Zërin, imazhin e saj të ëmbël, të ndryshuar madje para syve tanë, duke qenë që ishte fare e vogël kur u shfaq për herë të parë, këngët… ia njohim, por sot, kur Olta Boka na prezantoi angazhimin e saj në Këshillin e Qarkut të Tiranës prej 7 muajsh si koordinatore, ishte një befasi për të gjithë.

Revista Class ka zhvilluar një intervistë, për të mësuar më shumë rreth kësaj ane pak të njohur të saj. Olta është diplomuar në degën e Juridikut që në vitin 2015 dhe puna që ka nisur në Këshillin e Qarkut të Tiranës është një mënyrë për të “marrë më shumë seç më është dhënë”, si thotë ajo, sepse dihet që ka talent për muzikë, nuk do të heqë kurrë dorë “nga dashuria e parë”, por gjithashtu edhe profesionin tjetër të saj, e ka zgjedhur me vullnet, kështu që kërkon ta zhvillojë veten edhe në atë drejtim. Aktualisht, bashkë me disa vajza të tjera ajo është koordinatore e Qarkut të Tiranës dhe alternojnë detyra nga më të ndryshmet, pa përfshirë ato specifiket që kërkojnë një trajnim teknik të veçantë. Merret me përgatitjen e shkresave, aktivitetet deri diku, korrespondencën, gjithçka që kërkohet në një Këshill Qarku…

“Unë jam natyrë kurioze, kështu që e kam pritur shumë mirë mundësinë për të mësuar diçka të re, që më krijon më shumë background. Për njerëzit, mund të duket e çuditshme sepse është shumë ndryshe nga imazhi që kam tek ata, por për mua është shumë normale. Mua më pëlqen të thith informacion në disa fusha, informacioni të mban gjallë. Sigurisht njeriu duhet të profilizohet, sepse nuk mund t’i bëjë mirë të gjitha, por kur e sheh veten të aftë diku, nuk ka pse të mos vetësfidohesh. Unë këtë jam duke bërë dhe nuk e kam pasur të pamundur. Kam përballuar lehtësisht punën gjatë javës dhe të kënduarit në mbrëmjet e fundjavës”.

Ndoshta sepse edhe më parë ditët e Oltës kanë qenë të zëna me aktivitet. Pasi u diplomua ajo nisi të jepte mësime kantoje paradite, ndërsa pasdite ndiqte Shkollën e Avokatisë, kështu që gjithmonë ka qenë e angazhuar. Ndoshta, këto shtatë muaj, edhe më shumë, por përsëri, nga asgjë nuk heq dorë, as nga takimet me miqtë dhe kohën në kafe. “Takohem sërish me miqtë, ndoshta rri më pak në kafe, por kam edhe kohë të lirë”, tregon Olta me një zë të vendosur që situatën e ka në kontroll.

“Unë jam shumë e re dhe nëse do ankohem tani për ngarkesën, nuk mund ta mendoj ç’do ndodhte më vonë”. Ndërkaq për më vonë, nuk bën plane angazhimesh. Nuk di të thotë nëse do vazhdojë të merret paralelisht me profesionin e saj apo do të kalojë në një fushë tjetër. “Unë punoj për të tashmen, për të marrë më të mirën e saj. Nuk kam fuqi parashikuese për të ardhmen. Di që ardhja këtu ka qenë e natyrshme, si pasojë e punës sime në vite. Mund të më shërbejë si përvojë për të ardhmen, por ndërkaq nuk e di nëse do merrem edhe më vonë me një punë si kjo, apo me diçka tjetër”.

E bindur është që nuk do të heqë kurrë dorë nga muzika. Ajo është talenti, dashuria, pjesë e shpirtit të saj, pa të cilën nuk do të ndihej njëlloj e gjallë.

 

 

 

 

 

 

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment