Sot ajo do të mbushte 32 vjeç, por në vend të festës dhe urimeve për ditëlindje, familjarët e saj po vuajnë dhe po marrin vetëm ngushëllime.

Adelajda Xhamani, vajza që theu tabutë, sot ka ditëlindjen, por fatkeqësisht ajo nuk është më këtu, për të parë urimet që i kanë bërë këtë 32-vjetor. Në një ditë si kjo, dhimbja e familjarëve, të afërmve dhe miqve bëhet edhe më e madhe. Është stafi i redaksisë së revistës “Who”, ku Adelajda ka punuar si kryeredaktore për një kohë të gjatë, që i kanë bërë të parët një urim shumë prekës.

Gazetarët janë ende në zi dhe nuk kanë nisur punën që prej ditës së ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të 32-vjeçares.

“Sot do të ishte ditëlindja jote Adela… Me siguri tani do të ishim duke të të uruar me brohorima në zyrën tënde, si çdoherë tjetër. Por ti s’je dhe ky i sotmi ishte “Happy Birthday” më i mekur që kemi kënduar. I vetmi ngushëllim për ne, është se ti sot po feston me engjëjt… Të duam shumë Adela!”, shkruan revista duke njoftuar se do të rikthehen në punë nesër.

Gjithashtu nuk kishte se si të mungonte një urim dhe nga miku i saj më i mirë, Eraldo Rexho. Ai ka zgjedhur disa vargje në anglisht për t’i uruar ditëlindjen, engjëllit më të ri në parajsë.

“Të kam zemër. Gëzuar ditëlindjen në Parajsë, engjëlli im”, shkruan Eraldo.

Adela Xhamani u nda nga jeta rreth një javë nga një atak kardiak në shtëpinë e saj në moshën 31-vjeçare. Ajo së shpejti, do të moderonte emisionin “Shtëpia e Adelës”, i cili niste më 15 nëntor, në “Fax News”.