GjermeniMinistria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka zhbllokuar pjesërisht lejet e ndërtimit; duke lejuar ndërtimet vetëm për familjarët, por jo për bizneset dhe kompanitë e ndërtimit, të cilët kanë projekte për pallate shumëkatëshe.
Vendimi
Dje Këshilli Kombëtar i Territorit ka përcaktuar kufijtë e zonave të urbanizuara dhe ka vendosur të heqë moratoriumin e ndërtimit vetëm për familjarët që dëshirojnë të ndërtojnë në pronë të tyre. Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni njoftoi dje një lajm të tillë në daljen e saj të parë publike për 2015-ën. “Në këto zona të urbanizuara do të lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit dhe për banesa individuale. Krahas ndërtimeve që lejoheshin deri tani dhe që janë ato për objekte publike, për infrastrukturë, për ndërtim me karakter emergjent si dhe për struktura në funksion të zhvillimit ekonomik, turizmit, të bujqësisë dhe blegtorisë. Ky vendim lehtëson nevojat e qytetarëve për banesat individuale”, tha Gjermeni.
Lejet
Por krahas bashkisë qytetarët do të duhet t’i drejtohen për leje dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit. Ajo do të përcaktojë nëse ndërtesa e re është brenda vijës së lejuar për ndërtim ose jo. Lejen nga agjencia mund ta marrë vetë qytetari ose bashkia ose komuna. “Kjo kategori sociale ka mundësinë tani të aplikojë për leje ndërtimi normalisht pranë njësive të qeverisjes vendore. Të gjithë të interesuarit që kërkojnë të ndërtojnë në pronat e tyre për interesa personale strehimi, apo ekonomik, mund të përfitojnë dhe të pajisen me leje ndërtimi. Ajo do të jepet pas marrjes së konfirmimit paraprak nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në përputhje me instrumentet e planifikimit. Konfirmimi paraprak pranë Agjencisë mund të kërkohet drejtpërdrejt nga qytetarët e interesuar ose nga njësitë e qeverisjes vendore”, bëri të ditur ministrja.
Ndalimi
Që prej nëntorit 2013, Këshilli Kombëtar i Territorit ndaloi bashkitë të japin leje ndërtimi. Pavarësisht tolerimit për ndërtimet e familjarëve, të cilat nuk do të konsiderohen më si ndërtime pa leje, të dënueshme me burg, moratoriumi vijon të mbetet për pallatet shumëkatëshe. Sipas Gjermenit, paralelisht dikasteri që ajo drejton po punon për hartimin e planeve kombëtare afatgjata të cilat do të garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik, social dhe mjedisor.

 

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment