Një histori mbi armët kimike, kur u krijuan dhe pse cilësohen si armët më vdekjeprurëse në botë

Chemical-Weapons-cause-Mass-DestructionMediat ndërkombëtare kanë publikuar javën që shkoi lajme se Shqipëria, Belgjika dhe Franca janë kandidatet e mundshme për të shkatërruar arsenalin kimik të armëve të Sirisë, që llogariten në mbi një mijë tonë gazra dhe agjentë të tjerë kimikë. Deri tani Norvegjia ka refuzuar, duke cituar kufizimet kohore dhe rregullat ndërkombëtare si pengesa për përfshirjen e saj. Ndërkohë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pro edhe nga qeveria shqiptare nuk ka pasur ende asnjë koment zyrtar mbi këtë çështje. Duke marrë shkas nga mundësia që këto armë të shkatërrohen në Shqipëri, gazeta “Tirana Observer”, sjell në një raport dy faqesh gjithçka duhet të dini mbi këto armë. Kur janë krijuar, cili shtet i ka përdorur, dëmet që sjellin në organizmin e njeriut dhe pse cilësohen si armët më vdekjeprurëse në botë.

Lufta biologjike

Në vitin 1995, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshinë në një listë 17 vende, që ata thonin se kanë programe për prodhimin e armëve biologjike. Këto shtete ishin: Irani, Iraku, Libia, Siria, Koreja e Veriut, Tajvani, Izreali, Egjypti, Vietnami, Laosi, Kuba, Bullgaria, India, Koreja e Jugut, Afrika e Jugut, Kina dhe Rusia. Por udhëheqësit rusë, këmbëngulën duke thënë se ata i kishin mbyllur programet e armëve biologjike vite më parë. Vende të tjera, përfshi këtu SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, kanë pasur programe për armët biologjike në të shkuarën, por ato i kishin mbyllur ato në vitin 1972, kur shqetësimi ndërkombëtar çoi në arritjen e një traktati që ndalonte prodhimin dhe magazinimin e këtyre armëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Britania bëri prova për përdorimin e antraksit si armë në ishullin skocez të Gruinardit. Ishulli në fjalë nuk u dekontaminua deri në vitin 1987. Grupi Aum Shinrikyo, i cili hodhi gazin Sarin në metronë e Tokios në vitin 1995, ka lëshuar po ashtu antraks. Askush nuk u infektua. Ekspozimi më i madh njerëzor ndaj thithjes së antraksit ka ndodhur në vitin 1979, në një qendër ushtarake biologjike në Sverdlovsk të Rusisë. Sporet e antraksit u lëshuan aksidentalisht, duke çuar në 79 raste infektimi, 68 prej tyre shkaktuan vdekje.

Historia e substancë kimike luftarake ‘Sarina’

Sarina është një substancë kimike luftarake. Emërimi sistematik është Metil-fluor-fosfonacid- isopropyl-ester. Formula kimike është CH3P(O)(F)OCH(CH3)2. Emrin e saj trivial e ka nga zbuluesit e saj: Schrader, Ambros, Rüdiger dhe Linde. Sipas OKB dhe rezolutës së saj 687 sarina është armë kimike për shkatërrim në masë të gjerë. Prodhimi dhe përdorimi i saj është ndaluar që nga viti 1993 në bazë të konventës për përdorimin e armëve kimike.

Historia

Kjo substancë u zbulua në vitin 1938 në Gjermani nga një grup shkencëtarësh kryesuar nga kimisti Dr. Gerhard Schrader, gjatë studimit të lidhjeve fosforike për t’i përdorur ato si insekticide.

Vetitë kimike

Struktura dhe aktiviteti biologjik i sarinës janë të ngjashme me shumë insekticide në përdorim si malathion, po ashtu me aktivitetin biologjik të karbamateve që përdoren si insekticide siç është sevin, si dhe me medikamentet mestinon, neostigmin dhe antirilium. Në temperaturë të dhomës sarina është një lëng pa ngjyrë dhe pa erë. Shtypja e saj e lartë e avullimit tregon që ky helm avullon shpejt (36 herë më shpejt se tabun, po ashtu helm i ngjashëm kimik). Po ashtu edhe avulli i saj është pa ngjyrë dhe pa erë. Mund të shtohet koha e ndikimit duke ju shtuar lyra të caktuara ose prodhime të petroleumit.

Afati i përdorimit

Sarina ka një afat shumë të shkurt të përdorimit, pasi që ajo humb efektin e saj pas një deponimi prej disa javësh apo disa muajve. Afati mund të shkurtohet edhe më shumë nëse substancat që përdoren për prodhimin e saj posedojnë papastërti të shkaktuara nga substanca tjera të shtuara.

Ndikimi

Si edhe helmet tjera nervore sarina sulmon sistemin nervor të organizmit të gjallë. Sarina mund të merret në trup nëpërmes të lëkurës dhe frymëmarrjes. Vetëm një mbrojtje e tërësishme e trupit mundet të pengoj marrjen e saj në organizëm. Në trup kjo substancë e bllokon enzimën acetik-kolin-esterazë në sinapsat e sistemit nervor parasimpatik vegjetativ. Kështu vije te rritja e transmetuesit nervor acetilkolinës në sinapsë dhe kështu te një nxitje e përhershme e parasimpatikus.

 

Simptomat

Ndikimi dhe simptomat janë të ngjashme me helmet tjera luftarake: tabun, soman dhe VX, por edhe me helmimet me insekticide të ndryshme si me paration (E605). Varësisht nga doza e helmimit janë këto simptoma:

-Dhembje të syve, pengesa në pamje, ngushtim të pupilës së syrit

-Pengesa në frymëmarrje dhe ngushtim në gjoks

-Rrjedhje e hundëve,

-Rritje e pështymës

-Rrjedhje e gjakut nga goja dhe hundët

-Vjellje, jashtëqitje e pakontrolluar

-Ngërç dhe tkurrje e muskujve

-Ngritje e temperaturës së trupit

-Humbje kontrolle mbi funksionet e trupit si urinimi, jashtëqitja

-Djersitje e shtuar

-Pengesa në gjumë dhe ëndrra të këqija

-Ndjeshmëri e shtuar ndaj dritës

-Humbje e kujtesës dhe vetëdijes

-Paralizim i trupit

- Koma

-Ndalimi i plotë i frymëmarrjes

-Vdekja

Shumë nga simptomat e larta nëse mbijetohet helmimi mund të mbesin përherë!

 

Metodat e mbrojtjes dhe antidoti

Substancat luftarake nervore janë vdekjeprurëse në dozat më të vogla. Sarina është 500 herë më helmuese se cianidi! Vdekja mund të pasoj brenda një minute pas gëlltitjes së 0.01 mg/kg peshë trupore në qoftë se nuk jepen menjëherë antidotet : atropina dhe pralidoksima. Sipërfaqja e sulmit është i tërë trupi. Për këtë arsye ofron mbrojtje vetëm një veshje mbrojtëse e tërë trupit me maskë mbrojtëse të frymëmarrjes. Para një përdorimi luftarak të tyre mund të merren tabletat Oxim. Pas një helmimi bëhet injektimi i atropinës (helmi i bimës Atropa belladonna), një mjet për zbutjen e ngërçit. Gjatë terapisë së mëtutjeshme e cila zgjatë disa javë duhet të bëhet regjenerimi i enzimës acetilkolinesterazë me anë të substancës pralidoksim (obidoxim). Kjo e fundit duhet të jepet brenda 5 orësh pas helmimit. Për dekontaminim mund të përdoren mjete oksiduese dhe tretje alkalike, pasi që kështu shpejtohet hidroliza e helmeve nervore luftarake në mjedis bazik. Si mjet kundër helmimit mund të përdoret një tretësirë e përbërë nga sapuni, tretje alkalike, amoniaku ose gëlqerja e klorit. Kryesisht përdoret gëlqerja e klorit për sipërfaqe jo aq të ndjeshme, kurse për ato të ndjeshme përdoren tretje të natriumkarbonatit.

 

 

Ku u përdor Sarina deri para luftës civile në Siri

-Lufta e Dytë Botërore: Edhe pse e posedonin këtë mjet nazistët vendosën mos ta përdorin atë.

-Në vitet e 50-ta ShBA dhe Rusia prodhuan sarinën si mjet luftarak.

-1980-88 : Sarina u përdor në luftën e Irakut kundër Iranit.

-Iraku e përdori atë kundër pakicës kurde në mars të vitit 1988 me afro 5000 viktima.

- Gjatë dy akteve terroriste të sektës japoneze Aum (në vitin 1994 në Matsumoto dhe më 1995 në Tokio) u përdor po ashtu ky helm

 

 

Nga Hitleri te Niksoni deri tek sovjetikët, historia e armëve kimike

 Gazet nervore (të cilat ndryshojnë sipas përbërjes) kanë një histori të gjatë dhe kontroversale me përdorimin e tyre si armë kimike në konfliktet dhe luftërat e ndryshme përgjatë dy shekujve të fundit. Ato u krijuan në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar për qëllime bujqësore (pra si insekticide dhe pesticide) nga kompania “Bayer” në Gjermani. Thuajse i menjëhershëm ishte konvertimi i tyre për qëllime ushtarake. Rezerva të ndryshme të gazeve nervore u gjetën nga Aleatët në arsenalet gjermane, megjithatë vazhdojnë të mbeten dyshime të shumta se përse Hitleri nuk i përdori kurrë. Dëshmi të ndryshme vërtetojnë përdorimin e gazit nervor nga forcat amerikane në Laos dhe Vietnam përgjatë konfliktit indokinez, midis viteve 1968-1970. Ai konsiderohej nga shumë gjeneralë si mënyra e vetme për të frenuar guerilasit që fshiheshin në xhungël. Edhe sovjetikët u akuzuan se e përdorën për të nënshtruar rezistencën afgane gjatë pushtimit të vitit 1981. Kombet e Bashkuara konfirmuan se këto substanca u përdorën nga regjimi i Sadam Huseinit gjatë luftës kundër Iranit, në fillim të viteve ’80. Përdorimi i fundit i tyre, sigurisht para rastit sirian, ishte ai në atentatin terrorist që shkaktoi vdekjen e 12 personave në një stacion metroje në Tokio, në mars të 13 viteve më parë. Gazet nervore të thithura nëpërmjet ajrit prodhojnë brenda pak minutave kontraktime muskulare shumë të dhimbshme dhe një paralizë të shoqëruar me spazma: personat e prekur nuk arrijnë të lëvizin vullnetarisht muskujt edhe pse mbeten të ndërgjegjshëm. Vdekja vjen brenda disa minutave ose pak orëve, në varësi të sasisë së gazit të thithur. Agjentët nervorë më të përdorur janë Sarini (i cili është edhe më tradicionali) dhe i ashtuquajturi VX. Shfaqen në gjendje të lëngshme, me ngjyrë të verdhë dhe pak të yndyrshëm. Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e tyre, pasi qëllohet me to dhe mbërrijnë objektivin shpërndahen në ajrin rreth tij. Një pjesë e këtyre gazeve mund të mbetet aktive në ambient për disa ditë, duke e kontaminuar atë.

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment