Histori spiunësh, si arriti dosja “Trump” në duart e FBI

Armiku i betuar i Donald Trump, John McCain, pranoi se ai i dorëzoi FBI-së dosjen për shantazhet e mundshme ruse ndaj presidentit të zgjedhur, duke e quajtur veprimin e tij si diçka që “çdo qytetar do ta bënte”.

McCain,  një republikan anti-Trump prej kohësh – e cilësoi veten si një anëtar të pafajshëm e të shqetësuar të publikut, teksa përligji lëvizjen e bërë.

Senatori 80-vjeçar deklaron se nuk e ka idenë për vërtetësinë e dosjes, por beson se FBI duhej ta kishte, për shkak se ishte “delikate”.

“Bëra atë që do të bënte çdo qytetar. Mora informacion delikat dhe ia dorëzova FBI-së, tha për CNN, rrjeti që nxori lajmin për ekzistencën e dokumentit. Më pas raporti u botua i plotë nga Buzzfeed.

“Kjo ishte arsyeja pse ia dhashë FBI-së. Nuk e di nëse është i besueshëm apo jo, por mendova se informacioni i duhej dorëzuar FBI-së, agjencia e duhur e qeverisë”.

McCain shtoi: “Nuk jam i shqetësuar, sepse nuk e di nëse është e saktë apo jo. Nuk kam asnjë mënyrë për ta vërtetuar. Një person më dha informacionin. E pashë. Më pas e dorëzova te FBI. Kaq ishte kontakti im me FBI apo ndonjë agjenci tjetër qeveritare në lidhje me këtë çështje”.

Ai shtoi se nga raportet në media është i vetëdijshëm se FBI e kishte pasur që më parë këtë informacion.

Por kandidati i mundur republikan më 2008, i cili e ndau veten publikisht nga Trump shumë javë para zgjedhjeve, mund të ketë qenë më i përfshirë se kaq.

Është i panjohur zinxhiri i personave që qarkulluan dosjen deri në duart e FBI-së. Por, Carl Bernstein, reporteri i Watergate, i cili kontribuoi në lajmin e parë për ekzistencën e dosjes, publikuar nga CNN të martën në mëngjes, thotë se McCain e mori atë nga një ish-ambasador britanik në Moskë.

Bernstein tha për CNN: “Dosja ka ardhur nga një ish-agjent britanik i MI6, i cili ishte angazhuar nga një firmë kërkimesh opozitare në Uashington, e cila po gërmonte për Donald Trump, për llogari të kandidatëve demokratë e republikanë bashkë që konkurronin kundër Trumpit”.

“Firma kontrolloi lidhjet e biznesit të Trumpit, gjeti disa gjëra të dyshimta për rusët, për bizneset e tij në Rusi, dhe në vazhdim angazhoi ish-hetuesin e MI6 dhe ai erdhi me informacionin shtesë nga burimet e tij ruse. Ai ishte shumë i shqetësuar nga implikimi në këtë çështje dhe ia dorëzoi informacionin një kolegu në FBI, të cilin e njihte nga vitet e punës. Ia dorëzoi personit të FBI-së në Romë dhe ky ia dha Byrosë në Uashington në gusht”.

“Më pas, një ish-ambasador britanik në Rusi, mori të njëjtin informacion, në mënyrë të pavarur, dhe ia dorëzoi senatorit të Arizonës John McCain, menjëherë pas zgjedhjeve. McCain u shqetësua nga ajo që lexoi dhe ia çoi personalisht drejtorit të FBI-së, James Comey. Të dy biseduan për pesë minuta, McCain i dorëzoi dosjen dhe tani është në pritje të reagimit të FBI-së”.

Identiteti i ish-ambasadorit britanik nuk është zbuluar.

Ndërkaq, ish-spiuni i MI6 që i dorëzoi dosjen FBI-së në Romë dyshohet të jetë Christopher Steele. Pas daljes së lajmeve në media, 52-vjeçari është larguar nga shtëpia, duke u kërkuar fqinjëve të kujdesen për macen, dhe nuk dihet destinacioni i tij.

Steele, ekspert në analizë zbulimi dhe anti-terrorizëm, ka bashkëpunuar më parë me spiunin rus

Aleksander Litvinenko. Ish-agjenti i KGB-së u helmua me polonium në Londër më 2006, çka çoi në vdekje, gjë për të cilën është akuzuar direkt Kremlini.

Një fqinj i Steele tha për Telegraph: “Më tha të kujdesesha për macen, pasi do të largohej për disa ditë”.

Shefat e MI6 kanë deklaruar për Mirror se ish-agjenti i tyre mund të jetë fshehur në ndonjë shtëpi të sigurt, e cila mund të jetë në ndonjë vend tjetër.

Një burim thotë: “Kur i doli emri në media, u bë e qartë që mund të ishte në rrezik, ndaj u morën masa për ta mbrojtur dhe vendosur në një ambient më të sigurt”.

Christopher Steele shërbeu në MI6 për rreth dy dekada dhe tani është drejtor i një firme private sigurimi dhe investigimi, e quajtur Orbis Business Intelligence Ltd, me zyra në qendër të Londrës. /Daily Mail/Shqiptarja.com

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment