KQZ mund të shpëtojë zgjedhjet, duke refuzuar PS-LSI

Nga Mero Baze

Edi Rama dhe Ilir Meta janë bashkuar sot për t’u shpjeguar shqiptarëve se kanë “vullnetin e mirë” të shkelin afatin kushtetues të një procedure për procesin zgjedhor, me shpresë se do të bindin opozitën të shkojë në zgjedhje. Në një letër të përbashkët që Gramoz Ruçi e Luan Rama i kanë shkruar KQZ-së, kërkojnë të shtyjë deri në datën 29 afatin e regjistrimit të koalicioneve partiake.

Kërkesa, përveçse është një atentat i rëndë ndaj ligjit, mbart në vetvete jo ndonjë “vullnet” të mirë për të futur opozitën në zgjedhje, por një hall që ka Edi Rama dhe Ilir Meta lidhur me koalicionin mes tyre. Afati për t’u regjistruar partitë politike në zgjedhje ka kaluar dhe Partia Demokratike nuk është regjistruar. Ajo nuk ka ndërmend të marrë pjesë në zgjedhje, edhe nëse ka pasur ndonjë pazar paraprak me LSI, për mënyrën se si do të mposhtin qeverinë para zgjedhjeve. Në këtë kuptim, kjo kërkesë përveçse është antikushtetuese, është dhe e pamoralshme për Partinë Socialiste, problem i të cilës, tani nuk është më koalicioni me LSI, por bërja e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Me këtë akt që ka bërë sot Partia Socialiste, ka korruptuar qysh në nisje procesin zgjedhor, duke detyruar ODIHR të mbajë shënim se afatet u dhunuan me “vullnetin e mirë” të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. Nga ana tjetër, Lulzim Basha sot ka arritur një sukses real, pasi po provon që afatet mund të shtyhen, dhe nëse shtyhen afatet, përse mos të shtyhen dhe zgjedhjet.

Termi “vullnet i mirë” nuk është justifikim, pasi Kushtetuta nuk e ka lejuar atë të veprojë si fuqi hyjnore mbi të. Për më tepër që nuk është fare vullnet i mirë, por hall mes dy partnerëve në sherr në koalicion.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet ta hedhë poshtë me vendosmëri këtë kërkesë. Duhet ta hedhë poshtë për të dëshmuar pavarësinë e tij nga politikat e ditës dhe për të na bindur se interesi i saj themlor janë zgjedhjet e lira.

E di që katër anëtarët e shumicës mund të jenë nën presion për këtë çështje, por ky është një nga ato testet që provon se KQZ nuk ndjek hallet e partive politike, por kushtetueshmërinë e zgjedhjve.

Nga ana tjetër, Gjergj Bojaxhi, Ben Blushi e kushdo tjetër që ka deklaruar se do hyjë i vetëm në zgjedhje, ka sot të drejtën e tij të plotë, të kërkojë që të konsiderohet i përfunduar afati i paraqitjes së koalicioneve në zgjedhje dhe që sot e tutje zgjedhjet do të bëhen vetëm sipas subjekteve politike. Kjo do na çlirojë nga shumë pikëpyetje që po shoqërojnë sabotimin e këtij procesi dhe që më kryesori mbetet turbullira e LSI, e cila nuk di kë të mbajë e kë të ndajë, Edi Ramën apo Sali Berishën. Dhe fakti që as Berisha e as Rama nuk ankohen për të, është shenjë se ai po i heq zvarrë të dy. Natyrisht, më shumë Edi Ramën.

Prej nesër në garë duhet të jenë vetëm partitë politike, pa koalicion me njëra- tjetrën dhe nga ky “aksident” me procedurat, shqiptarët mund të shikojnë për herë të parë sa vlen secili dhe kush duhet t’i qeverisë. Pas 18 qershorit, le të bëjnë pastaj koalicione pas zgjedhore dhe të formojnë shumicat në Kuvend.

Nëse KQZ nesër dorëzohet dhe shtyn afatet, ata kanë goditur rëndë procesin zgjedhor dhe beteja duhet vazhduar në Kolegj Zgjedhor. Zgjedhjet mes koalicioneve dhe zgjedhjet mes subjekteve politike janë dy gjëra të ndryshme. Prej sot nuk duhet të lejohet më garë mes koalicioneve, pasi ka përfunduar afati. KQZ nuk duhet të hyjë në kët spirale, pasi do të jetë e pabesueshme në gjithë hapat e mëtejshëm të administrimit të zgjedhjeve.

Premtimet se po përgatitet një tryezë për të futur PD në zgjedhje, janë boshe dhe ligji nuk mund të shkelet bazuar në pritshmëri pazaresh. Për më tepër që më pritshmëri ka vendosmëria e PD për të mos hyrë, se sa fundi i bojkotit të tyre.

Prej sot ODIHR ka filluar të mbajë shënim që zgjedhjet po prishen për shkak të një pazari të pandarë të LSI me PS. Biles ky pazar i pa ndarë mes PS e LSI, është në themel të gjithë skenarit të krizës, pasi ky skenar është frymëzuesi kryesor i çadrës dhe po i jep sot fitoren e parë Lulzim Bashës, në rrugën për t’i prishur zgjedhjet.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment