi që nesër mund të jetë edhe hamalli por edhe filozofi…

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment