INTERVISTA/ Njihuni me At Spiro Katundin, prifti – këngëtar

Përgatiti: Dr. Isidor Koti

Ikonom At Spiro Katundi lindi më 14.02.1955 në qytetin e Korçës nga një familje orthodhokse. Babai i tij ishte prift në Mitopolinë e Korçës deri sa regjimi diktatorial mbylli kishat.

Që fëmijë në vitin 1967 u aktivizua si aktor në Teatrin e kukullave të qytetit deri në vitin 1975, nga ky vit deri më 1990 aktivizohet si këngëtar pranë Estradës profesioniste Korçë. Brenda këtyre 15 viteve merr pjesë në 7 Festivale të këngës në RTSH nga viti 1982 deri 1988. Për aktivitet të mirë dekorohet më 20.06.1985 dhe më 18.09.1987 me çmimin “Naim Frashëri” klasi 2 dhe 3-të.

Më 1992 hapet Seminari Teologjik në Durrës dhe ai është nga të parët studentë, po atë vit më 1.05.1992 hierotoniset Dhjakon nga Kryepiskopi Anastas e më 30.11.1992 hierotoniset Prift po nga Kryepiskopi Anastas. Ai këtë vit mbush 25 vjet si klerik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Është nga klerikët më aktivë të Mitropolisë Korçës. Për këtë është nderuar me tituj kishtarë, më 18.01.2007 gradohet “Stavrofor” nga Kryepiskopi Anastas dhe më 21.10.2014 gradohet “Ikonom” nga Mitropoliti i Korçës, Joani.

16106425_10154029259746104_1580403120_o

Gjatë gjithë këtyre viteve si klerik, ai nuk është ndarë nga arti e muzika. Në vitin 1992 është iniciator për ngritjen e një kori fëmijësh, në vitin 1993 iniciator i ngritjes së korit “Profiti Ilia”. Më 1998 iniciator i ngritjes së korit të këngës bizantine “Shën Niketa”. Më 1999 iniciator i ngritjes të korit “Shën Thanasi”.

Në vitin 2000 dhe 2008 botoi dy libra me Himne, troparë dhe këngë Krishtlindje, përshtatje në shqip.

Gjatë këtij aktiviteti, ai nuk ka lënë mënjanë dhe kompozimet me këngë për fëmijë dhe të rritur.

Është pjesëmarrës në të gjitha Festivalet e fëmijëve në rreth, ku është nderuar dhe me çmime, deri tani numëron 55 këngë për fëmijë, si dhe 49 këngë të muzikës së lehtë për të rritur, ku më 2009 dhe 2011 janë organizuar dy koncerte recitale. Krijimtaria e këtij kleriku vazhdon….

At Spiro, duke parë disa nga detajet e karrierës suaj, na bëri përshtypje tek ju njeriu energjik dhe krijues. Ku e gjeni vullnetin dhe frymëzimin?

Gjatë gjithë jetës time kam qenë njeri aktiv. Asnjëherë nuk kam toleruar me veten time për të bërë gjëra të pavlefshme. Njeriu duhet ti verë detyra vetes që çdo ditë duhet të ketë një program të caktuar, të dijë se çdo të bëjë sot apo nesër, ndryshe do të kthehet në një njeri kuturu. Unë këtë gjë e kam të edukuar nga familja ime dhe modeli im ka qenë i ndjeri babai im At Kristaq Katundi i cili ka qenë një prift model në Mitropolinë e Korçës, por nuk përjetoi dot hapjen e kishave sepse ndërroi jetë pak vite para hapjes së tyre. Deri më sot mbaj mbi veten time një aktivitet të bollshëm artistik dhe si interpretues dhe si krijues. Për gati 10 vjet kam qenë aktor në Teatrin e kukullave pranë Teatrit A.Z. Çajupi, për 15 vjet kam qenë këngëtar pranë Estradës profesioniste Korçë, ku brenda këtyre viteve është dhe pjesëmarrja në 7 Festivale në RTSH. Kur u hierotonisa klerik mundësia e interpretimit ishte shumë e kufizuar, vetëm në ambientet familjare dhe shoqërore në raste festash. Mbas vitit “91 për të mos u ndarë nga muziká, iu riktheva përpjekjeve të mija të hershme si krijues, gjë që e kisha bërë me sukses para shumë vitesh, por tani i hyra një pune sistematike dhe deri më sot janë krijuar një numër relativisht i bollshëm këngësh 49 për të rritur dhe 55 për fëmijë ku kam organizuar 2 koncerte recitale, si dhe në aktivitetet ku janë paraqitur jam nderuar dhe me çmime.

Pse zgjodhët në fillimet e viteve ‘90 të bëheshit prift?

Si ju thashë dhe më lart, babai im ishte prift. Unë rrjedh nga një familje tre brezash klerikë dhe sigurisht që babai im shpresonte në hapjen e kishave dhe kjo ditë erdhi me bekimin e Zotit. Mbaj mend kur isha i vogël e më merrte për dore në Kishë më vishnin me stolitë e fëmijëve dhe dilnim me llambadhe, isha më i vogli e Dhespoti i Korçës në atë kohë i ndjeri imzot Filotheu më thoshte gjithnjë: Eja Spiriu i vogël, do bëhesh prift kur të rritesh? Dhe hapja e Kishave më gjeti pjesetar të korit. Kur erdhi Kryepiskopi, imzot Anastasi më 1991 në Korçë, mbas liturgjisë na mblodhi ne të korit dhe na pyeti: ka dëshirë ndonjë nga ju të bëhet prift? Pjesetarët e korit i thanë ja ku e kemi Spiron, ky është djalë prifti. Ajo pyetje nga fëmijëria e imzot Filotheut më ndoqi pas shumë vite, por tani i rritur dhe familjar, në këtë kohë po ajo pyetje më erdhi nga Kryepiskopi imzot Anastasi. –Po, i thashë i vendosur. Shumë shpejt, mbas disa muajsh do hapim shkollën tonë në Durrës tha ai dhe kështu u bë. Në muajin shkurt 1992 u hap shkolla dhe isha ndër studentët e parë. Mbas rreth dy muaj më vonë u hierotonisa në dhjakon, ajo ditë për mua ishte me emocion të dyfishtë sepse Kalimafin që më vuri në kokë Kryepiskopi, ishte i babait tim të cilin e kishte mbajtur fshehur nëna ime që nga viti 1967. Pra në hierotoninë time ishte prezent dhe babai im, i cili na ndiqte nga Parajsa. Mbushja e një premtimi që fëmijë, ishte emocion i dyfishtë.

Nisur nga fakti që rridhni nga familje klerikësh dhe keni jetuar të tre sistemet (besim, ateizëm i egër dhe ringjallje e zhvillim i Kishës), cilat janë sipas jush të veçantat e këtyre kohëve?

Eh…sigurisht që çdo kohë ka veçoritë e saj. Por koha e ateizmit mbetet më e veçanta. Në atë kohë kur u mbyllën kishat ishte e vështirë të ishe familje prifti. Ata njerëz që te afroheshin e të flisnin me dashamirësi, ishin nga familje të vërteta besimtarësh. Por…kishte dhe nga ata që të ironizonin madje në publik e që krijonin situata te vështira. Ne familjarisht u përpoqëm t’i shuanim me punë e korrektesë për të mos u lënë asnjë shkak diskutimi mbi ne. Kurse koha e ringjalljes i takon vetëm një personi, i cili ishte bekimi më i madh që Zoti i ka bërë vendit tonë dhe ky është Kryepiskopi Anastas. Unë si klerik e kam fat dhe privilegj të jem hierotonisur nga dora e tij. Vepra e tij flet vetë, çdo gjë që është bërë prej tij në vendin tonë është sheshit, veçse këtu përfitoj nga rasti tu drejtohem atyre që kritikojnë Kishën dhe Kryepiskopin nëpër gazeta e Tv…dilni njëherë nëpër Shqipëri dhe shikoni bekimet që ka bërë ai për besimtarët orthodhoksë. Njerëzit e Zotit e besimtarët e mirë nuk merren me fjalë, por me lutje e punë konkrete.

Si e kombinoni jetën shpirtërore me atë artistike?

Deri më sot, përveç shërbesave kishtare që janë detyrë e përditëshme, unë nuk e kam lënë pas dore krijimtarinë artistike. Tek unë ato ecin paralelisht, sepse siç thotë dhe i madhi Bertolt Breht: “Arti ka lindur në tempull” dhe duhet t’i sherbejë tempullit, e unë mund tu them se në çdo këngë ka motive të muzikës kishtare, po ashtu dhe tekstet që kam krijuar vetë përmbajnë tema shpirtërore, mjafton të ndjekësh në YouTube disa këngë që kam hedhur. Këtë e shikon dhe tek kënga “Biri im” një poezia juaj shumë e bukur, të cilën unë e kam muzikuar e kënduar vetë në një prej koncerteve të mija recitale. Këngët e mija i kanë kënduar të gjithë këngëtarët më të mirë korçarë në vite pa përmendur emra, e theksoj të gjithë. Këngëtarët dhe artistët korçarë ish kolegët e mi si dhe artistët e këngëtarët e Festivaleve të RTSH të viteve “70 deri 90” janë shokët dhe miqtë e mij më të mirë me të cilët kam patur komunikim të vazhdueshëm e deri më sot.

15992094_10154029259591104_572981476_o

Jeni autor i disa veprave dhe veprimtarive, gjithashtu edhe me tituj kishtarë. Sa ju motivojnë në aktivitetin tuaj ditor?

Mua më gëzon fakti kur disa prej miqve të mij ma thonë me shaka: Ja dhe këngëtari që u bë papa…apo…prifti këngëtar. Kjo tregon që ata akoma kujtojnë vitet e aktivitetit tim, e ndonëse kam 25 vjet pa hipur në skenë, kam qenë prezent me krijimtari. Para vitit “90 jam nderuar 2 herë me titullin “Naim Frashëri” për kontribut të shquar artistik. Por titujt kishtarë, e them me keqardhje nuk janë si ato që u jepen njerëzve pas vdekjes, të më ndjeni për këtë cilësim por nuk më duket e drejtë, sepse mbas vdekjes titujt i jep vetëm Zoti. Në kishë çdo titull është real dhe i takon kohës, punës, përpjekjeve apo kontributit që je duke bërë për Kishën dhe ngritjen shpirtërore të besimtarëve. Unë mbaj gradën kishtare “Ikonom” me të cilin më ka nderuar me bekimin e tij, imzot Joani. Këto tituj jepen që ne të jemi në krye të punëve dhe problemeve që ka Kisha jonë sepse ringritja e Kishës dhe Kryepiskopi Anastas, kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve, për të riparuar jo vetëm shkatërimin e Tempujve, por kryesorja, për riparimin e shpirtit të njerëzve.

15967703_10154029259621104_361573194_o

Çfarë ndryshimi ka jeta e një kleriku nga jeta e laikut dhe a jeni ndeshur me paragjykime?

Sigurisht që jeta e klerikut ndryshon nga ajo e laikëve sepse ka kanone dhe rregulla të caktuara që nuk i ndesh në çdo njeri. Ne kur u shërbejmë njerëzve nuk mjaftohemi vetëm me shërbesat liturgjike, në qoftë se ato nuk shoqërohen me dashuri e filantropi, për tu dhënë njerëzve një mesazh ungjillor e për ti afruar ata më shumë me Zotin. Sigurisht që dhe ne klerikët bëjmë një jetë familjare, ku familja e një prifti duke qenë shembull për besimtarët ja bën më të lehtë misionin atij duke e mbështetur në çdo drejtim. Ndonjëherë vërtet ndeshemi dhe me ndonjë paragjykim, por në qytetin tim janë të rrallë njerëz të tillë. Këta persona u ngjajnë gjykatësve që japin dënime pa njohur çështjen.

15991802_10154029259991104_2101182734_o

Duke qenë se punoni shumë me dhe për të rinjtë, çfarë do t’iu rekomandonit atyre?

Të rinjtë janë shqetësimi më i madh për mua dhe në krijimet e mia kam si të thuash një kapitull të veçantë për ta. Unë do të dëshiroja të kishte prezent shumë prej tyre në problemet e Kishës dhe në aktivitete, por fatkeqësisht nuk është kështu. Kemi të rinj që vijnë në kishë dhe marrin përgjegjësi, por për numrin e tyre nuk jam i kënaqur personalisht. Shikoj një dyndje të tyre kur kanë provime apo ndonjë problem tjetër, por më pas nuk kanë vazhdimësi. Zotit duhet ti lutemi vazhdimisht jo vetëm kur kemi nevojë. Për të rinjtë Kisha jonë shpenzon shumë duke organizuar kampe pushimi, koncerte, lojëra të ndryshme etj. e këto bëhen me pjesëmarrjen e tyre, prandaj dëshira ime është të shikoj sa më shumë të rinj pranë Kishës, pranë Zotit.

15978767_10154029259866104_2115269701_n

Çfarë planesh keni për të ardhmen e afërt, do kemi këtë vit ndonjë surprizë nga Atë Spiro?

Para disa vitesh, në një bisedë që bëja me Kryepiskopin Anastas më tha: At Spiro të ka dhuruar Perëndia shumë cilësi të mira, veri ato në shërbim të Kishës. Dhe unë jam duke u përpjekur për këtë gjë. Puna dhe krijimtaria vazhdon. Kam të përfunduara deri tani dy libra. Një libër është përmbledhje e këngëve të mija për fëmijë e të rinj dhe tjetra është libër liturgjik me himne e troparë bizantine, por të shkruara në pentagram dhe të përshtatura ne shqip. Libër ky që do tu hyjë në punë koreve kishtare, libri perbehet nga himne te festave më të mëdha të kalendarit orthodhoks. Njëkohësisht është përfunduar materiali për një koncert tjetër recital me këngë të muzikës së lehtë, ku dëshiroj një aktivizim të artistëve të rinj të qytetit tonë. Dhe sigurisht që për të realizuar këto pritet sponsorizimi i tyre. Më jepet rasti të falenderoj Bashkinë e Korçës, e cila sponsorizoi dy koncertet e mija recitale të mëparshme.

Ju uroj të gjithëve një vit të bekuar plot besim tek Zoti, si dhe gjithë artistëve e krijuesve u uroj krijimtari të begatë me më shumë vepra edukative të dobishme për njerëzit.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment