Deklaratat kundër Trump, Meta “thumbon” Ramën: Të jemi më të përmbajtur

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka “thumbuar” kryeministrin Edi Rama në lidhje me deklaratat e tij ndaj presidentit të sapo zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.

Meta është shprehur se duhet treguar maturi në raport me politikën e jashtme, për të ruajtur besueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe me qëllim forcimin e marrëdhënieve me SHBA.

“Unë besoj se të gjithë duhet të shohim përpara dhe besoj se ky është edhe mesazhi i zgjedhjeve në SHBA.

Aq më tepër në vendin tonë, ku besoj se duhet të jemi të gjithë më të përmbajtur për të ruajtur besueshmërinë e politikës së Jashtme të Shqipërisë që ka qenë një nga pikat tona më të forta për të qenë faktor modernizues në Ballkan dhe në këtë drejtim të forcojmë më tej partneritetin strategjik me SHBA, duke respektuar zgjedhjet që bëhen atje”, u shpreh Meta.

Kreu i Kuvendit komentoi edhe përplasjet e fundit mes Tiranës dhe Athinës, duke theksuar se ky debat është i panevojshëm.

Më pas, kreu kryeparlamentari përsëriti edhe një herë se vendit i duhet më shumë dialog politik dhe dribloi pyetjen se cilin krah politik do të zgjedhë partia që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Besoj se LSI do bëjë gjithnjë zgjedhjen në favor të shqiptarëve dhe në të mirë të vendit. Vendit i duhet më shumë dialog politikë dhe konsensus, përfshirë dhe në politikën e jashtme, ku në javët e fundit është kthyer në një temë të debateve të panevojshme. Duhet të përqendrohemi te 5 prioritet dhe zbatimi i reformës në drejtësi që të hapen negociatat për integrimin në BE”, – shtoi Meta. – Të vijojmë të jemi një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit me fqinjët dhe të luajmë rol stabilizues në rajonin e Ballkanit perëndimor”.

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment