ish pronareProcesi i kthimit dhe kompensimit të pronave pritet të mbyllet brenda 10 viteve. Një fond prej 50 miliardë lekësh do të vihet në dispozicion të pronarëve. Ky është thelbi i projektligjit të ri për kthimin dhe kompensimin e pronës që pritet të diskutohet së shpejti në Kuvend. Drafti synon ti jap fund zvarritjeve burokratike, disavjeçare, të kompensimit të ish pronarëve , shumë prej të cilëve janë detyruar ta çojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut, ku edhe pse kanë fituar gjyqin ende nuk i kanë marrë ende paratë e kompensimit.
Projektligji
Sipas këtij projektligji brenda një afati 3 vjeçar do të shqyrtohen dhe do të jepet vendimi për të gjitha kërkesat e patrajtuara deri më tani. Po ashtu drafti i ri përcakton përfundimin e likuidimit të të gjitha vendimeve të kompensimit brenda një afati 10-vjeçar, duke garantuar shlyerjen e këtij detyrimi nëpërmjet fondit financiar të përvitshëm të përcaktuar në projektligj, si dhe fondit të tokës të përcaktuar e të garantuar në projektligj. Në këtë kuadër, në politikat buxhetore të Këshillit të Ministrave duhet që, në buxhetin e vitit 2016, të parashikohet një rritje e burimeve njerëzore të Agjencisë, të paktën 5 vitet e para të hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Fondi
Fondi i Kompensimit të pronave do të administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Pavarësisht nga rregulli i përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, gjendja e mjeteve monetare të papërdorura nga Fondi i Kompensimit të pronave në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, parashikohet në mënyrë specifike që do të mbartet për llogari të vitit të ardhshëm. Projektligji sanksionon se buxheti i shtetit miraton çdo vit buxhetor një fond financiar, por jo më pak se 50 miliardë lekë në 10 vjet, i cili do të administrohet nga ATP-ja për realizimin e procesit të kompensimit të pronave. “Ligji ekzistues nuk ka pasur të përshkruar fondin e përvitshëm që duhet të akordohet për të realizuar kompensimin e pronave. Kjo është një garanci më shumë që jep ligji për sigurinë e procesit, në mënyrë që ky proces të përfundojë brenda afateve,” thuhet në projektligj.
Ankande
ATP-ja, me qëllim shtimin e burimeve financiare për Fondin Financiar të Kompensimit, realizon ankande për shitjen e pronës, pjesë të fondit të tokës. Në ankand marrin pjesë të gjitha subjektet që disponojnë një vendim kompensimi të vlerësuar financiarisht nga ATP-ja. Subjektet, që kanë një vlerësim financiar të vendimit përfundimtar për kompensim, mund të marrin pjesë në ankand nëse ato shprehin vullnetin për të përfituar nga fondi i kompensimit fizik. Nëse ankandi për shitjen e pronës nuk realizohet 2 herë radhazi për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi, atëherë ATP-ja bën një ankand publik për shitjen e kësaj prone. ATP-ja realizon ankandin në përputhje me ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”. ATP-ja gjatë procedurave të ankandit në asnjë rast nuk mund ta shesë pronën, pjesë e fondit të tokës, me një çmim më të ulët sesa vlerësimi fillestar i saj i bërë sipas projektligjit. Të ardhurat e realizuara nga shitja në ankand e pronave, pjesë të fondit të tokës, kalojnë në Fondin Financiar të Kompensimit dhe përdoren për kompensimin financiar të subjekteve, sipas dispozitave të ligjit. Në rast se pas ankandit publik, prona nuk shitet, atëherë ajo përdoret për kompensim fizik për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi sipas procedurave të mirëpërcaktuara.
Shqyrtimi i kërkesave
Ligji përcakton se ATP-ja brenda një afati prej 3 vjetësh nga hyrja në fuqi ligjit, do të vlerësojë financiarisht, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit. Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin për të vlerësuar të gjitha vendimet që kanë të njohur të drejtën e kompensimit, atëherë subjektet mund t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të bërë vlerësimin sipas përcaktimeve të këtij ligji. Prioritet për vlerësimin ligji u jep vendimeve përfundimtare që janë më të vjetra dhe vlerësimi do të fillojë në mënyrë kronologjike nga vendimet përfundimtare që kanë datë më të vjetër deri në vendimet më të reja. Gjithashtu, çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit të Agjencisë për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit. Kreu IV rregullon procedurën për shqyrtimin e kërkesave të patrajtuara. Kërkesat e bëra para hyrjes në fuqi të ligjit, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në ligj do t’i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes të së drejtës së subjekteve të shpronësuara me vendim të ATP-së dhe kompensimit të tyre sipas projektligjit. Në çdo rast, aty ku është e mundur, do t’i jepet përparësi kompensimit fizik në pronën që i njihet me vendim të ATP-së. Kreu V përcakton organet shtetërore për procesin e trajtimit të pronave. Projektligji parashikon ndryshimin e strukturës së AKKP-së, e cila do të jetë Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), person juridik publik, në varësi të ministrit të Drejtësisë, me seli në Tiranë.
Qëllimi i projektligjit
Ky projektligj vjen në përgjigje të nevojës për adresimin e situatës në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të konstatuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Gjykata e Strasburgut), e krijuar nga parashikimet e ligjit aktual për kthimin dhe kompensimin e pronave, në vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Republikës së Shqipërisë”. Kjo Gjykatë, por edhe standardet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut kërkojnë një zgjidhje përfundimtare mbi këtë çështje dhe sidomos marrjen përsipër nga ana e qeverisë të detyrimeve që burojnë nga ky proces dhe krijimin e një mekanizmi efektiv vendas, të tillë që të jetë në gjendje t’i japë zgjidhje përfundimtare situatës në shkelje të këtyre të drejtave. Në hartimin e projektligjit është mbajtur në konsideratë realizimi i praktikave më të mira nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, masave të marra nga këto vende ku situata politike dhe ligjore kushtëzohej nga ndryshimi i sistemit dhe i qëndrimeve ndaj pronës. Ky ligj parashikohet të veprojë për të gjitha kërkesat të cilat janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha ato kërkesa të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes të së drejtës së pronës, si dhe do t’i shtrijë efektet edhe mbi ekzekutimin e të gjitha vendimeve për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore, duke përfshirë çështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, në Gjykatën e Lartë, si edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon vlerësimit financiar të tyre.

Projektligji i ri
-Përcakton qartësisht organin kompetent që do të administrojë këtë proces.
-Përcakton përfundimin e shqyrtimit dhe dhënien e vendimeve për kërkesat që janë të patrajtuara brenda një afati 3-vjeçar
-Përcakton heqjen e procedurave të përsëritura të aplikimit dhe përcakton se vlerësimi financiar i vendimeve për kompensim përfundon brenda një afati 3-vjeçar.
-Përcakton përfundimin e likuidimit të të gjitha vendimeve të kompensimit brenda një afati 10-vjeçar, duke garantuar shlyerjen e këtij detyrimi nëpërmjet fondit financiar të përvitshëm të përcaktuar në projektligj, si dhe fondit të tokës të përcaktuar e të garantuar në projektligj.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment