Nga SEJDO HARKA

Lasgush Poradeci, ky kolloz i poezisë shqipe, pavdekësia e shpirtit të pavdekshëm, krijues i vjershërimit modern dhe brilant të dashurisë dhe pejsazhit, ditiramb i Himnit dhe Flamurit kombëtar, ka përmasat e njeriut sa të zakonshëm, aq dhe të jashtëzakonshëm, sa të kuptueshëm , aq dhe të pakuptueshëm, sa të depërtueshëm, aq dhe të padepërtueshëm.

-Sot, shkruan Ismail Kadare në përvjetorin e ditëlindjes së tij, Lasgush Poradeci, është më i nevojshëm se rrallë herë për Shqipërinë, sepse pikërisht sot, kjo Shqipëri e përbaltur dhe e zhytur në mllef e grykësi vulgare, më shumë se kurrë ka nevojë për lartësim shpirtëror, për pastërti dhe qiellësi sublime. Dhe kjo është më se e vërtetë. Që t’i japësh frymëmarrje një kombi, duhen zhbaltosur vlerat e mbuluara nga harresa dhe mllefi o hakmarrjes mesjetare, duhen vendosur në vendin e duhur idhujt e vërtetë të kulturës, siç është L. Poradeci. Ajo që e kthen në frymë këtë gjeni, është shkolla poetike që krijoi me poezitë e tij të papërsëritshme, në të cilat gjallon jeta dhe vdekja, gëzimi dhe trishtimi, skllavëria dhe liria, urrejtja dhe dashuria. Në poezitë e tij ndjen se si regëtin zemra e Shqipërisë dhe shqiptarëve, se si përplasen valët e ngrohta të Liqenit të Pogradecit dhe se si curgojnë ujërat e kristalta të krojeve tona. Ndjen edhe afshin e ngrohtë të zemrave të dashuruara, edhe drithërimat e shpirtrave të sfilitur nga vuajtja e mjerimi , edhe puhizën që përcjellin fushat tona të begata, edhe ngjethërimat që vinë nga grykat e ashpra të maleve, edhe tingujt frymëzues të hymnit të flamurit. Lasgush Poradeci është një “etalon “i rrallë i industrisë krijuese të viteve ‘30, që i kalon dimensionet e asaj shkolle. Ai përherë përshkohej nga ndjesia e të pamundurës. Sa i vëmendshëm për gjithçka, aq dhe i përhumbur në harresën e tij, sa i kudondodhur aq dhe i mungueshëm. Në poezitë e tij ndjen jo vetëm gjëmimet e brendshme të një bote, sa reale, aq dhe e çuditshme, por edhe shpërthimet e jashtme, sa rrezatuese aq dhe verbuese, sa gazmore aq dhe drithëruese. Lasgush Poradeci, që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kishte qenë edhe i gjallë edhe i vdekur njëkohësisht. Ndaj shpesh ai është quajtur Pasternaku i Shqipërisë. Në shpirtin e tij mbijetonin edhe gëzimi edhe hidhërimi, edhe përbuzja edhe vlerësimi, edhe besimi, edhe mosbesimi, edhe buzëqeshja edhe zemërimi. Në letërsinë ballkanike të viteve 30-40, Poradeci bashkë me Nolin, shkëlqenin, mes 7 yjeve të rrallë të kësaj letërsie. Por krijimi i të ashtuquajturës Lidhje e shkrimtarëve , krijimtarinë e tij e mbuloi me napën e heshtjes dhe harresës. Cinikët dhe meskinët e kohës, për “blerë karriget e fallcitetit”, mbanin larg, ose mbulonin me” gjethe fiku” shkëlqimin e yllit të poezisë shqipe. Zemra e tij, në të vërtet , pushoi në nëntorin e vitit 1987, por për egoistët dhe kanibalët e kulturës, ai” pati vdekur”shumë shpejt. Veçse “vdekja“ e tij, nuk ishte një vdekje e zakonshme, por një “vdekje “e çuditshme. Poradeci edhe “i vdekur”, rrezatonte më shumë, meditonte më shumë, për rrjedhim ndriçonte më shumë se të gjallët. Edhe pse mediokrët e varrosën për së gjalli, ai kurrë s’u mat me hijen e tyre dhe kurrë s’pranoi të mbrohej nën” çadrat “e sejmenëve të oborrit të kohërave që jetoi. Në kokën e tij gjithçka rridhte ndryshe, edhe koha edhe jeta. Ishte tepër i hapur, ose siç e karakterizon Kadareja, i carë, që ndryshe do të thotë, i krisur. Ai kishte një kulturë të gjerë perëndimore. Fliste bukur në shumë gjuhë të botës, si anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht etj. Truri i tij ishte i jashtëzakonshëm. Mendimet e tij ishin të thella e të çuditshme, aq sa ishte e vështirë të depërtoje në thelbin e tyre. Në gjykimin e tij misterioz lexoje vështrimin e të gjitha kohërave. Është kjo arsyeja që mesazhet e krijimtarisë së tij dhe problematika që rrok, kanë dimesionet e universales. Atdheu e vendlindja, kultura e traditat dhe gjuha e flamuri, janë bërë objekt i shumë poezive të L. Poradecit. Një nga perlat e poezive, kushtuar qytetit të tij të lindjes, është ajo me titull”Poradeci”. Bukuritë e vendlindjes dhe të Liqenit të Pogradecit janë aq mahnitëse sa që e bëjnë të shkruajë vargjet:”Kur sjell ndërmend, ah atë vend/As rroj , as vdes , po jam pa mend”(222)Për të ka vlerë çdo gjë që”mban erë Shqipërie”. Këtë erë të ngrohtë ja sjell gjuha dhe kultura, mali dhe fusha, flamuri dhe kënga, puna dhe zemra, që rreh për Kombin. Për Lasgushin, Atdheu është edhe djepi edhe varri, edhe fusha edhe mali, edhe uji edhe zjarri, edhe hëna edhe dielli, edhe buka edhe mielli, edhe mjalti e sheqeri, edhe helmi e zeheri, edhe jeta e fantazia, edhe liria e skllavëria. Vendlindja e tij është “shkrumbi i natës”dhe “zhegu i diellit”. Ndërsa gjuha shqipe është “gjuhë e zjarrtë”, ”këngë e shenjtëruar”, ”verb i larë me ar”. . . Të ruash traditat, do të thotë të sigurosh vazhdimësinë e kombit. Këtë mesazh me vlera të përhershme ka dashur të përçojë autori nëpërmjet poezisë”Kënga pleqërishte”. Kënga pleqërishte, që vjen nga thellësitë e kohërave, poetit ja bën “shpirtin ujem”, sepse ajo mban brenda edhe vrull e gëzim, edhe” vaj”e dëshpërim, edhe “furtunë e shpërthim”, edhe skllavëri e lirim, edhe shpresë e hutim. Me atë ngrohtësi që ky poet I madh i këndon “Këngës pleqërishte”, I këndon edhe” Marshit të djalërisë”, në brendësinë e të cilit gjallon frymëmarrja e Kombit, Hymni i Flamurit dhe lavdia e Skënderbeut. Ndaj djalërinë, forcën dhe motorrin e zhvillimit të një kombi, e uron ”qofsh sa val’ e detit”(36). Frymëzim për shumë poezi të L. Poradecit janë bërë ngjarje e figura të shquara të historisë, kulturës, artit dhe letërsisë shqipe, siç janë, Shpallja e Pavarësisë dhe Ismail Qemali , që e vulosi atë me ngritjen e Flamurit në Vlorë. Në poezinë me kolorit të thellë popullor ”Ç’u mbush mali”, trimat e Ismail Qemalit vinë në Vlorë”Me flamur të kuq në dorë/si dhëndurrë me kurorë. Pyetja retorike “ç’ka që çan rrufeja retë, merr përgjigjen: ”Vjen Ismaili trim me fletë, që “fluturon si shigjetë”(145) Dita e shpalljes së Pavarësisë është “ditë e shenjtëruar”, sepse Pavarësia është frymëmarrje dhe liri, progres dhe zhvillim. Kurse Flamuri është”shenjë perëndie”, ”mburojë lirie “, që skuq si yll”. Është fat për Shqipërinë. Për Lasgush Poradecin poetët e mëdhenj si Naimi dhe Asdreni kanë shërbyer si model krijues , nga të cilët ka marrë ëmbëlsinë dhe melodicitetin e papërsëritshëm të vargut dhe vërtetësinë, sinqeritetin e kthjelltësinë e mendimit, veçori që i lëmoi dhe i përsosi më tej. Në poezitë e Poradecit, Naimi shfaqet si “mrekulli e fjalës shqipe”, që “fërfëllon si yll” në “sheshin e kuq të Qorbelasë mes trimërish stërgjyshore”. Naimi është nga ato figura të rralla të kombit dhe kulturës që “kurrë s’u lodh duke ndritur në kraharorin e kombit të zhuritur”. Ai ishte fjalëtor i rrallë/shpirt i ndritur i lirisë/yll i vjershërisë/verb i Perëndisë”(258)

Poezitë që e bëjnë L. Poradecin të pavdekshëm janë ato të pejsazhit dhe të dashurisë, të cilat shpesh ndërthuren aq bukur, sa është vështirë t’i perceptosh të ndara nga njëra-tjetra. Dashuria në poezitë e këtij romantiku modern është sa platonike aq dhe reale, sa iluzore aq dhe konkrete. Lazgushi është quajtur dhe poet i qiellësisë. Për të , dashuria është shëmbëlltyrë e lirisë njerëzore”, një “shpërthim I brendshëm”, që nxeh gjakun dhe ftoh arsyen. Ajo është e lirë”si zogu I qiejve”, që fluturon në hapësirë, por që rikthehet përsëri në folenë e tij për t’u fshehur në fund të zemrës. Dashuria buron nga thellësitë e shpirtit dhe pastaj “ngjitet deri te Zoti”, për të rrojtur përjetësisht. Të dashurës, poeti i drejtohet me vargjet me ngjyrim popullor:” ”…do të thyej si mënjollë/do të shtrydh porsi një mollë. Për të, dashuria është një magji e brendshme, që shpesh nuk i bindet vullnetit të mendjes, gjë që shprehet bukur në vargjet: ”Se s’dashuroja as un’, as ti/Po dashuronte dashuria” (72). Vajza që ka përvëluar shpirtin e djalit të dashuruar është “gji-mbuluara-si krua/shtat lëkundura-pallua, është “diell dhe hënë”, që djali e ruan thellë në zemër. Një nga poezitë më të bukura me motivet e pejsazhit, është ajo me titull ”Kroi i fshatit tonë”. Tek ky krua poeti gjen jo vetëm vendlindjen, por dhe vajzën që dashuron. Në këtë poezi ndërthuren në mënyrë të përkryer dukuritë natyrore me ato njerëzore. Dukuritë natyrore, si kroi, uji, yjet, hëna dhe dielli, vihen në funksion të përshkrimit të ndjesive njerëzore. Në brendinë e tyre, shohim djemtë dhe vajzat e dashuruara me sytë dhe buzët e tyre të qeshura, por dhe brengat dhe ofshamat që u shkakton dashuria. Në krijimtarinë e këtij poeti të madh gjejmë edhe poezi me motive filozofike siç është oda me titull ”Shpirtit”. Për Lasgushin shpirti është sa konkret aq dhe abstrakt, sa i dukshëm aq dhe i padukshëm, sa I përkohshëm aq dhe I përjetshëm, sa i vdekshëm aq dhe i pavdekshëm. Është “zemër dhe gjak, frymë dhe vlag”. Ndërsa në poezinë me të njëjtin motiv”Lënda dhe jeta”ai u jep përgjigje pyetjeve: Ç’është njeriu dhe jeta?! Në ç’raport qëndron njeriu me Zotin?! Ç’është lindja, vdekja dhe pavdekësia?!Nëpërmjet magjisë së fjalës, ai shpjegon se njeriu është “lëng , pluhur, era e lules…”. Ndërsa” përjetësia është pavdekësia e detit”. Lasgush Pogradeci lëvron me mjeshtëri, jo vetëm poezinë e shkurtër, por dhe poezinë e gjatë, poemën. Një nga poemat e tij më të bukura, me vlera universale është ajo me titull ”Ekskursion teologjik i Sokratit”, e cila nga mesazhet që përçon, tingëllon tepër aktuale. Sapo fillon të lexosh këtë poemë, të shfaqet para sysh figura madhështore e Sokratit, filozofit të parë të Greqisë së lashtë. Për poetin ai është “Tempull, me tru në kokë” që “filozofinë e uli nga qielli në tokë”. Për filozofin ateist “Nuk ka Zeus, nuk ka Zot…por ka popull të paditur”(337)Në këtë poemë Poradeci nëpërmjet gojës së Sokratit fshikullon jo besimtarët e vërtetë, por”Perënditë shtetërore”, mbretërit dhe kryeshtetarët, të cilët nuk besojë “as Tempull fhr as në Zot“, por hiqen si besimtarë të mëdhenj , vetëm për të garantuar pushtetin dhe paranë. Fatkeqësisht, ka dhe priftërinj e gjyqtarë që me popullin “tallen e qeshin duke e quajtur sylesh”. Sokrati me filozofinë e tij ateiste “tundi tempujt e njerëzisë/nga ujqit e teologjisë. Prandaj poeti shkruan: ”Ti më i drejti i Greqisë/Vdiqe përmes errësirës/Linde përmes historisë”(347). Së fundi mund të themi se krijimtaria poetike e Lasgush Poradecit ka “lartësinë e maleve dhe “thellësinë e detit”, ’ëmbëlsinë e mjaltit”dhe”fuqinë e hekurit”, ”bukurinë e luleve “dhe”bardhësinë e zemrës”, ”kthjelltësinë e qiellit”dhe”ngrohtësinë e këngës”. Ndaj, ky kolloz i letrave shqipe s’ka për t’u fshirë kurrë nga memorja e lexuesve të krijimtarisë së tij të papërsëritshme.

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment