Lazër Stani tregon si e shpëtoi Dritëroi: Mbështetja që i dha mbesës së “armikut” Abaz Kupi

Asokohe as nuk e kishte ëndërruar se një ditë do të takonte Dritëro Agollin. Atë, që e cilësonte, si poet të madh, të parin e shkrimtarëve në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë dhe Artistëve.

Ndërsa, sot pas takimit të parë me të, në sallën “Ali Kelmendi” në Pallatin e Kulturës, e kujton Dritëro Agollin, si një njeri të mençur dhe me një elokuencë, që të bënte për vete, teksa fliste për poezinë. Bëhet fjalë për shkrimtarin dhe publicistin Lazër Stani, i cili gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, rrëfen sesi Dritëro Agolli, që në takimet e para ka qenë i afërt me të, si një prind i dashur. Edhe kështu takimet mes tyre vazhduan.

Ata pinin kafe, bënin humor, flisnin për letërsinë dhe librat, por në asnjë takim, Lazër Stani nuk mban mend që të kenë folur për parti dhe partishmëri.

Ndërsa, përsa i përket diskutimeve, që kanë lindur pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli; nëse i përkrahte apo jo shkrimtarët e rinj në letërsi apo për studime të larta, Stani na rrëfen se përpjekjet e tij për mbështetje kanë qenë të shumta. Ai ndalet te botimi i një poezie të mbesës së Abaz Kupit (Luljeta Lleshanakut, bashkëshortes së tij) dhe te rekomandimi, që Agolli bëri asokohe, që poetja e re të niste studimet e larta. Por, sikundër rrëfen Stani këtë rekomandim shefi i Arsimit në Krujë e hodhi në koshin e plehrave.

Mbështetja  dhe rekomandimi i Agollit, sipas Stanit, pavarësisht pozicioneve politike që kishte, nuk pinte ujë as te një shef seksioni në arsim, le më kund tjetër. “E tillë ishte Shqipëria në atë kohë, i tillë ishte regjimi, i tillë ishte edhe autoriteti real i shkrimtarit në pushtetin e zi të diktaturës”.

Zoti Stani, a mund të na tregoni se si e keni njohur Dritëro Agollin?

Fillimisht e kam njohur nga poezitë, si lexues që kur isha nxënës shkolle, siç e kanë njohur shumica e shqiptarëve. Mbaj mend, pas shkollës së mesme, kur po bëja stazhin, u botua një libër me poezi të zgjedhura të Dritëroit, me kopertinë blu. Atë libër e kam mbajtur shumë kohë në dorë dhe disa vargje lirike të botuara në të i mbaj mend edhe sot e kësaj dite, si vargjet e poezisë “Mollët”, për shembull; “Ajo binte erë mollë atë natë,/Atë natë rinore pa trazira,/Nuk më kujtohet se ç’i thashë, /Por di që i thashë fjalë të mira”.

Por, në atë kohë as mund të ëndërroja se një ditë do ta takoja poetin e madh, që ishte edhe i pari i shkrimtarëve shqiptarë, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Por, fati e solli që disa vite më vonë, kur isha student në Fakultetin e Shkencave të merrja pjesë në një takim të shkrimtarit me studentë të zhvilluar në sallën “Ali Kelmendi” në Pallatin e Kulturës, aty ku është sot Albanian University. Dritëroi po fliste për poezinë, i gjallë, i mençur me një elokuencë që të bënte për vete. Tha diçka për poezinë hermetike që, sipas tij, i ngjan monologut të morgut në manastir, që i thotë lutjet e tij në vetmi, i pakuptuar e i padëgjuar nga askush. Shtoi se poezia duhet të komunikojë, të emocionojë dhe të zgjojë shpirtrat njerëzorë. Foli pastaj për modernizmin dhe tha se, modernistët përpiqen ta kruajnë veshin e majtë me dorën e djathtë dhe anasjelltas, duke u stërmunduar e zgjatur krahun pas qafës.

Dhe bëri gjestin përkatës që ne na shkaktoi të qeshura. Tregoi edhe për një ngjarje që lidhej me një tregim, të censuruar nga redaktori skematik. “Nëse do ta botosh tregimin”,- i kish venë kusht redaktori, – “kësaj femrës duhet t’ia presësh sisët”. Kështu që nëse ndonjëri nga ju e ka lexuar atë tregim, ka gjetur një femër pa gjoks, cicaprerë, të operuar në mënyrë të shëmtuar. Po femrat kanë sisë të bukura apo jo?” Ne po e dëgjonim gojëhapur, të emocionuar dhe fakti që e mbaj mend këtë bisedë të vitit 1983 edhe sot e kësaj dite, e dëshmon këtë.  Por prapë si student i shkencave, as që e mendoja se do të takoheshim ndonjëherë dhe për më tepër do të ishim miq. Por kjo ndodhi, diku në fund të viteve tetëdhjetë, kur unë kisha botuar dy-tre tregimet e para në shtyp. Dritëroi dha një intervistë në gazetën “Drita” dhe mes dy-tre emrave të shkrimtarëve të rinj që përmendte, i pari ishte emri im.

Kjo nuk ishte gjë e vogël, ishte shumë e madhe për mua, se unë ende nuk kisha botuar një libër. Pas ca ditësh u takuam në shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i zgjata dorën dhe iu prezantova. Ai më hodhi dorën në qafë, më përqafoi dhe më ftoi për kafe. Biseduam aq lirshëm për më shumë se dy orë, sa ngjanim si dy miq të vjetër që i kanë munguar gjatë njëri-tjetrit dhe që kanë shumë gjera për t’i thënë sho-shoqit. I ngrohtë në bisedë, i afërt, i sinqertë dhe me humor, të bënte të ndiheshe i barabartë, si me ndonjë nga shokët e t’u të shkollës. Nuk e di se si, por që në takimin e parë, i drejtohesha me Dritëro dhe ti. Them se, ishte aftësia e tij e veçantë, që ma krijoi këtë afërsi dhe këtë ngrohtësi, thuajse prej prindi të dashur. Pas atij takimi të parë ne takoheshim shpesh, pinim kafe, bënim humor, qeshnim me zemër, flisnim për letërsinë dhe librat. Në këto takime, kurrë nuk mbaj mend të më ketë folur për parti dhe partishmëri dhe budallallëqe të tjera të kësaj natyre. Ishte vërtetë një burrë i zgjuar, që dinte si të fliste e të bënte për vete atë që kishte përballë. Dhe me mua, besoj se ndihej krejt i lirë, i ç’prangoste fjalët, mendimet.

A e përkrahte Dritëroi një shkrimtar të talentuar nëse e spikaste?

Janë të shumtë shkrimtarët, që i ka përkrahur në fillimet e veta letrare, e thonë këtë apo jo. Unë po tregoj një rast shumë domethënës. Në maj të vitit 1989 u njoha me poeten Luljeta Lleshanaku. I botova një cikël me poezi në “Zërin e Rinisë”, poezi që ajo nuk mi kishte sjellë mua, po redaktorit përkatës në redaksi, para dy muajsh. Pas një telefonate të rastësishme që pata me Luljetën, ndërmjetësova t’i botoheshin poezitë te kryeredaktori. Një ditë më pas vjen Remzi Lani në zyrë dhe më thotë: “Bëmë gabim që i botuam poezitë. Ajo është me biografi të keqe, por nëse të pyesin ty thuaj nuk kam ditur gjë. Ashtu do të them edhe unë”. E kuptova se Luljeta nuk do të mund të botonte më poezi në “Zërin e Rinisë” dhe disa muaj më vonë, nga mesi i verës, Luljeta më sjell një cikël poezish, të cilat ia shtypa në makinë shkrimi dhe ia dhashë Bardhyl Londos për t’i lexuar. Bardhi i pëlqeu menjëherë dhe tha se do t’i botonte. Qesha! Kurrsesi nuk mund ta rrezikoja mikun tim, por u kënaqa që edhe ai si poet i pëlqeu poezitë e Luljetës.

-Bardhi,- i thashë-, a ke dëgjuar për Abaz Kupin?

-Si nuk kam dëgjuar,- tha-, pse?

-Se nëna e Luljetës është mbesa e Abaz Kupit. Bardhi i mvrejt në fytyrë dhe heshti një grimë.

-Po për Alush Lleshanakun ke dëgjuar, e pieta?

Bardhi ngriti kokën dhe po më shihte i çuditur. Sikur më thoshte: Ç’dreqin tjetër ke për të thënë.

-Ke dëgjuar për Alush Lleshanakun?

-“Si nuk kam dëgjuar”, tha. Është mbesa e tij, vajza e vëllait të Alush Lleshanakut, dhe shtova: “Bijë armiqsh më damkë, jo dosido”.

Bardhi, të cilin e kisha mik prej vitesh, po më shihte çmeritur, sikur thoshte ç’dreqin të ka hipur në kokë sot.

Pas një pauze, Bardhi tha: “Ngjitemi e ia japim Dritëroit t’i lexojë. Nëse ai i merr përsipër unë do t’ia botoj”. U ngjitëm të dy bashkë në zyrën e tij, ia dhamë poezitë t’i lexonte, pasi i treguam për lidhjet e autores me Abaz Kupin dhe Alush Lleshanakun.

Dritëroi, pasi i lexoi tha se jo vetëm do të botoheshin, por do të shkruante edhe një prezantim për poezinë e poetes. Përgjegjësinë për botimin e merrte ai. Aty ndërhyri Bardhi, më dashamirësi, që ta mbronte: “Prezantim mos bëj -, i tha, -i botojmë vetëm poezitë. Prezantimi me fjalët e tua do të ishte provokim i madh”.

Ashtu ramë dakord dhe unë me Dritëroin zbritëm në kafe, ndërsa Bardhi shkoi në zyrë me poezitë në dorë.

-“Si kështu more Dritëro, – i them unë – , ti ke bërë dhe poezi kundër Abaz kupit…”, i thashë unë duke qeshur.

-“E ç’kam thënë në atë poezi?”, më pyeti.

-“Ke thënë se bridhte me kalë me faqoren e rakisë në xhep”.

-Hahaha, qeshi. “Po gjëra burrash i paskam thënë nuk e paskam sharë”.

Dhe si u mendua një grimë shtoi: “Ka qenë trim, trim i çartur. Dhe patriot”.

Atë shtator i kërkova Dritëroit një rekomandim për Luljetën që të vazhdonte shkollën, ngaqë për shkak të biografisë, ajo nuk mund t’i vazhdonte studimet e larta. Ma dha rekomandimin menjëherë me fjalët më vlerësuese, por shefi i Arsimit të Krujës e gjuajti menjëherë në koshin e plehrave, duke sharë diçka nëpër dhëmbë. Fjala e tij, mbështetja e tij, rekomandimi i tij, pavarësisht pozicioneve politike që kishte, nuk pinte ujë as te një shef seksioni arsimi, le më kund tjetër. E tillë ishte Shqipëria në atë kohë, i tillë ishte regjimi, i tillë ishte edhe autoriteti real i shkrimtarit në pushtetin e zi të diktaturës.

