Meta “kërcënon” Ramën nëpërmjet Nikollë Lesit: PS të pranojë kandidatin tonë për President, ndryshe…

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po kalojnë një dimër të ftohtë mes tyre.

Pas përplasjes për reformën zgjedhore dhe mungesës së një përgjigjeje të Metës për koalicionin e ri, zgjedhja e presidentit të ri, mund të shkaktojë çarje në koalicion.

Madje gara presidenciale mund të vendosë fatin e koalicionit.

Ministri Ylli Manjani tha për Sokol Ballën mbrëmë sa presidentin e ri do ta zgjedhë ky Kuvend, jo ai i ardhshëm.

“Presidentin do të zgjedhë ky parlament, do të betohet para këtij parlamenti, pra ky parlament do të mblidhet të paktën njëherë në seancë të jashtëzakonshme”, tha Manjani në “Top Story”.

Po a do të jetë Ilir Meta, president?

“Nuk e di, por mund të them që LSI, krahas zotit Meta mund të propozonte shumë emra dinjitozë për president”, u përgjigj Manjani.

“Koha Jonë”, me botues Nikollë Lesin, që është mjaft pranë Metës, shkruan sot se LSI-ja e ja ka gati kandidatin për Pallatin e Brigadave.

Sipas “Koha Jonë”, ai është një person me vlera intelektuale të larta dhe gëzon mbështetje të gjerë popullore dhe mediatike.

Edhe pse nuk e përmend emrin, gazeta paralajmëron Ramën që ta pranojë, ndryshe do të ketë pasoja për koalicionin me LSI-në.

“LSI kërkon në këtë mënyrë të jetë vendimmarrëse në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.  Bile nëse PS-ja nuk do jetë dakort me emrin e LSI për president ka mundësi që PD-LSI dhe partitë e tjera të votojnë një emër tjetër nga ajo që do vendos PS-ja.

Skema është gati, gjithnjë po që se Edi Rama nuk pranon emrin e LSI, emër që mendohet se do ketë shumë mbështetje popullore dhe mediatike, sepse ka vlera intelektuale të larta.

Nëse ndodh që PS-ja nuk firmos edhe këtë pikë në marrëveshjen paraelektorale ku Presidentin e merr LSI, atëhere ka komplikacione dhe për qeverinë e zgjedhjet.

Ka kohë deri me 18 prill kur është afati i fundit për firmosjen e koalicioneve. Deri atë ditë PS-ja duhet të bëhet gati edhe e vetme, me Shpëtim Idrizin, të futet në zgjedhje”, shkruan “Koha Jonë”.

 

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment