Nga Albana M. Lifschin
Para kthimit në NY, kafen e fundit në Tiranë e piva me një miken time të vjetër. Mbeta sa e habitur aq edhe e shqetësuar kur nga biseda me të mësova këtë fakt: Një vajzë 13 vjeçe, për shkak të takimit me një djalë u kishte dhënë prindërve të saj valium në një dozë të madhe, për t’u siguruar që ata të ishin në gjumë të thellë kur miku i saj të hynte në shtëpi e të kalonte natën me të. Prindërit e vajzës ranë për të fjetur të dielën mbrëma dhe u zgjuan të martën në mëngjes. Shkuan në punë të ndërgjegjshëm se ishte ditë e hënë.
Duke marrë shkas nga ky episod e ftova mikeshën time të bënim një takim me disa adoleshentë. Tema e bisedës ishte: Si e kuptojnë adoleshentët ndjenjën e dashurisë dhe në ç’masë është ajo reale në këto marrëdhënie? Biseda u zhvillua me një grup nxënësish të klasave të nënta të shkollës “Jeronim De Rada” të kryeqytetit si edhe disa bashkëmoshatarë të tyre të qytetit të Rrëshenit. Nxënësve,paraprakisht iu dha për të lexuar tregimi “Stina e vetëvrasjeve” ku protagonistët – ishin mosha e tyre, por ngjarja ishte vendosur tre dekada më parë, në atë kohë kur tema e dashurisë në moshën e adoleshencës ishte tabu. Për të flitej vetëm brenda rretheve të mbyllura, më shumë në formën e thashethemeve se sa të një fenomeni të rëndësishëm të cilës familja dhe shoqëria duhej t’i jepte përkujdesin e duhur. Por ndërsa në familje nuk flitej me fëmijët për të, ishin pikërisht adoleshentët ata që vërshonin në dyert e kinemave kur shfaqej”Romeo dhe Xhulieta”.( Kujtojmë që Xhuljeta ishte 14 vjeçe). Atë kohë, një adoleshente që hynte në marrëdhënie me një djalë persekutohej nga të gjithë e mbulohej me turp dhe në rastin më ekstrem një situate e tillë bëhej shkak edhe për vetëvrasje, duke tronditur shoqërinë nga brenda. Për këto ngjarje tragjike shtypi nuk shkruante, dhe as që bëhej fjalë që shoqëria të kërkonte përgjigjen e pyetjes ‘Pse ndodhi kjo?’ për t’i parandaluar ato në të ardhmen.
Në kohën e sotme, kur adoleshenca është krejt e çliruar nga një trysnia e një mentaliteti të tillë po vihet re një tablo në ekstremin tjetër. Falë zhvillimit të teknologjisë, internetit, fëmijët futen që herët në ‘sekretet” e jetës, djegin “fazat”, kapërcejnë fëmijërinë e tyre, e nxitojnë për të hyrë në radhët e të rriturve në mënyrë të parakohshme duke nëpërkëmbur rininë e parë. Mjaft prindër janë të detyruar t’u plotësojnë të gjitha tekat fëmijëve, madje dhe jashtë mundësive financiare, vetëm që ata të mos mbeten prapa shokëve. Dikush takoi në rrugë mikun e tij të vjetër profesor, dhe i shkuan sytë tek këpucët e tij të vjetra. I tha me të qeshur:
-Ore, akoma me këto këpucë shekullore,ti ?
-Ku më vjen radha mua në shtëpi, more vëlla?-u përgjigj edhe ai po me të qeshur.
Humor i dhimbshëm. Fëmijët e sotëm nuk pyesin nëse ka apo nuk ka prindi, nuk njohin çmimet, por dinë fare mirë se cilat veshje janë “firmato”, cili është celulari i fjalës së fundit‘, etj. Nga ana e tyre mjaft prindër duke i plotësuar çdo dëshirë fëmijës mendojnë se kanë bërë gjithçka për ta, duke e lënë atë jashtë kontrollit, kur pikërisht këtu fillon puna e tij më e vështirë.
Kur adoleshentët flasin hapur
Kërkova që biseda të bëhej e lirshme dhe e hapur si midis bashkëmoshatarësh, pa “autocensurë”. Po jap këtu vetëm mendimet e disa nxënësve adoleshentë pa e parë të nevojshme të përmend shkollën të cilës i përkasin.
Megi: Duke krahasuar tablonë e para 20 apo 30 vjetësh që jep tregimi, me kohën tonë sot, them se shohim dy pamje me kontrast të madh: e kaluara –prapambetje, e sotmja – ç’thurje.
Deana: Mendoj që më parё lidhjet dashurore të të rinjve kanё qenё mё të forta.
Joris: Sot trendi i kohës është të kesh të dashur.
Emanuela Ndreka: Sot dashuria është materialiste, vajzat e duan djalin se ka makinë, se është i pasur, domethënë për vlerat materiale.
Rozalba: Tek djemtë është idea që sa më shumë vajza të kenë , aq më tërheqës bëhen në sytë e tyre. Ata lidhen me vajza, si të thuash, për t’u bërë “të famshëm”, por jo se ndjejnë ndonjë gjë për to. Dhe askush nuk thotë ndonjë gjë të keqe për ta, kurse po qe se një vajzë ka një djalë dhe prishet me të, pastaj lidhet me një tjetër shihet ndryshe, me sy jo të mirë. Mendoj se ka hipokrizi nga ana e shoqërisë.
Anna Maria: Djemtë bëhen si garipa. Flasin me zhargon rrugaçësh që i bën të duken ‘interesantë’ në sytë e vajzave mendjelehta. Por edhe vajzat bëjnë gjëra për t’u dukur, shkruajnë statuse në facebook për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Ka një personalitet fals. Kjo nuk është e nevojshme, se ne e njohim mirë njeri tjetrin se kush jemi.
Këtu, për pak çaste, ra një qetësi në klasë sikur pritej që mendimi i saj të kundërshtohej nga djemtë. Por nuk ndodhi ashtu. Nxënësi Aldo Kaçorri u ngrit nga banga e tha:
-Ne dalim nga vetja, pretendojmë të jemi ata që s’jemi,bëjmë sikur duam, por në të vërtetë nuk është ashtu. Dashuritë e djemve janë sipërfaqsore.
Henri: “Mendoj se nuk flitet për dashuri, por për pëlqime. 90% e lidhjeve nuk provojnë ndjenjën e vërtetë të dashurisë
- Ç’është dashuria për ju?
Megi: është një ndjenjë që i duhet njeriut për të qenë i kompletuar.
Flavia: Sot letrat e dashurisë janë zëvendësuar nga komunikimi i shpejtë në internet, janë zëvendësuar me chat.
Vanesa: Sot nuk ka dashuri. Sot flitet për shoqëri me benefite. (Friends with benefits)-Domethënë djali ka një shoqe, por njëkohësisht e përdor atë edhe për seks…
Gjoni: Djali krenohet mes shokëve kur shkon me vajza. Marëdhënia intime me një vajzë është gjë e madhe për të, dhe ai e diskuton atë me shokët.
Pyetjes: “A mund të mbijetojë marrëdhënia miqësore midis një djali dhe një vajze pa rënë në marrëdhënie seksuale?” i erdhi kjo përgjigje: “Vajzat hyjnë në marrëdhënie seksuale të vëna nën presionin e djemve, se po qe se nuk pranojnë marrëdhënien seksuale atëherë lidhja e tyre vdes, pra seksi është si kusht që ajo të vazhdojë”.
Megi: Ne harrojmë që zgjedhjet i bëjmë ne vetë, edhe gabojmë. Por nuk dimë si të veprojmë, nuk kemi një model që ta ndjekim. Na mungon modeli.
Na mungon modeli.
Çdo deklaratë e bërë nga të rinjtë, mendoj se është një temë më vete për t’u trajtuar nga psikologu, pedagogu, prindi, edhe më gjerë – nga vetë shoqëria. Vini re faktin e hidhur që nuk bëhet fjalë fare për personalitetin e vajzës, për vlerat e saj; Vajza (mjerisht) e ndjen veten krejt të varur nga djali dhe e sheh veten në funksion të tij.Të rinjtë e pranojnë mungesën e ndjenjës së dashurisë, romantizmit, në këto lidhje si diçka të mirëqenë. Ku është dashuria si një ndjenjë sublime, që fisnikëron shpirtrat, që e bën njeriun më të bukur e më të pasur shpirtërisht? Mos ndoshta ky tashmë është një koncept démodé që ekziston vetëm nëpër librat e autorëve romantikë të shekujve të kaluar?
Peshë të rëndë mbajnë fjalët e Megit kur thotë:Na mungon modeli…
Më ra në sy që mungesa e ‘modelit‘ nuk u kundërshtua nga askush. Asnjëri nga nxënësit në atë klasë nuk tha: “Unë kam mamin si model”, ose “Unë kam babin’ . Çfarë po ndodh me fëmijët adoleshentë? Mos janë lënë në mëshirën e fatit, si një anije në oqean të hapur , në mes të stuhive, pa asnjë orientim? Kush e ka busullën ? Tradicionalisht fëmijët rriten duke u brumosur me mësimet e prindërve dhe pak a shumë pritet t’u ngjajnë atyre. Mu kujtua thënia e Walt Whitman ” Rrisni fëmijë të mirë, të tjerat vijnë pas.” Gazetari amerikan Dawson McAllister që është marrë për dekada të tëra me problemet e adoleshencës shkruan se ”ata (adoleshentët) kanë nevojë për “role models”, tek të cilët të besojnë. Nëse ne do t’i kuptojmë më mirë, do të dimë të ndërtojmë një ambient në familjet tona ku ata të gjejnë ngrohtësi dhe t’i udhëheqim drejt një jete me kuptim”.
Adoleshenca që zëvendëson ndjenjën e dashurinë me seksin është si një lule e vyshkur para kohe. Edukimi i të rinjve është detyrë e vështirë e prindit , e shoqërisë dhe e vetë shtetit. Nuk është slogan i së kaluarës, por një e vërtetë e padiskutueshme, që të rinjtë e sotëm do të përbëjnë shoqërinë e të ardhmes, shtetin e të nesërmes në çdo regjim apo sistem ekonomik.
Biseda me kolegen time vazhdoi edhe jashtë auditorit.
-Nuk e di çfarë modeli kërkon, e dashur, -më tha ajo. Në një shoqëri të korruptuar njeriu i ndershëm që u qëndron parimeve të tij morale, mund të vdes për bukë. Ka vajza të reja që hyjnë në punë si sekretare, duke e ditur se u duhet të përmbushin edhe detyrat ‘extra’, që u kërkon shefi. Ka gra, jo pak, që një lidhje jashtëmartesore e konsiderojnë ‘trofe’, sepse i siguron asaj të mira materiale dhe të holla,që bashkëshorti i saj nuk është në gjendje t’a sigurojë. Vajzat gjithashtu tentojnë të lidhen me djem të pasur , apo hyjnë në marrëdhënie me burra të stabilizuar financiarisht. Gjah i preferuar është edhe ai që vjen nga jashtë, djemtë ”naivë’ që duan të marrin nuse Shqipërie.
***
Pse habiteni ? Ne nga ju i kemi mësuar…
Më ka ndodhur disa herë, gjatë vizitave të përvitshme në atdhe, që kur bie fjala për korrupsionin apo imoralitetin, të më thonë:
-Pse habiteni kaq shumë ju “amerikonët’? Nga i mësuam ne këto ? Prej jush i mësuam! Filmat tuj shohim!
Personalisht mendoj që ky është një reagim i nxituar dhe i papërgjegjshëm.. Ky “shfajësim” i fajshëm ligjëron shkarjen në të keqe duke e konsideruar atë si pjesë normale e jetës së re demokratike, ‘të influencuar nga Perëndimi’/Amerika. Mirëpo harrohet që Amerika përveç lirisë që i jep individit, mbart me vete edhe ndjenjën e madhe të përgjegjësisë. Këto të dyja nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra. Janë dy anë të një medalje. Po citoj këtu presidentin Klinton “Amerika është për të dyja bashkë:Lirinë individuale dhe përgjegjësinë ndaj komunitetit” .
Tashmë të gjithë e dinë që në Amerikë njerëzit punojnë shumë për të siguruar një jetë më të mirë, e nuk kanë kohë për të humbur nëpër kafenera. Në atdhe, mjerisht, për shumëkënd është i adhurueshëm koncepti i të bërit të parasë pa punuar, e lirisë pakufi të shkëputur nga përgjegjësia. Në Tiranë, ashtu sikurse edhe në qytetet e tjera të vendit lokalet janë plot nga mëngjesi në mbrëmje. Njerëzit qahen, ankohen, bëjnë politikë, thashethemojnë…, fantazojnë: ”Ah,sikur të më jepnin 200 euro në muaj, as që do e kisha vrarë mendjen për të punuar!“ Po nga do të vijnë ato 200 euro? Nga qielli?
Po le të vazhdojmë më tutje, duke u marrë me justifikimin ” Nga ju i kemi mësuar!”
Nëse disa, nga qindra kanale televizive private që funksionojnë në SHBA , japin filma me porno apo dhunë, (duke ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes që ua jep kushtetuta) ,ata janë të detyruar gjithashtu të paralajmërojnë shikuesit nëse ai film apo shfaqje nuk është e përshtaçme për një kategori të caktuar moshe. Sigla R-(restricted) që shihet në ekranin televiziv apo edhe ne kinematë e qytetit,paralajmëron që ai film nuk është i rekomandueshem për shikuesit nën moshën 17 vjeç. PG (parental guidance)-dmth që prindi vendos vetë nëse fëmija e tij mundet ta shohë këtë apo atë film. Nëse një adoleshent amerikan hyn në dyqan, apo lokal për të blerë birrë, atij i kërkohet të paraqesë kartën e idenditetit, pasi duhet të jetë 21 vjeç që të jetë i ligjshëm për të. A nuk ndjeni këtu dorën e shtetit? Ligji amerikan shkon edhe më tej. Ai kërkon që, kur një dhunues, del nga burgu, (qoftë edhe për një periudhë të përkohshme), të paralajmërohet komuniteti,duke i bërë njerëzit të ndërgjeshëm për lirimin e tij. Qytetarët amerikanë i kërkojnë qeverisë mbrojtjen e fëmijëve të tyre, sepse është edhe detyra e saj. Në rastet e tragjedive tek fëmijët, grabitjet, përdhunimet,shoqëria ngrihet në këmbë dhe bëhet shkak që shteti të nxjerrë ligje me qëllim parandalimin e tyre në të ardhmen. Ligjet marrin emrin e fëmijës të cilit apo cilës i ka ndodhur ajo tragjedi. Më bie ndërmend këto çaste “Megan law” – Ligji i Megit, i cili u ligjërua nga qeveria amerikane në kohën e administratës së Presidentit Klinton, për të parandaluar rastet e përdhunimit të të vegjëlve. “Prej shumë vitesh tashmë prindërit nga gjithë anët e Amerikës thonë se ka shumë dhunë e seks në ekranet televizive duke kërkuar nga qeveria të mbrojë fëmijët e tyre nga skenat e nga një fjalori të atillë që nuk i përket dhomës së ndenjes së familjes. Prindërit thonë se është e drejta e tyre t’i rrisin fëmijët në atë mënyrë që të përforcojë vlerat morale, prandaj programet për të rritur nuk mirëpriten në familje, pasi ndërhyjnë në procesin e edukimit…. Kohët e fundit me shtytjen time industria televizive ra dakord të shtojë sasinë e programeve edukative në transmetim si edhe të punojë për ndryshimin e përmbajtjes së televizionit për fëmijë për të mbështetur vlerat kombëtare duke reduktuar dhunën … “(nga libri i presidentit Bill Klinton, “Between Hope and History”. fq.124 )
Dikur televizioni publik shqiptar ka patur programe edukative ku fëmijëve u mësoheshin fjalët magjike , “Të lutem” dhe “Të faleminderit”, si të silleshin bukur. Fëmijët mësoheshin të donin e ndihmonin njëri tjetrin, të ishin mirënjohës, të dëgjonin këshillat e prindërve, të mos gënjenin. Dhe këto mësime i merrnin nëpërmjet përrallave e tele-tregimeve për fëmijë. A ka më televizioni publik emisione fëmijësh? Një kolege e vjetër e televizionit më tha: ‘Nuk ka, sepse kërkojnë shpenzime” nga shteti. Por populli thotë që ‘malli i lirë të kushton shtrenjtë’.
Presidenti Klinton shkruan:“ Ndoshta mësimi më i mirë që kam marrë këto tre vjet e gjysmë(është fjala për vitet e fillimet e presidencës së tij-A.M.L) është që kur punojmë të ndarë jemi të mundur, kur punojmë sëbashku, si komunitet, Amerika gjithmonë fiton‘.
Komentet Më të Fundit