Dasma e madhe e Xhensilës dhe Besit nuk ka përfunduar ende. Zhurma e madhe pas 1 shtatorit vijon të ndihet në rrjetet sociale, por nga sa është mësuar, sonte çifti ka edhe një ceremoni tjetër me të afërmit dhe familjarët.

Gjatë ditës, edhe nga postimet e Besit dhe Xhensilës, askush prej të dyve nuk ka zbuluar detaje, por Erjon Braja, njëri prej fotografëve të dasmës, ka publikuar foton e fundit nga dhoma e Xhensilës me një status: “Duke u bërë gati për dasmën tjetër…”

Ndërsa nusja, ndërkohë që bëhet gati për dasmën tjetër, ka shijuar pasditen e sotme edhe hapjen e dhuratave – një proces që me siguri u pëlqen të dyve, por Xhensila është ajo që, me këtë rast, bën edhe falënderimet respektive.

Kureshtjen e të gjithëve këngëtarja e njohur e skenës e ka shuar vetëm duke postuar dy prej dhuratave speciale që i kanë sjellë. Ndër dhuratat që kanë marrë, ajo ka veçuar dy që i ka ndarë edhe me miqtë e rrjetit.

Një arush i madh i bardhë – një dhuratë sa tradicionale aq edhe simbolike e dasmës, Xhensilës dhe Besit i është dhuruar nga grimierët e këngëtares, me të cilët ajo tashmë bashkëpunon prej kohësh, Kaci Lleshi dhe Sellma Kasumoviq.

Ndërsa dhurata tjetër, një set orësh Gucci për nusen dhe dhëndrin vjen nga mikesha e saj, aktorja Drilona Dula.

Natyrisht, mes shumë dhuratave materiale dhe më pak të tilla, për nusen dhe dhëndrin ka pasur edhe të tjera simbolike e artistike, por më të bukurën, ata ndoshta duan ta ruajnë për vete.

Ndërkohë, Xhensila është pothuajse gati për ceremoninë tjetër. Madje, duket e lumtur edhe me dhuratën e saj të bardhë….