Pas zyrtarizimit të fejesës së tyre, Princi Harry dhe Meghan Markle kanë dalë për herë të parë për të përshëndetur turmën e njerëzve që po i prisnin me padurim t’i shihnin nga afër.

Më shumë se një mijë njerëz ishin mbledhur në Nottingham për të takuar çiftin më të ri mbretëror, por gjithashtu edhe për të dhënë përshtypjet e tyre për Meghan Markle. Në fillimet e lidhjes së tyre, aktorja nuk ka gëzuar këtë simpati kaq të madhe nga populli britanik, por kjo gjë tashmë ka ndryshuar. Njerëzit dukeshin shumë të entuziasmuar, aq sa për pak çaste thërritën në kor emrin e saj.

“Shumë faleminderit, e vlerësoj shumë”, dëgjohet teksa thotë Markle.

Herë pas herë i jepnin një përqafim njëri-tjetrit, por më pas u ndanin për t’u takuar me njerëzit. Meghan u shkëput nga Harry për të biseduar me turmën e njerëzve dhe pranonte gjithçka që ata i jepnin: që nga çokollatat, kartolina, madje për një moment një vajze i ra në tokë dorashka dhe aktorja me shumë thjeshtësi u ul ta merrte, për t’ia dhënë më pas asaj.

Meghan kishte veshur një pallto, që e mbronte nga të ftohtit të gjatë deri tek kyçet e këmbës, blu me çizme të zeza. Ajo gjithashtu ishte pa dorashka, kështu unaza e saj e fejesës ishte e dukshme. Por ajo që u bëri të gjithëve përshtypje ishte se Meghan mbante në dorë një çantë, gjë që dukesha e Kembrixhit rrallë e bën.