Në sallë shpërtheu protesta, Dritëro Agolli në panel: “Lazër Stanin do ta marr unë në punë”

Lazer Stani flet për herë të parë rreth ngjarjeve që ka përjetuar gjatë sistemit komunist, sepse mendon se vuajtjet që ka kaluar ai gjatë periudhës komuniste, as që kanë të krahasuar me ato, të shkrimtarëve, që vuajtën në burgje dhe kampe internimi. Por, teksa pranon se Agolli i është gjendur pranë, si prind dhe mik, mbështetjen më të madhe e ka ndier në vitin 1990, kur e pushuan nga puna në gazetë dhe e shpallën armik, duke e dërguar në Kllojkë, atje ku i kishin përgatitur edhe arrestimin e tij. Megjithatë, Stani nuk u dorëzua. Ai u kthye në shtëpinë e tij, në Dukagjin, si një i papunë. Ndërsa, gjatë një konference për letërsinë në Korçë, do të ndodhte e papritura; Dritro Agolli do të jepte fjalën se do ta merrte në punë.

Juve personalisht, kur dhe si është përpjekur t’ju përkrahë?

Në ditët më të zeza më është gjendur në krah, si një mik, si një prind, pavarësisht se çfarë mund të bënte në të vërtetë. Thashë se si shkrimtar më përkrahu që në tregimet e parë, por përkrahjen më të madhe ma dha pas shtatorit të vitit 1990, kur më pushuan nga puna në gazetë, më shpallën armik me urdhër nga lart ca zyrtarë rinie, që sot bëjnë profesorin dhe patriotin dhe më degdisën në Kllojkë, duke përgatitur kështu arrestimin tim. Unë refuzova të shkoj në Kllojkë dhe u ktheva në shtëpinë time, në Dukagjin, i papunë, sepse ata nuk pranonin të më dërgonin as si mësues. Atje ku donin ata ose hiç. Dhe unë nuk pranova t’u bindesha se e njihja mirë atë regjim, e dija rrezikun. Në tetor, pra pas disa javësh, në konferencën për letërsinë që mbahej në Korçë, ngrihet Todor Keko dhe thotë se gjithë ato që thoni për liberalizimin dhe për demokratizimin janë broçkulla se ju para tre javësh hoqët nga puna dhe internuat një shkrimtar të talentuar, Lazër Stanin. Në sallë shpërtheu protesta dhe Dritëro Agolli, që ishte në panel, tha atë që nuk pritej: “Lazër Stanin do ta marr unë në punë”.

Me sa duket, sigurimi i shtetit, që i përgjonte shkrimtarët hap pas hapi, që të zhvleftësonte këtë protestë të tyre dhe që Dritëroi të mos bënte ndonjë budallallëk e ta merrte në punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, hapi të nesërmen fjalën se Lazër Stani është vrarë në kufi së bashku me të shoqen në tentativë arratisjeje. Më qanë të gjithë, miqtë, shokët, kolegët, madje edhe të afërmit e Luljetës, sepse lajmi kishte marrë dhenë, po unë nuk dija gjë i ngujuar në shtëpinë time. Pas ndonjë javë, miku im Faruk Myrtaj guxoi me ndihmën e një kolegu gazetar në “Zërin e Popullit”, të merrte në telefon centralin e Pultit, zona ku banoja unë dhe më çon fjalë të vija urgjent në Tiranë. Kur zbrita në stacionin e trenit në kryeqytet, miqtë që kishin dalë të më prisnin nuk u besonin syve.

Lajmi i vdekjes ishte i sigurtë se kishte dalë nga burime të Ministrisë së Brendshme. Bardhyl Londo, më shihte përballë tij në tavolinë, në kafen e Lidhjes së shkrimtarëve dhe i rridhnin lot. Atë janar fillova punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, në gazetën “Drita” me vendim të Dritëroit. Por, Komiteti ekzekutiv i Tiranës, që posedonte dosjen time të kuadrit, nuk pranonte t’ia jepte atë Lidhjes, me pretekstin se unë kisha thyer urdhërin, nuk isha paraqitur në punë ku më kishin emëruar, edhe pse tashmë ishte shpallur pluralizmi politik. “Ta mbajnë, ta ziejnë e t’i pinë lëngun”, tha Dritërio i zemëruar- , “Ti vazhdo punën e mos vrit mendjen”. I tillë ishte Dritëroi Agolli!

Shekulli

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment