Nga Albana Lifschin

“Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vendi jo!
Sipas historianëve Abraham Linkolni është konsideruar gjithmonë si një nga presidentët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara krahas me Xhorxh Uashingtonin. Kjo për arsye se Abraham Linkolni luftoi për ruajtjen e unitetit të vendit në kohën më kritike, gjatë luftës civile. Kanë kaluar afro 150 vjet që nga mbarimi i asaj lufte, ku vëllai luftonte kundër vëllait dhe reputacioni i Abraham Linkolnit nuk është zbehur aspak. Në kohën e tij ai ishte i dashur për shumë njerëz, të cilët i ngjitën atij nofkën” Ejbi i ndershëm,” apo “Baba Abraham,” ashtu sikurse kundërshtarët e tij e urryen dhe e quajtën “tiran.”

Abraham Linkolni vinte nga një familje e varfër. Ai u lind në një kabinë druri me madhësinë e një dhome, në Kenttucky (Kentaki) në Shkurt të vitit 1809. I ati Tomas Linkoln ishte marangoz. E ëma i vdiq kur djali ishte 9 vjeç  dhe e njerka, një grua e mirë, u kujdes për shkollimin e Abrahamit. Atë kohë familja ishte shpërngulur në Indiana. Ejbi, siç e thërrisnin, u bë një djalë trup gjatë i hollë me shpatulla të gjëra, krahë të gjatë dhe të fuqishëm. Ai ishte i dhënë pas leximit dhe për të marrë një libër hua bënte kilometra të tëra në këmbë. Meqenëse familja Linkoln nuk prosperoi, ata u transferuan në Ilinois. Në Ilinois, Abrahami i bëri të gjitha llojet e punëve. Atë kohë ai ishte 21 vjeç dhe kishte filluar të hynte në jetën shoqërore e në debatet e kohës. Abrahami kishte forcë argumentuese. Me 1833 ai filloi të punonte si postier në Nju Salem. Postieri që mbante letrat nën kapele udhëtonte kilometra në ditë për ta shpërndarë atë dhe për të bërë miq. Ai u bë i njohur në të gjithë zonën dhe një vit me vonë vuri kandidaturën për në dhomën e përfaqësuesve të shtetit të tij. Fitorja në zgjedhje hapi rrugën e karrierës për Abraham Linkolnin e ri. Ai hyri në shkollën e drejtësisë dhe në 1846 u zgjodh anëtar i Kongresit amerikan.

Kur çështja e skllavërisë u bë çështja më e rëndësishme e ditës, Abraham Linkolni u bashkua me partinë e re republikane të porsa formuar (1856) që ishte kundër skllavërisë. Në 1858, kjo parti e zgjodhi atë si kandidat për senator të Ilinoit. Abraham Linkolni dhe oponenti i tij Stephen A. Douglas debatuan mbi çështjen e skllavërisë në të gjithë shtetin e Ilinoit.
Në fillim të vitit 1860, në mbledhje e konferenca Abraham Linkolni mbronte pikëpamjen e mosndërhyrjes së shtetit federal aty ku skllavëria ekzistonte, por nga ana tjetër kundërshtonte përhapjen e skllavërisë në shtetet që po lindin në territoret e reja amerikane. Fjalimet e tij e bindën popullin që ai ishte njeriu më i përshtatshëm për kandidat për president në Shtëpinë e Bardhë.

Pas zgjedhjes së tij si president, Karolina e jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet i pavarur.
Në fjalën e tij të inagurimit, me një ton të butë, presidenti i ri tha se nuk do të ndërhynte në çështjen e skllavërisë, por ai bëri të qartë se” Unioni është i pandashëm”. Sipas Kushtetutës së SHBA-theksoi ai, detyra e tij ishte të siguronte zbatimin e ligjit në të gjithë vëndin.”

Për Linkolnin shkëputja nga Shtetet e Bashkuara ishte një refuzim i demokracisë.
Ai tha midis të tjerash se “Burri dhe gruaja mund të ndahen, por  vendi jo.” Mesazhi ishte i qartë. Njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta. Lufta civile filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet. Gjatë kësaj kohe presidenti përballoi vështirësi të shumta edhe brënda kabinetit të tij,  madje pësoi edhe fatkeqësi familjare. Djali i tij 11 vjeçar, Uilli, vdiq në Shtëpinë e Bardhë dhe gruaja e tij gati u çmend nga dëshpërimi. Megjithë këtë fatkeqësi të madhe familjare, Abraham Linkolni qëndroi si një shtyllë e fortë për kombin.
Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi.
Kthesa vendimtare e luftës u bë me betejën e Getisbërgut, qytet i vogël i Pensilvanisë, në korrik të atij viti. Qe një betejë e vështirë me humbje të mëdha. U vranë 3000 ushtarë të Unionit dhe 4000 të Konfederatës.
Disa muaj me vonë, në Pennsilvania, në 19 Nëntor 1863, presidenti Linkoln mbajti fjalimin e famshëm që ka hyrë në historinë amerikane si fjalimi i Getisbërgut. Ai ishte vetëm 10 rreshta i gjatë, por përmblidhte në vetvete esencën se përse ishte bërë lufta dhe përfundonte me fjalët se “gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vend, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë, dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”

Në inaugurimin e dytë si president, Abraham Linkolni tha fjalë emocionuese e të paharruara për kombin amerikan:
“Me të keqe ndaj askujt, me mëshirë për këdo, me vendosmëri në të drejtën, siç na e jep Zoti ta shohim, le të përpiqemi të mbarojmë punën që kemi në dorë,… le të lidhim plagët e vendit e të bëjmë gjithëçka që duhet për të ushqyer një paqe të drejtë e jetëgjatë në mes nesh dhe me vendet e tjera.”

Fitorja e luftës erdhi me dorëzimin e gjeneralit Robert Lee në 9 Prill 1865.
Lufta civile i kushtoi vendit 600 000 viktima.
Megjithëse zhdukja e skllavërisë erdhi si rezultat i luftës, lufta që bërë për arsye nacionale, qe bërë për të ruajtur bashkimin kombëtar. Fitorja e luftës konsolidoi idenë se Unioni ishte i pandashëm.
Vendi gëzonte dhe presidenti Linkoln po përgatitej për të festuar  rikthimin e shteteve të jugut në Union. Pikërisht atëherë ndodhi e papritura.
Më 14 prill kur Presidenti me të shoqen shkuan në teatrin Ford, në Washington D.C., për të parë një shfaqje, një ekstremist proskllavërisë, i quajtur Xhon Buth (John Wilkes Booth) qëlloi me armë në drejtim të presidentit.
I goditur në kokë, presidenti Linkoln vdiq ditën tjetër, në moshën 56 vjeçare.

(Marrë nga libri i autores “Udhëtim në historinë e Amerikës”, botuar në 2003. ribot, 2006 e 2010)

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

About the Author

T.O

Leave a comment