Ancelotti: Paratë e kinezëve, jo shqetësim për Europën

Lider në Bundesligë me tre pikë përpara RB Leipzig-ut të vendit të dytë (36 pikë), Bayern Mynih ka realizuar një fazë të parë të sezonit me ulje-ngritje, ndërkohë që nuk ka mundur ta mbyllë veçse në vendin e dytë fazën e grupeve në Champions League-n.

Kampionët e Gjermanisë ndërruan trajner në verën e 2016-ës dhe në vend të spanjollit Pep Guardiola mbërriti italiani Carlo Ancelotti, një ndryshim që kërkon kohën e tij për të sjellë efektet e pritura nga drejtuesit e klubit bavarez.

Në stazhin stërvitor të Doha-s, Carlo Ancelotti është shfaqur besimplotë për ecurinë e sezonit.

“Java ka qenë shumë e mirë, jemi stërvitur me intensitet të lartë. Besimin e kemi në maksimum dhe koha po na ndihmon shumë. Është e pamundur të punosh me këtë intensitet në zero gradë. Tani jemi më të mirë se verën e kaluar. E njohim më mirë njëri-tjetrin, dhe kemi gjashtë muaj që punojmë bashkë. Mendoj se gjysma e dytë e sezonit do të jetë më e mirë se e para. Kjo është shumë e rëndësishme për të arritur objektivat në tri veprimtaritë”, shpjegoi Carlo Ancelotti për faqen zyrtare të klubit.

Kina

Prej disa sezonesh kanë qenë të shumtë yjet e futbollit europian të cilët janë transferuar në Kinë të joshur nga ofertat stratosferike të klubeve të këtij vendi. Oscar, John Obi Mikel dhe Carlos Teves janë emrat më të fundit që kanë vendosur ta vijojnë karrierën e tyre në Lindjen e largët.

Mirëpo paratë që po shpenzohen për të transferuar lojtarët më cilësorë qarkullim  në futbollin kinez nuk i bëjnë përshtypje trajnerit të Bayernit të Mynihut.

Sipas italianit, klubet europiane nuk kanë pesë të shqetësohen aspak nga ky fenomen, pasi paratë kurrë nuk do të jenë motivi kryesor në vendimin e një futbollisti për të ndryshuar skuadër apo kampionat.

“Po është e vërtetë që janë disa futbollistë të rëndësishëm që janë transferuar në Kinë gjatë këtij muaji, megjithatë klubet europiane për momentin duhet të ndihen të sigurta. Kampionatet më të forta dhe më të bukura janë akoma në Europë, pra edhe futbolli më i bukur luhet në Europë. Lojtarët nuk luajnë vetëm për para, por edhe për të qenë më të mirët dhe të jenë pjesë e ndeshjeve më të bukura në botë.” 

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment