“Jon”, kënga e famshme e Ardit Gjebreas, vështirë të mos emocionojë këdo që e dëgjon, i madh a i vogël. Plot 26 vjet nga Festivali i vitit 1991, “Jon”, sa herë dëgjohet, kujton realitetin e dhimbshëm që shkaktoi eksodi. Nuk ishte vetëm balada e dhimbshme e jetës së Gjebreas, por edhe e të gjithë shqiptarëve që kërkonin një jetë më të mirë, në liri. Ai që mban emrin Jon, sot është i bekuar, përtej të tjerave, edhe për shkak sepse mbart me vete emrin pas një historie të dhimbshme si ajo që i ati, Ardit Gjebrea, përshkroi dhe këndoi 26 vjet më parë.

Ishte pikërisht kjo zgjedhje e Albi Nakos që i shkaktoi një emocion të fortë edhe Valbona Selimllarit në skenën e DWM. Pas interpretimit të Rudinës dhe Iljardit, nën kolonën zanore të “Jon”, Valbona e pati të vështirë t’i përmbajë lotët: “E dashuroj shumë këtë këngë, e përjetoj shumë, më dhemb sa herë që e dëgjoj...” – tha Valbona mes lotësh.

Pa e fshehur emocionin e fortë, ajo tha se Rudina me Iljardin ishin nuk kishin lidhje me emocionet e saj, por natyrisht, ishte kënga ajo që ia shkaktoi këtë gjendje: “Do të doja ta shmangia këtë emocionin e fortë”, – tha Valbona duke vlerësuar artistët.

Albi Nako, duke shpjeguar edhe fabulën e këtij kërcimi, tha se e kishte zgjedhur me kast, por duke e përshtatur me tragjedinë e Otrantos, pas së cilës, edhe ai ka një histori personale jo më pak të dhimbshme.