Një lajm i keq për ata që duan të blejnë shtëpi në Tiranë

Sektori i ndërtimit pritet të ketë zhvillime pozitive këtë vit për sa u përket ndërtuesve, por nga ana tjetër edhe çmimet e apartamenteve në kryeqytet parashikohet të shtrenjtohen.

Hajredin Fratari, nga Konfindustria, njëkohësisht ndërtues me përvojë në objektet e banimit pohoi se, zhvillimet do të jenë pozitive në sektor, por çmimet do të rriten me nga 50-120 euro nga periferia në qendër.

Fratari thotë se rritja e çmimeve do të reflektojë taksën e re të infrastrukturës që u vu vitin e kaluar nga Bashkia e Tiranës. Objektet e reja që do të ndërtohen këtë vit do të paguajnë 8% të çmimit të shitjes së objektit.

Kjo taksë deri në fund të vitit 2014 ishte 4% mbi koston e ndërtimit. Fratari pohoi se ka një kërkesë në rritje për objektet e banimit, sidomos për banesa me sipërfaqe të vogla dhe në periferi.  Ndërsa pohoi se kërkesa për banesa po nxitet nga rritja e kredisë për shtëpi.

Edhe Arben Dervishi, Sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve, pohoi se çmimet do të vijojnë të rriten në zonën e qendrës, ndërsa në periferi nuk do të ketë ndryshime të mëdha pasi oferta për objekte banimi do të jetë më e lartë.

Më shumë punë për ndërtuesit

Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, do të nxisin fondin publik të investimeve qysh në gjashtëmujorin e parë, ndërsa në pjesën e dytë të vitit do të aktivizohen lejet e ndërtimit sidomos në Tiranë, për shkak të Planit të Ri Rregullues. Fondi i Investimeve Publike prej rreth 76 miliardë lekësh do të orientohet për ndërtimin e ujësjellësve, mirëmbajtjes dhe sigurisë në rrugë, se sa ndërtimit të autostradave të reja. Ndërsa investimet private do të jenë më të larta për objekte banimi dhe HEC-e.

Ndërtuesit janë optimistë sidomos për sektorin e banesave, ku si oferta dhe kërkesa janë në rritje. Arben Dervishi, Sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve pohon se, miratimi i planit të ri Rregullues në Tiranë pritet t’i japë një hov ndërtimit në Kryeqytet.

“Janë shumë projekte gati që kanë mbyllur marrëveshjet me pronarët e trojeve dhe janë në pritje të miratimit të planit të ri rregullues nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Presim që puna në terren për ndërtimin e këtyre objekteve të jetë në gjysmën e dytë të vitit”, tha Dervishi.

Ai pohoi se pjesa më e madhe e kërkesës i dedikohet objekteve të banimit dhe më pak zyrave të biznesit dhe dyqaneve.

Madje në periferi shumë objekte që po ndërtohen i kanë dedikuar edhe katin e parë banimit, dhe jo shërbimeve.

Ai pohoi gjithashtu se ka një kërkese në rritje për standarde.

Blerësit gjithnjë e më shumë kërkojnë që shtëpia e re të respektoje standardet e sigurisë dhe hapësirat publike. Preferohen blloqet e banimit, ku brenda të tyre të jenë të organizuara hapësirat e pushimit dhe njësite e shërbimeve, tha Dervishi.

Ramë Geci një tjetër ndërtues me fokus infrastrukturën rrugore, pohon se viti 2017 do të përqendrojë me shumë ndërtimet në objektet e hoteleri turizmit, teksa ndërtimi i rrugëve është maturuar dhe nuk priten ndryshime. Geci pohoi se fondet publike, të cilat janë një ndër përcaktuesit kryesorë të sektorit të ndërtimit po orientohen drejt mirëmbajtjes dhe sigurisë, rrugore dhe furnizimit me ujë, më shumë se sa investimet në ndërtimin e rrugëve të reja./Monitor

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment