Totozani: Gjakmarrja duhet të merret seriozisht nga shteti, s’ka një studim serioz për shkaqet e saj

Kategoria: Flash,Politikë |

Erion HABILAJ

 

Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ për aksionin e bashkisë së Tiranës për dhunën ndaj komunitetit rom si për ndalimin e tyre për të grumbulluar mbetje plastike. Në një intervistë për “Tirana Observer” kreu i institucionit të AP-së, Igli Totozani thotë se ka thirrur kreun e policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha në një takim në zyrë por ky i fundit e ka refuzuar takimin. Me tej Totozani flet dhe për fenomenin e gjakmarrjes duke theksuar se shteti duhet të rrisë masat për parandalimin e saj. Totozani flet dhe për situatën në burgje dhe dhunën që ushtrohet ndaj të burgosurve. Ai thotë se do të monitorohet çdo lëvizje e cila mund të ketë shekeje ligjore.

 

 

Me qenë se po afrojnë dhe zgjedhjet, një nga problematikat e të kaluarave në 2009, ishin precedentët e lirimit të disa të burgosurve VIP para zgjedhjeve për të bërë fushate apo përfshirë në shantazhe dhe presione politike. A do monitorojë situatën Avokati i Popullit për të shmangur dhe parandaluar këto veprime abuzive dhe si do veprohet?

Në ushtrim të funksioneve të veta kushtetuese Avokati i Popullit monitoron nga afër situatën e të drejtave dhe lirive të personave te burgosur. Mbrojtja e të drejtave të personave që ju është privuar liria dhe trajtimi i tyre në institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit është një nga prioritetet e institucionit të Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e Avokatit të Populli për  këtë ccështje janë përfshirë në një nga prioritetet e BE për Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat. Zbatimi i ligjit nr. 8328, date 16.04.1998, i ndryshuar, nga administrata e burgjeve përbën një nga prioritetet e punës së institucionit tonë. Në këtë këndvështrim ne do të trajtojmë me profesionalizëm çdo ankesë, kërkesë apo njoftim që do të mund të kemi lidhur me problematika të ndryshme ku përfshihen personat e burgosur.

A ka pasur refuzime të rekomandimeve dhe kërkesave tuaja deri tani nga institucionet dhe cilat janë problematikat dhe vështirësitë që hasni me to?

Përgjithësisht rekomandimet e Avokatit të Popullit drejtuar  institucioneve janë pranuar prej këtyre të fundit. Problem ngelet zbatimi i këtyre rekomandimeve, që do të thotë se organi të cilit ne i jemi drejtuar, ndonëse e ka pranuar në parim rekomandimin tone për të rivendosur në vend të drejtën e shkelur, nuk e zbaton në praktikë atë për arsye nga më të ndryshmet, të cilat duhet thënë se nuk justifikojnë në asnjë rast mosveprimin.

Një problem tjetër që po duket se s’ka një zgjidhje prej shumë vitesh është dhe gjakmarrja? Si e komentoni si fenomen dhe çfarë duhet bërë që të minimizohet?

Problemin e gjakmarrjes, i cili lidhet pazgjidhshmërisht me Kanunin/Kanunet, e konsideroj si tepër problematik, shumë të vështirë për ta minimizuar dhe të anashkaluar nga shoqëria, shteti dhe politika shqiptare këto 22 vitet e fundit. Ky fenomen, tepër diskret për realitetin dhe kombin shqiptar, me pasoja shoqërore të rënda për ne dhe për sytë dhe mentalitetin e civilizuar të të huajve nuk është marrë dhe nuk merret as sot me seriozitetin që i takon. I ka mbetur spontanitetit, improvizimit dhe disa OJF-ve që këtë fenomen e shohin si shumë interesant në qëllimet e tyre. Në radhë të parë, mungon një studim tërësor, serioz dhe shkencor për shkaqet e gjendjes reale të fenomenit sipas krahinave ku ngre krye herë pas here; të dukurive ekonomike-psikologjike-të traditës-arsimore; të investimeve gjatë 22 viteve të fundit dhe fushat ku është ndërhyrë me donacione; të nivelit aktual kulturor-arsimor i ambientit rrethues; të statusit qytetar ekonomik e shoqëror të familjeve të rëna në gjak me njëra-tjetrën; dukuritë që i  nxisin ato etj. Mendoj se duhet të ndërmerret/miratohet një strategji serioze kombëtare 10-20 vjeçare, me piketa sipas fazave, ku mund të zënë vend dhe eksperiencat e vendeve të tjera, si nga Korsika, krahina baske në Spanjë, vendet ballkanike e tjera, për minimizimin e fenomenit të gjakmarrjes. Ndër detyrat kryesore mbeten ngritja e nivelit ekonomik të familjes shqiptare, arsimimi i popullsisë së zonave ku është i përhapur fenomeni i gjakmarrjes etj.

Një rol të rëndësishëm në parandalimin e gjakmarrjes kanë edhe autoritetet shtetërore përgjegjëse, të cilat në zbatim me ligjin duhet të marrin masa për parandalimin dhe zbutjen e këtij fenomeni. Policia është organi i parë që ndeshet me të, jo vetëm për faktin se njoftohet e para për krimin e ndodhur, por është ajo që kryen edhe veprimet e para procedurale duke filluar që nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grumbullimin e provave të fajësisë, parandalimin e pasojave të mëtejshme të veprës penale etj. Pra ajo mund të bëjë shumë për parandalimin e tij. Policia duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për zbulimin dhe kapjen brenda një kohe të shkurtër të autorit apo autorëve të vrasjes për hakmarrje apo për gjakmarrje, të grumbullojë provat e fajësisë, të bëjë një hetim të plotë dhe të shpejtë ngjarjes dhe së bashku me organin e prokurorisë ta dërgojnë atë me të gjitha provat para gjykatës për t’u gjykuar. Organet e policisë mund të ndikojnë shumë edhe në parandalimin e fenomenin të ngujimit të familjarëve të vrasësit, i cili është një nga pasojat e krimit të gjakmarrjes. Sipas K.Penal, kanosja për t’u ngujuar dënohet panalisht. Po kështu dënohet edhe nxitja për gjakmarrje. Policia nuk duhet t’i lerë jashtë objektit të punës së vet këto fenomene që janë më pasoja të shumëllojta. Me kompetencat që i janë dhënë kohët e fundit Policisë së Shtetit e cila ka edhe atributet e policisë gjyqësore dhe me mjetet teknike që ka në dispozicion, ajo ka mundësi shumë më të mëdha se më parë për të kryer misionin e vetë me mjetet dhe metodat ligjore dhe pa cenuar të drejtat e njeriut. Mosreagimi nga policia për të kryer detyrat ligjore është me pasoja shumë të rënda dhe bëhet shkak për ndodhjes në të ardhmen e afërt të krimeve të tjera, sikurse është rasti që sapo hetuam në një fshat të rrethit të Pukës, të cilin ju e njihni tashmë, pasi e kemi bërë publike.

Gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe ankesa nga shoqata e ish ushtarakëve, ish-pronarëve, ankesa për faturat e ujit, ankesa për energjinë elektrike, ankesa nga romët, ankesa nga minoritete të tjera siç është rasti për censusin por dhe nga komuniteti LGBT. Si zë i qytetarëve si e vlerësoni punën e qeverisë në gjithë këtë lumë ankesash?

Fusha e të drejtave të individëve që cenohen nga veprime të parregullta apo mosveprime të autoriteteve përkatëse shtetërore është vërtetë e gjerë. Avokati i     Popullit për çdo rast që e ka çmuar ka ndërhyrë me të gjitha mjetet që i njeh ligji për rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura nga administrata publike dhe të tretët që veprojnë për llogari të saj. Në këtë kuadër, në disa fusha përpjekjet e qeverisë, sipas këndvështrimit tonë, kanë qenë minimale, siç është rasti i kompensimit të ish-pronarëve, i garantimit të të drejtave të njohura nga ligji i komunitetit rom, për të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e banorëve të përmbytur në Shkodër, trajtimi i ish-ushtarakëve, mbrojtjen e shtresave në nevojë etj. Në disa fusha të tjera qeveria është përpjekur të arrijë dhe të vendosë standarde lidhur me realizimin e të drejtave dhe lirive të individëve, por megjithatë ka gjithmonë vend për përmirësime.

Si është gjendja e të miturve në burgje, a rrinë me të rriturit dhe a ka abuzime?

Të miturit e dënuar përbëjnë rreth 4-5o\o të numrit të përgjithshëm të të dënuarve. Që prej tetorit të vitit 2009 ka nisur funksionimin e tij të plotë Instituti i të Miturve në Kavajë i cili strehon vetëm të dënuar të mitur. Në këtë institut trajtohen të mitur të dënuar nga mosha 14-18 vjeç, ndërkohë që të miturit e paraburgosur trajtohen në paraburgimet e Korçës, Lezhës, Vlorës dhe Jordan Misja. Po kështu në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit janë krijuar seksione të veçanta për të dënuarit e moshës 18-21 vjeç. Për sa i përket kushteve materiale, Instituti i të miturve Kavajë është projektuar dhe ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore duke ofruar kushte optimale për strehimin e të miturve, ndërkohë që seksionet e të miturve në paraburgimet që janë ndërtuar shumë vite më parë pasqyrojnë disa nga problemet që ka infrastruktura e godinës të institucionit si përshembull: mungesë të ndriçimit dhe ajrimit natyral të bollshëm, lagështirë në disa ambiente etj. Lidhur me trajtimin e të miturve duhet thënë se ata trajtohen me programe të specializuara edukimi. Për sa i përket abuzimeve të mundshme me këtë kategori theksojmë se janë evidentuar raste sporadike të dhunës fizike apo psiqike ndaj të miturve. Për këto raste Institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer hetim administrativ dhe për shkeljet e konstatuara ka paraqitur Rekomandim për marrje masash disiplinore ndaj personave përgjegjës. Mbetet problematikë e pazgjidhur mungesa e një institucioni edukimi për të miturit të cilët nuk kanë mbushur moshën për përgjegjësi penale si dhe për të miturit që e kanë mbushur këtë moshë, por gjykata ka vendosur përjashtimin e tyre nga dënimi dhe vendosjen në një institucion edukimi. Për këtë i është kërkuar me një rekomandim të veçantë Ministrit të Drejtësisë që të merren masat për ngritjen sa më parë të një institucioni edukimi për të miturit

Zoti Avokat ditët e para të marrjes së detyrës nga ana juaj u treguat mjaft aktiv për problemet e komunitetit rom. Policia bashkiake prej disa ditësh është duke ushtruar një dhunë të vazhdueshme ndaj atyre që mbledhin plastika dhe kanaçe për të nxjerr ushqimin e përditshëm, nga ana tjetër kreu opozitës në këshillin bashkiak ju ka nisur një letër për shqetësimet e këtij komuniteti, përse nuk keni pasur asnjë reagim?

Në datë 2 korrik 2012, pjesëtarë të komunitet rom të përfshirë në grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme kanë ngritur shqetësimin, mbi sekuestrimin dhe ndalimin e mjeteve të punës së këtij komuniteti, nga Policia Bashkiake Tiranë. Ata kanë raportuar se prej më shumë se tre javësh përveç sekuestrimit të mjeteve motorike, mbetjeve të grumbulluara, vënien e gjobave, anëtarë të këtij komuniteti nuk lejohen  të grumbullojnë materialet e riciklueshme si plastikë, letër, metale etj, pavarësisht nëse këto i mbledh nëpër kontenier të mbetjeve urbane, apo në burim. Gjatë procesit të sekuestrimit raportohet nga ana e tyre se Policia Bashkiake ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj anëtarëve të komunitetit rom.  Institucioni i Avokatit të Popullit pa paragjykuar qëllimin e ndërhyrjes dhe bazueshmërisë ligjore të këtyre veprimeve nga Bashkia e Tiranës, të cilat mund të jenë edhe në të mirë të interesit publik, ndërmori hapat e tij ligjor për verifikimin e kësaj situate. Kërkuam pranë Kryeinspektorit të Policisë Bashkiake, z.Florenc Hoxha shpjegime lidhur me:

Aktin administrativ, i cili me sa duket ka orientuar si prioritet të funksionimit të Policisë Bashkiake Tiranë, sekuestrimin e të vetmit mjet jetese të një numri të konsiderueshëm shtetasish të këtij komuniteti, si dhe  dokumentacionin përkatës sipas të cilit legjitimohet bllokimi dhe mbajtja e mjeteve, pranë ambienteve të Policisë Bashkiake Tiranë. Konkretisht tre shkresat tona mbajnë datat 5.07.2012 dhe 11.07.2012 dhe 19.07.2012, dhe si rrjedhoje kanë kaluar afatet e përcaktuara për kthimin e një përgjigjeje. Gjithashtu një grup pune i ngritur për ndjekjen e kësaj çështjeje, është paraqitur katër herë për të takuar z.Hoxha në zyrat e tij, por nuk ka mundur pasi ai asnjëherë nuk ka qenë prezent, duke shpërfillur të takohet dhe të shpjegojë veprimet e tij. Kjo sjellje është një tregues i qartë i mungesës së transparencës dhe dialogut institucional, pasi ai me veprimet apo mosveprimet e tij ka penguar edhe hetimin administrativ duke mos kthyer përgjigje zyrtare, dhe duke mos vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga grupi i punës. Në dt.24.07.2012 referuar situatës së mësipërme u hartua REKOMANDIMI dhe ju kërkua Kryetarit të bashkisë dhe kryeinspektorit të policisë bashkiake si më poshtë vijon:

•Ndërprerjen e veprimeve arbitrare dhe denigruese ndaj antarëve të komunitetit rom, të cilët për të siguruar jetesën e tyre detyrohen të merren me grumbullimin e mbetjeve të riciklushme.

•Nga ana e Bashkisë së Tiranës të  ndërmerret iniciativë për konsultim të përbashkët rreth impaktit social-ekonomik, që ka sjellë ky urdhër duke parashikuar masa tranzitore apo për të siguruar një alternativë tjetër, për sigurimin e të ardhurave të domosdoshme me qëllim  përmirësimin e situatës ekonomike të anëtarëve të komunitetit rom, të përfshirë në grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme.

•Angazhimin e komunitetit rom  jo vetëm si aktor por edhe si pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje.

•Pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe vetë pjesëtarëve të komunitetit rom, në hartimin e politikave vendore që Bashkia e Tiranës duhet të ndjekë për punësimin e tyre, të cilat duhet të jenë në përputhje me politikat e legjislacionit në fuqi. Zbatimi i tyre të bëhet nëpërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse të përcaktuara nga ligji.

Në kuadër të përmbushjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, Avokati i Popullit kërkon sipas ligjit Nr.8454 dt.4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, neni 19/c, paraqitjen e Z.Florenc Hoxha pranë zyrës tonë, më  datën 30.07.2012, ora 10.00. Konkretisht për t’u pyetur rreth ankeses se komunitetit rom. Siç dihet tashmë zoti Hoxha nuk u paraqit në takim. Grupi i ekspertëve që ka trajtuar problemin e romëve është duke përgatitur dosjen dhe vlerësuar hapat e mëtejshme ligjore që do të ndërmerren për këtë hetim administrativ.