Parada, rreth 1800 trupa ushtarake dhe mbi 50 mjete parakalojnë para shqiptarëve

Filed under: Aktualitet |

Parada ushtarake e Forcave të Armatosura që u zhvillua dje pasdite në sheshin “Skënderbej” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë, ka shënuar një ngjarje të rrallë dhe mjaft solemne. Rreth 1800 trupa ushtarake dhe mbi 50 mjete të llojeve të ndryshme kanë parakaluar përpara qindra e mijëra qytetarëve të kryeqytetit dhe nga gjithë Shqipëria, nga Kosova, si dhe nga trojet e tjera shqiptare.
Personalitetet
Të pranishëm në këtë eveniment të rrallë ishin presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri, Sali Berisha, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ministra të kabinetit qeveritarë, deputetë, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura.
Gjithashtu nderonin me pjesëmarrjen e tyre Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kryeministri i Republikës së Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë, kryetari i Dhomës së Deputetëve Italian, Xhanfranko Fini, Zv.sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Aleksandër Vershbou, eurodeputetë të Parlamentit Europian, ambasadorë të vendeve të huaja të akredituar në Tiranë etj.
Berisha
Në fjalën e tij tejet emocionale, kryeministri Berisha falenderoi në radhë të parë miqtë e pranishëm në festën tonë dhe ka uruar për një miqësi dhe bashkëpunim me ta për shumë e shumë vite e shekuj të tjerë. Duke iu drejtuar qytetarëve të mbarë Shqipërisë dhe kombit tonë, Berisha theksoi se, “së bashku kemi nderuar, kemi valëvitur më shumë se kurrë flamurin tonë kombëtar, kemi kënduar himnin e tij, sepse atij i takon nderimi më i parë. Ai është altari ky prehen të pavdekshëm qindra dhe mijëra martirë dëshmorë të kombit tonë”. Në këtë vit jubilar, vijoi më tej Berisha, ne kemi nderuar më shumë se kurrë prijësit tanë: Ismail Qemalin, babain e Pavarësisë, themeluesin e shtetit shqiptar; Hasan Prishtinën, arkitektin e Shqipërisë etnike; Isa Boletinin, të cilin ai e cilësoi Robin Hudin e shqiptarëve dhe të gjithë burrat firmëtarë të Pavarësisë. Ne i përjetësuam ata në rrugë dhe në sheshe, me buste dhe shtatore në katër anët e vendit dhe viseve shqiptare, ka theksuar ai. Më tej, kryeministri Berisha ka shprehur një mirënjohje të veçantë për popullin shqiptarë dhe e ka cilësuar këtë ditë feste të madhe si ditën e mbarë qytetarëve shqiptarë. “Këto 100 vite ju kaluat kohëra vuajtjesh, sakrificash mbinjerëzore, përjetuat luftëra, mjerime, pushtime, diktatura çnjerëzore dhe megjithatë gjatë këtij shekulli ju ndërtuat dhe krijuat me duart dhe mendjen tuaj diga dhe hidrocentrale, rrugë, fabrika, uzina, ullishte dhe bëtë që vendi ynë nga një vend që 20 vjet më parë rënditej i treti më i varfër në botë, të ngrihet si Feniksi mbi mjerimin e tij dhe sot të rrisë të ardhurat për frymë jo 10 apo 20, por 30 herë më shumë se në 20 vitet që shkuan”, është shprehur kreu i qeverisë shqiptare.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Berisha një nderim tjetër të veçantë u bëri grave dhe vajzave shqiptare, minoritetit që jetojnë në Shqipëri, si dhe të rinjve shqiptarë kudo që janë, të cilëve u tha se Shqipëria do t’u jetë përjetë mirënjohëse për gjithçka keni bërë për lirinë dhe pavarësinë, ndërtimin dhe prosperitetin e saj.
Në këtë eveniment foli edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në emër të qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj ka sjell përshëndetje të veçanta për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe u ka uruar gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë.
Parada
Më pas, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në cilësinë e drejtuesit të paradës ka dhënë komandën për fillimin e paradës ushtarake. Nën ritmin e marsheve të ekzekutuara nga Orkestra Frymore e FA ka nisur parada ushtarake me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Të parët që parakalojnë para tribunës janë veteranët e Luftës Antifashiste Çlirimtare, brezi i nderuar që sublimoi jetën në Luftën Antifashiste, duke e rreshtuar vendin tonë në anën e koalicionit të fitimtarëve. Pas tyre me flamuj ne duar parakalojnë përfaqësues të vendeve anëtare te NATO-s. Vijnë para tribunës përfaqësuesit e Forcës se Sigurisë së Kosovës. Ata parakalojnë krenarë si pasardhësit e Heroit Legjendar Adem Jashari. Më pas shfaqet kuadrati i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që përbën strukturën organizative më të lartë ushtarake dhe realizon komandën unike në Forcat e Armatosura të RSH. Me plot ritëm e gjallëri parakalojnë kuadratet e Forcës Tokësorë. Mes tyre dallon kuadrati i Batalionit të Forcave Speciale dhe Batalionit Komando, të cilët kanë nderuar Shqipërinë në misionet paqeruajtëse, duke vepruar përkrah trupave të vendeve aleate. Përpara tribunës parakalojnë me rradhë kuadratet me uniformën e bukur e të Forcave Detare, të Forcave Ajrore, të trupave të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, të Brigadës Logjistike, ushtarakë që kanë shkëlqyer në operacionet humanitare dhe ato të emergjencave civile. Pas tyre kanë parakaluar efektivat e Policisë së Shtetit, të Gardës se Republikës, të Regjimentit të Mbështetjes, kuadratet e Komandës së Doktrinës e Stërvitjes, kuadrati i Agjencisë të Sistemeve të Ndërlidhjeve dhe Informacionit, prej të cilëve bëhet e mundur edhe lidhja dhe komunikimi në çdo moment i trupave tona në misionet paqeruajtëse. Kuadrati i Policisë Ushtarake mbyll parakalimin e trupave, ndërsa Truproja e Nderit e Forcave të Armatosura performoi një skenar veprimesh rreshtore me armë dhe koreografi, i cili vjen si një risi sot me rastin e 100 vjetorit te Pavarësisë se Shqipërisë. Më pas parada ka vijuar me parakalimin e mjeteve dhe teknikës luftarake të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit. Paradën e mbylli kuadrati i Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, një orkestër kjo e mirënjohur që performon jo vetëm në ceremoniale të ndryshme shtetërore, por edhe në koncerte dinjitoze duke shpalosur vlera e nivel të lartë artistik.

Forcat që morën pjesë në paradë

Në paradën ushtarake me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë morën pjesë rreth 1800 forca të inkuadruara në 32 kuadrate, nga të cilat 27 kuadrate nga Forcat e Armatosura, një kuadrat nga Policia e Shtetit, një kuadrat nga Garda e Republikës, një kuadrat nga Forca e Sigurisë të Kosovës dhe një kuadrat me veteranë. Gjithashtu një kuadrat përbëhej nga flamurtarët e vendeve të NATO -s, të cilat nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë paradë. Po kështu, në paradë u ekspozuan edhe rreth 50 mjete të tipave të ndryshme që janë në përdorim në Forcat tona të Armatosura, si dhe 10 motoçikleta të Policisë së Shtetit.