Nuk është hera e parë që personazhet e njohur shqiptarë vizitojnë të njëjtin shtet, ndodhen në të njëjtin vend apo postojnë pothuaj të njëjtën foto. Por nëse kjo ndodh, edhe kur është fare rastësisht, do të “lindë” çifti i ri i showbiz-it.

I tillë është rasti i modeles së njohur Megi Ndokaj, e cila, javën e fundit, së bashku me shoqërinë e saj, ka qenë duke vizituar një prej ekspozitave të famshme të një grafit artisti me famë botërore në Miami, Alec Monopoly. Por nuk kishte as idenë më të vogël që edhe Fatmir Hysenbelliu, biznesmeni i njohur shqiptar, po bënte të njëjtën gjë.

Pas disa fotove që dy të rinjtë kanë ndarë nga profilet e tyre në rrjetet sociale, në kohë të ndryshme, lajmi se mes tyre mund të ketë filluar një romancë mori dhënë.

Por nuk ka asnjë romancë dhe asgjë të vërtetë në këtë mes. E kontaktuar nga revista Class, Megi Ndokaj, thotë se lajmet e përhapura së fundi në portalet shqiptare janë thjeshtë hamendësime dhe nuk kanë asnjë bazë të vërtete. Ajo sqaron se në këtë ekspozitë të përmasave të tilla, mund të shkojë kushdo, personazhe nga e gjitha bota: “Gjithçka është shkruar janë hamendësime. Të qenit në të njëjtin event me Fatmir Hysenbelliun është thjesht rastësi. Kjo është java e artit në Miami (Art Basel) dhe i gjithë Miami është i mbushur me ekspozita që vizitohen në çdo orë të ditës. Kushdo mund të jetë kudo”, – tha modelja duke hedhur poshtë të gjithë aludimet.

Po fotot? Postimi i tyre është në kohë të ndryshme, sqaron më tej Megi. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, në kohë të ndryshme, sepse në të njëjtin vend, me siguri ata janë gjendur në kohë të ndryshme: “Unë kam qenë me shoqërinë time dhe kam postuar disa foto nga vendet ku kam qenë, ashtu si edhe nga shumë ekspozita. Me Fatmirin nuk jam takuar fare, as e kam parë fare. Edhe në pishinë isha sërish me shoqërinë”, – përfundon modelja duke u dhënë fund aludimeve pa asnjë bazë reale.

Këmbëngulja mediatike për të bërë lajm gjithçka shihet nga një foto dhe për të aluduar ngjarje qoftë edhe me një detaj, është kthyer në trend, por rasti i Megit nuk ngjet aspak me personazhet që kërkojnë famë edhe përmes këtyre skupeve. Përkundrazi.