Rrëfehet Kadare: Pse nuk bëra burg në diktaturën komuniste

Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur shqiptar në botë, ka dhënë një intervistë për agjencinë rumune “news.ro”.

Kadare tregon se vendosi të bëjë diçka ndryshe, pasi të bërit burg ishte shndërruar në diçka të zakonshme në kohën e komunizmit, e për ata që mbesnin jashtë, i burgosuri brenda nuk sillte asnjë përfitim.

Ai e përshkruan vendimin e tij si një veprim sensacional, ku ai do të kishte mundësinë të luante një rol.

“Kur lashë Shqipërinë, bëra një llogari të ftohtë: ekzistonte një lëvizje intelektuale që priste diçka dhe unë duhej të bëja pak zhurmë. Lashë vendin, bëra një deklaratë publike, që është e njohur për të gjithë. Ishte një skandal, u shpalla dezertor, tradhtar. Ditën që lashë vendin, në orën 6 në mbrëmje njerëzit dëgjuan deklaratën time në “Zërin e Amerikës”. “Pse nuk bëre burg”, më thonë. Ishte e thjeshtë të shkoje në burg, por a do të kishte kuptim? Shumë pak. Ndërsa ky ishte një veprim sensacional, unë luaja një rol. Burgu në diktaturën komuniste ishte një gjë pa rëndësi. Me mijëra u burgosën dhe nuk pati asnjë rezultat”, është shprehur shkrimtari Kadare.

I pyetur nëse Enver Hoxha ishte njeri i fuqishëm, ai përgjigjet: “Jo, ai ishte një imazh i krijuar për njerëz të zakonshëm dhe naivë. Për mua ishte një mediokër”.

Gjatë një bisede me gazetaren Magda Gradinaru, shkrimtari ka rrëfyer jetën nën diktaturën komuniste, paralelizmin mes diktaturës komuniste dhe Perandorisë Osmane, legjendat dhe mitet me origjinë europiane, zgjedhjet e një shkrimtari, diktatorin Enver Hoxha, Leninin, Karl Marksin, mërgimin, etj.

“Është një mister i njerëzimit për mua. Hitleri ishte mediokër, Musolini ishte deri diku i aftë, Stalini ishte po ashtu mediokër. Për Leninin është krijuar një legjendë që ka qenë një gjeni, por unë nuk e besoj. Ai ka shkruar një libër të vogël mbi letërsinë, plot me budallallëqe, duke shfaqur një injorancë totale dhe një naivitet kërcitës. Kam gjetur atje tri thënie interesante. Ai ka qenë një burrë mizor, që bashkoi mizorinë me pamjen e tij modeste. Madje, unë kam dyshime të mëdha edhe për Karl Marksin”- thotë Kadare, duke shtuar se “Këtu në Perëndim, shumë e konsiderojnë një gjeni. Po, ku është gjenialiteti i tij? Ku është gjenia, nëse nuk ka asgjë të re në mendimin e tij ekonomik, asgjë kreative?”.

 

 

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment