Një prej aktorëve më të dashur për publikun Julian Deda rrëfen detaje të veçanta mbi formatin e ri të programit të humorit “Sketch show”. Gjatë intervistë për “Tirana Observer” aktori i talentuar tregon qasjen e tij përkundrejt këtij formati, kritikat që i janë bërë si dhe planet profesionale që ka për të ardhmen. Si edhe për marrëdhëniet me babain e tij, aktorin e madh Zef Deda.
Sa i jeni përshtatur formati të ri “Sketch show?
Ky është një format për të cilin ne kemi vite që punojmë. Në fakt “Apartamenti 2XL ” ishte një format i ri për ne. E vetmja gjë e re që është në këtë format janë xhirimet jashtë , pra xhirime që nuk kanë shumë lidhje me aktualitetin dhe janë më universale. Këto xhirime mund të shihen edhe pas 10 vitesh dhe nuk kanë lidhje me aktualitetin në Shqipëri. Kjo është ajo e reja që i dallon këto dy formate dhe që ne i jemi përshtatur shumë mirë, ndërsa për sa i përket skenës është thjeshtë vazhdimi i punës sonë.
Cili është dallimi mes “Apartamentit 2 XL” dhe “Sketch show”?
Dallimi i këtyre dy formateve është thelbi, pasi “Apartamenti 2XL” ishte 50 përqind i improvizuar, ndërsa “Sketch Show” është i menduar dhe i regjizoruar nga fillimi deri në fund. Ndërsa “Apartamenti 2 XL” është më i lirshëm dhe të jep më shumë mundësi të improvizosh. Ndërsa e përbashkëta pastaj është humori, e përditshmja.
Cili nga këto dy formate mendoni se ju përshtatet më mirë?
Unë mendoj se më përshtatet më mirë ai format që i përshtatet dhe publikut. Mendoj që për një aktor pak më e vështirë është formati i apartamentit, por duke qenë se ti nuk e di gjysmën e asaj që do të interpretosh aty, ti duhet të performaosh live. Pra ty të jepet një detyrë dhe ti duhet ta zgjidhësh aty për aty. Pastaj të dyja kanë veçantitë e veta, dallimet e veta por edhe lehtësitë e veta. Te “Apartamenti” për shembull ti je më i lirshëm, pasi je në shtëpi, nëse nuk do që të improvizosh mund të rrish e të vëzhgosh kolegët, ndërsa tek “Sketch Show” duhet të bësh gjithçka.
Në faqen e Facebook-ut të “Sketch Show” ka shumë kritika përkundrejt këtij formati dhe ka komente që kërkojnë të sillet përsëri në skenë “Apartamenti 2XL”. Si i vlerësoni ju këto kritika dhe komente?
Faqen e “Sketch Show” në Facebook nuk e ka hapur fare “Vizion Plus”. Është një dashakeqës që e ka hapur këtë faqe, i cili na ka vjedhur edhe shumë faqe të tjera.
Çfarë i jepni ju këtij formati dhe cili është shpërblimi që merrni ju nga ai?
Unë personalisht përfitoj një eksperiencë të veçantë me xhirimet, me filmimet që janë të terrenit. Mendoj se sikurse dhe unë, dhe zinxhiri humorit në Shqipëri përfiton të njëjtën gjë. Xhirimet nuk është se kanë filluar tani, ka patur edhe më parë të tilla, vetëm se tani janë më të shkurtra dhe luhet me situatën. Puna në këtë program humori është shumë e vështirë, tmerrësisht e vështirë, pasi gjatë gjithë javës dy ditë je në xhirime dhe tre ditë je në skenë. Të gjithë ata që mendojnë keq për këtë format, duhet të them që kjo ka vështirësitë e veta, ne kemi një publik i cili e ka shumë të vështirë për ta thithur të renë, kjo gjë ka ndodhur edhe ne fillim me “Portokallinë”, ka ndodhur edhe me “Apartamentin”, po ndodh edhe me “Sketch Show”. Dhe jam 100 për qind i bindur se po të dali diçka tjetër pas “Sketch Show-t” do të thonë se ishit me mirë me “Sketch Show-n”.
Cili do të jetë formati i radhës?
Do të rikthehet përsëri Apartamenti 2XL
Si janë marrëdhëniet me pjesëtarët e grupit?
Marrëdhëniet me pjesëtarët e grupit janë të mrekullueshme. Nëse para 5 vitesh thosha se ishin të mrekullueshme nuk thoja të vërtetën, ndërsa sot janë realisht të tilla.
Që nga sezoni i dytë i “Apartamentit 2XL” grupit tuaj u janë shtuar edhe dy aktorë të tjerë. Cila është risia që ata i kanë sjellë këtij formati?
Risia është se ata janë dy karaktere krejt të reja, ndryshe nga ne kanë atë naivitetin dhe freskinë. Kjo na shërben shumë mire neve. Unë mendoj se në art duhet të jesh shumë fëmijëror dhe në këtë drejtim ata na kanë sjellë një freski ne treshes. Domethënë na kanë sjellë dy persona me të cilët ne mund të merremi dhe ata merren me ne. Te “Apartamenti” ata kishin për detyrë të sillnin dika të re sa herë hynin në skenë pasi mendohej se ne nuk dilnim nga apartamenti, ndërsa te “Sketch Show” ata kanë komplet detyrat e tyre, karakteret e tyre.
Sa të apasionuar janë shqiptarët pas këtyre programeve humoristike?
Shqiptarët në përgjithësi e duan humorin, në çdo tavolinë shqiptare pa treguar dy barcaleta nuk shtyhet. Unë kam eksperiencën time pas jam shkodran, por kjo nuk do të thotë që vetëm në Shkodër ka humor. Shqiptarët e trajtojnë gjithçka me humor, duke mos thënë edhe me shpoti. Tallen me shtetin, tallen me kryeministrin, thonë që kryeministri nuk bën, por po të mos bënte ai, nuk do të ishte kryeministër. Ne si popull kemi tendencën për tu futur në punët e tjetrit, për të gjetur gabimet tek tjetri dhe kjo në vetvete na bën një popull komik. Por po aq sa komik jemi edhe një popull dramatik pasi kemi hallet tona, problemet tona. Sigurisht që uji dhe drita nuk na ikin më por prapë kemi halle të tjera. Ne si popull e pëlqejmë humorin, e praktikojmë humorin madje kemi edhe diçka të lezetshme që edhe ata që nuk dinë të bëjnë humor përpiqen të bëjnë.
Ju jeni djali i një humoristi të madh, a ju ka kritikuar ndonjë herë Zefi për ndonjë gjë në karrierën tuaj?
Sigurisht që më ka kritikuar por duhet të them që i bën kritikat shumë ëmbël pa rënë shumë në sy, se unë nuk i kam shumë qejf kritikat si çdo aktor tjetër. Ai që thotë se i mirëpres kritikat është një gënjeshtar i madh megjithatë kritikat duhen mirëpritur. Unë nuk ia marr aspak për keq babit tim kur bën kritika, përpiqem të korrigjohem por puna jonë është kaq ë shpejtë dhe kaq e përditshme sa që nuk e kemi mendjen tek kritikat.
Ju jeni i angazhuar në aktivitete pothuajse gjatë gjithë kohës. Si e përjeton këtë familja juaj? A gjeni kohë për t’ju përkushtuar atyre?
Tashmë mendoj se ata janë mësuar me këtë situatë dhe e kanë mirëpritur. Kur ishim te “Apartamenti” kishim më shumë kohë të lirë, çka na lejonte të merreshim dhe me familjen ndërsa tek “Schetch Show” jemi shumë më të zënë. Gjatë gjithë ditës si unë dhe bashkëshortja ime jemi në punë dhe detyrohemi që fëmijët t’i çojmë në kopsht, ndaj mendoj se tashmë ata janë të mësuar me këtë ide.
Intervistoi: Marvina Memolla