Gjermania ushtron diktat në politikën e emigracionit

-Pas agresioneve masive me sfond seksual në qytetin e Këlnit-

Nga Ndue Lazri

Ajo që ndodhi në natën e ndërrimit të viteve në qytetin e Këlnit në Gjermani, ishte sa e pështirë, aq e urryer, por edhe shprehje e një terrorizmi psikologjik e fizik ndaj femrave. Rreth njëmijë meshkuj, kryesisht të rinj afrikanoveriorë (sipas njoftimeve të publikuara), ndërmorën agresione masive ndaj femrave në hapësirën mes sheshit qendror të qytetit dhe stacionit të trenit. Mbi 60 femra kanë paraqitur denoncime në polici për fyerje, molestie seksuale, prekje në pjesët intime e deri në përdhunimin e njërës prej tyre. Duke shfrytëzuar natën e festës nën avujt e alkoolit të konsumuar, ata kryen publikisht një masakër psikologjike, por edhe fizike, duke shkaktuar terror në botën femërore të qytetit.

Pas këtij akti kriminal e të dënueshëm, Gjermania u zgjua si nga një shok i papritur dhe reagimi i parë i politikanëve ishte shtrëngimi i vidhave në politikën ndaj fenomenit të emigracionit. Gjermania, që jo shumë kohë më parë (vetëm pak muaj), u mburr dhe u muar si shembull pozitiv në hapjen ndaj vërshimeve të emigrantëve nordafrikanë (veçanërisht atyre sirianë ), tani lëshon alarmin e bën presion për kontrolle të rrepta në kufijtë dhe ulje drastike të fluksit të emigrantëve. Madje ajo ka krijuar një linjë të përbashkët e të rreptë politike me Danimarkën e Suedinë, duke vënë plotësisht në pikëpyetje marrëveshjen ne Shengenit, duke kërkuar kthimin tek parimet e Dublinit, siç këmbëngul veçanërisht Suedia. Synimi është të ulet në maksimum rrjedha e emigrantëve nëpër autostradën që përshkon shtetet e Ballkanit drejt Europës veriore.

Komisari europian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos thirri një mbledhje urgjente në Bruksel me përfaqësues të qeverine nga Berlini, Kopenhageni dhe Stokholmi. Por përveç presioneve që iu bënë komisarit për të shtrënguar politikën mbi emigracionin, nuk u arrit asgjë e saktë.

Praktikisht politika e paqartë europiane mbi emigracionin ndodhet në një gjendje konfuzionale më shumë se kurrë dhe traktati i Shengenit në një udhëkryq të rrezikshëm. Sekretari i shtetit për punët e brendshme të Gjermanisë, Ole Schroeder, sikur është zgjuar me sy të zgurdulluar nga shifrat e kërkuesve të azilit politik pas hapjes së Gjermanisë ndaj emigracionit verën e kaluar. Gati një milion e njëqind mijë kërkesa, nga të cilat rreth 429 mijë sirianë, 121 mijë irakenë, 154 mijë afganë, 33 mijë kosovarë, gati 69.500 shqiptarë dhe mbi 285 mijë nga shtete të tjera. Ministri i brendshëm De Mazier tërsëllon, duke thënë që në vitin 2016 do të ulet në maksimum numuri i arritjeve.

Pas përpjekjeve që u bënë nga Bashkimi Europian për një shpërndarje të emigrantëve pasi të jenë bërë verifikimet e regjistrimet e tyre në vendet e hyrjes, politika e ndjekur praktikisht rezulton e falimentuar në pak muaj. Ishte vendosur që brenda një kohe të shkurtër të transferoheshin drejt shteteve të ndryshme europiane 39.600 emigrantë nga Italia e 66.400 nga Greqia. A është realizuar kjo ? Sipas të dhënave të Komisionit Europian deri tani vetën 272 refugjatë janë spostuar nga të dy shtetet të marrë bashkërisht. Dhe padyshim shtetet e tjera nuk mbeten pa shfrytëzuar rastin për të kritikuar Italinë e Greqinë se vetëm 3 hotspote për verifikimin e refugjatëve funksionojnë në të dy nga këto shtete nga 11 që duhej të funksiononin. Por dy shtetet e akuzuara përgjigjen se refugjatët refuzojnë të identifikohen apo të regjistrohen e Europa nuk ka përcaktuar norma se si mund të shtrëngohen ata për ta respektuar këtë kërkesë. E shtetet e veriut mbyllen në vetvete duke thënë: “Identifikimi nuk është çështje që na përket neve, por shteteve ku kanë shkelur për herë të parë refugjatët”. Pra, një politikë “hidh e prit”, ku disa lajnë duart, kurse disa të tjerëve u mbetet patatja e nxehtë në dorë. E refugjatët gjenden pa rrugëzgjidhje, kur në disa muaj vërshuan miliona e të tjerë janë gati të vërshojnë rrugëve të Europës. E bashkë me ta edhe aktet e terrorizmit, që kanë krijuar një klimë frike dhe ja kanë prishur përfundimisht gjumin globit, atij globi që deri dje ngrinte në qiell politikën globale. Kurse tani edhe ajo politikë ka dalë e shpuar e rrjedh ujë nga tërë anët.

Gjermania kërkon të ushtrojë diktat. Brukseli kërkon një politikë të përbashkët të 28 shteteve përbërëse të Bashkimit Europian. Por ky bashkim tani është i ndarë në grupe, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Ku po shkon Europa në politikën e emigracionit?

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment