A ishte Fan Noli ateist? Nasho Jorgaqi: Ja si është përgjigjur vetë peshkopi

Nga Fatmira Nikolli

Një letër e vitit 1915, paracaktuar të ishte një përcjellje të dhënash mes një konsullate dhe një ambasade greke në Shtetet e Bashkuara thoshte se Fan Noli ishte ateist e ndonëse i tillë, qe dorëzuar prift. Në të njëjtën letër vërehej se ai, Theofan Mavromati (Noli) bashkë me Faik Bej Konicën arritën t’i bëjnë fanatikë shqiptarët autentikë.

Dokumenti është shkëputur nga botimi “Helenizmi i Epirit të Veriut dhe Marrëdhëniet Greko-Shqiptare”, Vëllimi I, 1897-1918, botuar nën kujdesin e Vasilis Kondis, Athinë, 1995. Në shqip është përkthyer nga Sokol Çunga dhe është pjesë e një vëllimi me dokumente të historianes Ledia Dushku.

Biografi i Fan Nolit, prof. Nasho Jorgaqi, i pyetur nga “GSH” se çfarë di për teorinë e “Nolit ateist”, përgjigjet duke sjellë në vëmendje përgjigjen që vetë Fan Noli ka dhënë kur e kanë pyetur në beson në Zot.

Si fillim, prof. Jorgaqi thotë se nuk është aspak e vërtetë që Noli ishte ateist. “Nuk është e vërtetë, nuk ka asnjë dokument që të tregojë që Noli ishte ateist. Ka qenë lakuar edhe më herët, por kjo është diçka që e fyen Nolin dhe nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Si biograf i Nolit, mund të kujtoj se ka aspekte me vlerë në jetën e tij”.

TAKIMI ME HELENA LIOLIN

nashoJorgaqi tregon se ai u njoh me të ëmën Artur Liolinit kur ajo erdhi në Shqipëri pas viteve 1990. “E njoha gjatë kësaj vizite, që ajo bëri në Shqipëri dhe më pas e kam takuar disa herë. Ajo ishte nga të paktat që e kishte njohur nga afër Nolin. Ishte soprano, kishte mbaruar konservatorin e Bostonit dhe ishte grua e zgjuar dhe me kulturë. Noli dihet që ishte i apasionuar pas muzikës, çka e afronte me të më shumë.

Kam bërë disa biseda me të dhe kam mësuar shumë materiale prej saj”, thotë biografi i Nolit. Ai kujton se, “në fillimin e viteve 1990, duke e ditur që përflitej se Noli nuk besonte, i thashë zonjës Helena, a besonte Noli në Zot apo jo, çfarë dinte ajo sepse bëhet shpesh kjo pyetje, o nga njerëz të painformuar, o nga njerëz qëllimkëqinj. Ajo më tha se do më përgjigjej me një përgjigje që vetë asaj i kishte dhënë Noli”, – thotë Nasho Jorgaqi për “GSH”.

Rrëfimi i Helenës shtrihej më thellë në vite, në kohën kur Noli, atëherë peshkop, çdo vit udhëtonte nga Bostoni për në 12 kisha shqiptare, që ishin në qytete të ndryshme të Amerikës dhe mbante meshë. Helena ishte e martuar në Nju Jork, ku ishte edhe kryetare e gruas shqiptare të Nju Jorkut. “Kur Noli shkonte në Nju Jork për meshën vjetore në kishën e Shën Nikollës (Kolli), Helena tregonte se një natë përpara gjithnjë takohej me të. Në këto takime, Noli pyeste gjithnjë se çfarë kërkesash kishin gratë që t’i kishte parasysh edhe për meshën”, kujton Jorgaqi nga biseda me Helena Liolinin.

Në një prej këtyre rasteve, pyetja e parë e grave për kryepeshkopin kishte qenë: Si të vijmë në kishë me kapele, apo pa të? Dhe Noli ish-përgjigjur se nuk ka rëndësi se çfarë ke mbi kokë, rëndësi ka se çfarë ke në kokë. Pyetja e dytë ishte: A do ishte mesha ulur apo në këmbë, sepse gratë duhet të dinin se çfarë veshjeje të zgjidhnin. Dhe Noli kish thënë se ‘këto janë vendimet e tyre, nuk më takon mua t’u them se çfarë të veshin në kishë’. Ndërsa pyetja e vështirë, tregonte Helena sipas prof. Nasho Jorgaqit, kishte të bënte pikërisht me besimin e Nolit, çka e kishte vënë në pozitë të vështirë. “Shqiptaret e Nju Jorkut i kishin kërkuar asaj të pyeste Hirësinë e tij, Nolin, në është e vërtetë që nuk besonte në Krisht?”, – thotë Jorgaqi.

Ai kujton se, “Helena më tregonte se Noli qeshte, me një lloj pakënaqësie e me një ironi dhe tha: ‘Si thua zotrote, të ketë njeriu një jetë, t’ia kushtojë një ideje që nuk e beson?”.

Biografi i Nolit vëren se Helena tregonte që ajo e kish pyetur në fakt, në është e vërtetë që ju besoni më shumë në politikë se sa në Krisht, sepse i kish ardhur zor t’i thoshte a është e vërtetë se nuk besonte në Krisht.

Ai u përgjigj me kundërpërgjigje: “Të kesh një jetë, t’ia kushtosh atë fesë dhe kishës, të kesh pra një qëllim që i kushton jetën dhe të mos i besosh?”.

Me këtë përgjigje të vetë Nolit, Nasho Jorgaqi e mbyll edhe sqarimin e tij mbi “ateizmin” e Fan Nolit.

ÇFARË THOTË LETRA E 1915-ës

Dokumenti i vitit 1915 është një shkëmbim të dhënash mes diplomatëve grekë të kohës, në të cilën për ish-Kryeministrin e Shqipërisë thuhet se ka ‘pasur baba grek’ e po ashtu, thuhet se qe ateist e ndonëse i tillë, qe dorëzuar prift. Në këtë dokument, Noli ‘akuzohet’ se, “atëherë mori rol aktiv në shtypin e huaj për të minuar qëllimet e Greqisë dhe me pamfletin e tij antihelenik që dërgoi në tubimin helenik të mbledhur në ‘Ferway Hall’ deshi të ndalte lëvizjet filohelenike të amerikanëve”. Dokumenti është shkëputur nga botimi “Helenizmi i Epirit të Veriut dhe Marrëdhëniet Greko-Shqiptare”, Vëllimi I, 1897-1918, botuar nën kujdesin e Vasilis Kondis, Athinë, 1995. Në shqip është përkthyer nga Sokol Çunga dhe është pjesë e një vëllimi me dokumente të Ledia Dushkut.

Letra

Konsullata e Bostonit për Ambasadën e Uashingtonit

Boston, 20 gusht 1915

“Raportojmë se veprimtaria kombëtare dhe propagandistike e shqiptarëve në Boston zgjat prej shumë vitesh dhe është veçanërisht e frytshme pas mbërritjes së Faik Bej Konicës në qytet. Faik Bej Konica, me bashkëpunëtor dikur të quajturin Theofan Mavromati, sot Fan Noli, arriti t’i bëjë fanatikë shqiptarët autentikë.

Në vijim raportojmë se Fan Noli e ka prejardhjen nga një fshat i Maqedonisë, është grek nga babai dhe shqiptar nga nëna, zotëron nëntë gjuhë dhe është ateist. Nga viti 1902 deri më 1905 dha mësim në shkollat greke të Egjiptit, ku shfaqi edhe shenjat e para të prirjes së tij shqiptare. E dëbuan prej andej dhe shkoi në Amerikë, ku gjeti përkrahje nën mbrojtjen e Faik Bej Konicës.

Megjithëse ishte ateist, u dorëzua prift i famullisë shqiptare të Bostonit, (ku shërbeu) deri sa shpërthyen Luftërat Ballkanike. Atëherë mori rol aktiv në shtypin e huaj për të minuar qëllimet e Greqisë dhe me pamfletin e tij antihelenik që dërgoi në tubimin helenik të mbledhur në ‘Ferway Hall’ deshi të ndalte lëvizjet filohelenike të amerikanëve. Pasi nuk ia arriti qëllimit, u hodh në Trieste, bashkë me Faik Konicën. Nga atje u kthyen bashkë me Koço Çekrezin, i cili është redaktor i gazetës së Faik Bej Konicës, “Dielli” në Jamestown të Nju Jorkut. Duke dashur të riorganizojnë bashkësinë shqiptare, ndërtuan shoqëri vullnetarësh. Shoqëria e Bostonit ka 50 anëtarë. (…)”./GSH

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment