Juventusi për histori, ka mbrojtjen më të mirë ndonjëherë në Champions

Të çash mbrojtjen e Juventusit është një mision i pamundur edhe për një skuadër si Barcelona që ka në arsenalin e saj një bombë sulmi si e famshmja MSN.

Në “Camp Nou”, “Zonja e Vjetër” tregoi të gjitha aftësitë në çaktivizimin e kësaj bombe duke mos e lejuar në asnjë moment që të shënojë në portën e Buffon duke fituar me meritë të plotë kualifikimin për në gjysmëfinale të Champions League.

Juventus në 10 ndeshje të evenimentit më të rëndësishëm europian ka pësuar vetëm 2 gola, shifra këto që tregojnë edhe njëherë për forcën që ka kjo skuadër në prapavijë. Të vetmit që kanë mundur të mposhtin legjendën Buffon janë Tolisso në Lion-Juventus që u mbyll 1-1 dhe Nico Pareja në Sevilla-Juventus e mbyllur 3-1 për bardhezinjtë.

Në “Camp Nou” sfida mes Barcelonës dhe Juventusit përfundoi 0-0 diçka e rrallë kjo për skuadrën katalanase. Në fakt kjo ishte hera e dytë në këtë sezon që skuadra e Luis Enriques nuk arriti dot të shënojë qoftë edhe 1 gol të vetëm, e para ishte sfida me Malagën në nëntor.

Ndërsa Juventusin ky rezultat e çoi drejt një rekordi me “Zonjën e Vjetër” që nuk pëson gol prej 531 minutash në Champions League, koha më e gjatë me portë të paprekur  për të deri në këtë moment.

Rekordi

Pas 10 ndeshjesh europiane (në Champions) të këtij sezoni, mbrojtja e Juventusit është më e mira në kontinent. Ajo ka pësuar vetëm dy gola, në fazën e grupeve: nga Tolisso i Lyon dhe Pareja i Sevilla. Në sfidat e tjera, porta e Buffon ka mbetur e pastër, e paprekshme.

Në këtë pikë të turneut, vetëm Ajax (1995-1996) dhe Arsenal (2005-2006) ishin të aftë për të pasur vetëm nga dy gola të pësuar, si Juventusi aktual. Të dyja skuadrat e marra për referim e krahasim arritën në finale dhe humbën. Natyrisht, bardhezinjtë janë duke shpresuar që në rastin e tyre gjërat mund të shkojnë shumë më mirë. Të besuarit e Allegrit janë ende në diskutim, për të shkruar një faqe historike në Ligën e Kampionëve, me mbrojtjen më të mirë të të gjitha kohërave.

Finalja

Historia është gati për t’u rishkruar, Juventusi mund ta bëjë këtë gjë, edicionin aktual të Ligës së Kampioneve.

Në mesditën e së premtes në Nyon do të hidhet shorti i gjysmëfinaleve nga ku do të dalë edhe rivali i fundit i bardhezinjve në rrugëtimin drejt finales së 3 qershorit në “Millennium Stadium” të Cardiffit.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment