Ekuilibrat racionalë të Kryepeshkopit Anastas!

Nga Dr. Isidor Koti

Intervista e ditëve të fundit e Kryepeshkopit të Kishës sonë Orthodhokse, Imzot Anastasit, dhënë për televizionin kombëtar grek (ERT) kaloi ftohtë dhe pa analizë racionale. E vetmja frazë për memorien mbi krizën ekonomike greke, që u lançua kalimthi në portale dhe rrjetet sociale ishte kërkesa për një autokritikë që duhet të bëjnë vet qytetarët grekë dhe jo të luajnë rolin e viktimës.

“Ata pinin kafe në kohën kur shqiptarët u mblidhnin ullinj”, – theksoi ndër të tjera Kryepeshkopi ynë, duke e cilësuar këtë si një gabim që duhet korrigjuar. Këtë frazë, imzot Anastasi nuk e pohoi as në Kishën e Shqipërisë që e drejton prej 25 vjetësh, e as në median shqiptare, por drejtpërdrejt në televizionin publik të grekëve. Rrjedhimisht interpretimet e kritikëve të përhershëm, sado katapultuese të jenë, përsëri do e nxirrnin kokën “në moçal”.

E megjithatë, kritikët e ngeshëm mediatikë shqiptarë, këtë herë nuk u ndien, nuk u shprehën publikisht, siç ndodh gjithmonë kur Janullatosi (përdorim gjuhësor i gabuar për një primat) del e “mbron grekët” dhe “Kishën e tyre” në Shqipëri. Për të vijuar më tej me epitetet e rënda e sulmet politike, që kthehen shpesh në disk të prishur gramafoni, duke dalë jo vetëm jashtë mode, por edhe jashtë të vërtetës.

Kjo intervistë duhet parë me kujdes, me racionalitet, jo si një rast për t’ju kthyer shqiptarëve, se shikoni ç’qëndrim mban Kryepeshkopit ndaj Greqisë së tij, apo ç’qëndrim mban ndaj shqiptarëve të Kishës së tij, që mbledhin ullinj kur grekët pinë kafe. Perifrazimi vlen të shikohet jo në kontekst, as literalisht, por në thelbin e përmbajtjes. Që do të thotë se me punë të ndershme e jetë të rregullt duhet të veprojë çdo njeri, pavarësisht kombësisë.

Kryepeshkopi Anastas iu është drejtuar me racionalitet bashkëkombasve të tij, duke kërkuar të kthehen në vete, të ecin në rrugën e drejt të së vërtetës, e më gjerë akoma, duke rekomanduar ta shikojnë krizën në planin shpirtëror, si një rregullim i marrëdhënies me Perëndinë. Ky është misioni i një primati kishtar, të përcjellë frymën e krishtërimit kudo, për çdo popull, pa mbajtur anësi. Në çdo deklaratë të tij publike, sikurse edhe në këtë rast, Anastasi është treguar i kujdesshëm dhe racional, si në Shqipëri, si në Greqi, e në çdo vend të botës ku ka qenë me punë kishtare e mision shpirtëror.

Ky është këndvështrimi i munguar sidomos për publikun shqiptar, i cili edhe në këtë intervistë domethënëse, nuk mësoi asgjë për vlerat e primatit të Kishës shqiptare, i cili duket se është përpjekur të luajë rolin e “akrobatit”, duke ecur në dy tela me gjëmba. Sigurisht, jo vetëm tek shqiptarët, për të cilët ka shërbyer me dashurinë e Krishtit për çerek shekulli, por edhe për grekët (të cilët, mbase kanë pritur më shumë prej qëndrimeve të tij).

Kryepeshkopi Anastas është kujdesur vazhdimisht për të lartësuar grigjën e Kishës Orthodhokse te Krishti, e jo te frymë te tjera, shpesh me tendenca diabolike. Kur them grigja orthodhokse, e kam fjalën për popullin besimtar të Kishës (shqiptar, grek, etj.), të cilët kur kungohen bëhen njësh në mister, duke marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, e jo targa nacionalitetesh. Këto janë lartësi të pakuptueshme për mendjen, sikurse ndodh me misteret e Kishës. E këtu qëndron gjithë esenca e botëkuptimit orthodhoks, si të bashkohen besimtarët me Krishtin, e jo me interesa të përkohëshme njerëzish, partish, politikash, etj, etj.

Prej vitesh është ngulitur thellë në mendje se Kishën tonë e udhëheq një grek, i cili përfaqëson një komb tjetër e interesa meskine, pavarësisht se në shumë drejtime, imzot Anastasi është treguar edhe më shqiptar se ne shqiptarët. Midis fjalëve e veprave, gjykimi bëhet mbi vepra.

Shijoni e shihni përparimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë! Faktet janë të pakundërshtueshme. Për fatin e keq të historisë midis dy kombeve tona, opinioni ynë është përpunuar sistematikisht me skema e skenarë që shpesh e kanë kaluar edhe fantazinë. E megjithatë, kjo nuk e ka penguar Kryepeshkopin Anastas të ruajë ekulibrat, e të tregojë racionalitet e dimension të gjerë spiritual, edhe pse duke ecur mbi dy tela me gjemba…

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment