Socialistët i kërkojnë Presidentit Bujar Nishanit të bëjë të ditur grupin negociator të marrëveshjes së kufijve me fqinjin tonë jugor, Greqinë. Teksa ministria e Jashtme bëri të ditur se janë çelur sërish negociatat me Athinën zyrtare për kufirin ujor mes dy shteteve, opozita denoncon atë që quan ripërsëritja e marrëveshjes së parë me Greqinë, marrëveshje që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Saimir Tahirit, po ruhet sërish fshehtësia dhe nuk po bëhen të ditura kush janë bisedimet mes Tiranës dhe Athinës për ujërat.
Shqetësimi i opozitës
Saimir Tahiri nënkryetari grupit parlamentar socialist u shpreh se kryeministri Sali Berisha vazhdon nën një errësirë të plotë pa kurrfarë transparence, të hedhë hapa drejt një marrëveshje për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Deputeti Tahiri kërkoi mbikëqyrjen nga presidenti Bujar Nishani, hap pas hapi të negociatave të reja.
“Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gerveni e shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë”, tha Tahiri.
Negociatat
Socialistët nuk janë kundra rinisjes së negociatave por ngulmojnë në pasjen e një transparence maksimale për këtë çështje. “Kërkojmë transparencë në çdo hap të bisedimeve dhe negociatave për marrëveshjen e re. Kërkojmë zbardhjen e bisedimeve të deritanishme në rast se ka, publikimin e kërkesave të deritanishme në rast se ka, si dhe transparencë të plotë në çdo hap të diskutimit dhe negocimit, deri në finalizimin e marrëveshjes së ardhshme, kurdo qoftë ajo. Kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe përfshirjen e ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile, specialistëve të vendit e të huaj, përkrah grupit negociator të qeverisë, sepse vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund t’i blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij”, tha Tahiri. Deputeti Tahiri i ka kujtuar kryeministrit Berisha se opozita në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nuk do të lejojë një tjetër marrëveshje si ajo e para për të cilën socialistët thonë se u hartua nën tavolinën e Kryeministrit, duke cenuar kështu sovranitetin e vendit.
Reagon PD: Rama e Spahia nuk kanë interesa kombëtare
Pas akuzave të Partisë Socialiste, ka reaguar menjëherë edhe Partia Demokratike, e cila ka akuzuar kreu e PS-së, Edi Rama, dhe Kreshnik Spahiun e Aleancës Kuq e Zi se kanë nisur trillime duke cenuar hapur interesat kombëtare. “Partia Demokratike informon qytetarët se prapa këtyre shpifjeve të ulëta dhe banale të Edi Ramës dhe Spahisë së tij, qëndron vetëm përpjekja e dështuar për të mbuluar me mashtrime aktin e tij të papërgjegjshëm të bllokimit për të tretin vit me radhë të statusit kandidat për Shqipërinë. Së fundmi së bashku me çakallin e tij Faq e Zi shpifin, trillojnë për marrëveshje sekrete, ujëra territoriale e të tjera”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi. Sakaq ajo shtoi se “Partia Demokratike u deklaron shqiptarëve se Rama dhe çakalli i tij Faq e Zi nuk kanë dhe nuk mund të kenë interesa kombëtare, por vetëm interesa personale ndër më të shpërfytyruarat. Këta binjakë siamezë apartidë në korr të përbashkët kërcënuan shqiptarët se do të thërrisnin referendum për marrëveshjen e detit ndërkohë Kushtetuta e vendit nuk lejon kënd të thërrasë referendume për qëllime antikombëtare”.
Jemi popull i lodhur na kane vene para politikat dhe per ne zduan tija dine fare vetem tallen me ne shikojeni http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Artan
20 August, 2012 at 19:13